Kanada - Shkarkohet kryetarja e Asamblesë së First Nations RoseAnne Archibald
- Published in Kanada

Tërmet politik brenda radhëve të Asamblesë së First Nations (AFN) në Kanada. Pas një takimi dhe votimi virtual të zhvilluar të mërkurën (28.06.) është shkarkuar nga detyra kryetarja e këtij institucioni RoseAnne Archibald. Mocioni për shkarkimin e saj mori 71% të votave. 163 nga 231 drejtuesit pjesëmarrës në takim votuan kundër Archibald. Pragu minimal për miratimin e mocionit ishte 60%.
Ky votim i ka dhënë fund më shumë se një viti polemikash të brendshme në këtë organizate, që mbron interesat e First Nations, një nga tre grupet kryesore të popujve autoktonë në vend. Asambleja, institucion i financuar nga qeveria federale, ishte përfshirë në një konflikt dhe situatë mosmarrëveshjesh lidershipi qysh nga fundi i vitit 2020. Ndërkohë, kryetarja Archibald u pezullua nga detyra pak më shumë se një vit më parë, në momentin kur ndaj saj nisi një hetim për keqtrajtim dhe presion të ushtruar ndaj vartësve.
Hetimi i kryer nga një grup ekspertësh jashtë kësaj organizate, arriti në përfundimin majin e kaluar se të paktën dy punonjës të AFN kanë përjetuar presion dhe kanë qenë shënjestër hakmarrjeje nga kryetarja RoseAnne Archibald.
Në raportin përmbledhës të hetimit, i cili iu dorëzua dhe mediave, thuhet se pesë punonjësit që depozituan ankimime ndaj kryetares Archibald kanë qenë objekt raprezaljesh dhe shkeljeje të konfidencialitetit. Raporti e përshkruan mjedisin e punës në AFN si shumë të politizuar dhe të ndarë në klane kundërshtarë. Nga ana e tij, komisioni hetimor mori më shumë se 30 vetë në pyetje, duke përfshirë pesë ankuesit, vetë RoseAnne Archibald dhe disa dëshmitarë.
Pas përfundimit të hetimeve në muajin prill dhe pa u publikuar raporti përfundimtar, Archibald pat dekaruar që e konsideronte veten të venë në shënjestër nga kundërshtarët, deklaratë kjo që shkeli direktivën e dhënë nga shefat rajonalë të AFN, të cilët i kishin kërkuan asaj të mos komentonte publikisht mbi rezultatet e hetimit përpara se ato t'u kaloheshin për informacion krerëve të First Nations.
Sipas CBC, një ditë para takimit virtual me dyer të mbyllura, për të dytën herë brenda një viti, liderët rajonalë rekomanduan shkarkimin e Archibald nga detyra, rekomandim të cilit ajo i ishte përgjigjur duke i akuzuar se po silleshin me hipokrizi, mizogjini dhe “si agjentë indianë”.
RoseAnne Archibald, nga Taykwa Tagamou First Nation në Ontario, ishte kryetarja e parë femër e Asamblesë së First Nations, e zgjedhur në këtë detyrë më 8 korrik 2021. Archibald ka qenë hetuar edhe më parë për ushtrim presioni dhe frikësim ndaj vartësve në vendin e punës, kur ajo ishte drejtuese rajonale e AFN në Ontario. Ky hetim i nisur në vitin 2021, rezultoi i pasuksesshëm, pasi asnjëri nga 10 ankuesit nuk pranoi të depozitonte padi zyrtare nga frika e hakmarrjeve.
Asambleja e First Nations të Kanadasë, përfaqëson më shumë se 900,000 qytetarë kanadezë, pjestarë të 634 komuniteteve të ndryshme autoktonë. Këta të fundit përfaqësohen në këtë forum politik nga shefat e tyre. Asambleja siguron përfaqësimin e First Nations përballë instancave shtetërore dhe synon të mbrojë të drejtat e tyre bazuar në traktatet e nënshkruara me qeverinë e Kanadasë. Veprimtaria dhe funksionimi i Asamblesë rregullohen nga Karta e Asamblesë së First Nations e hartuar më 1985.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Spencer Colby