Java Kanadeze - Lajme shkurt 2 korrik 2023
- Published in Kanada
Tobermory - Ontario
-British Columbia, hapet në Vancouver muzeu i parë kushtuar historisë së kanadezëve me origjinë kineze
-Alberta, një tornado shkatërron disa shtëpi në pjesën qëndrore të provincës
-Nova Scotia, kërkohet ndalimi me ligj i vjedhjes së bakshishit nga pronarët e restoranteve
-Québec, 680 familje pa kontratë qiraje banimi më datën 1 korrik 2023
-Ontario, disa rregulla të reja kanë hyrë në fuqi në provincë
British Columbia - Në lagjen kineze (Chinatown) të Vancouver, ka hapur dyert dje (01.07.) muzeu kushtuar historisë dhe trashëgimisë së kanadezëve me origjinë kineze, institucioni i parë i këtij lloji në Kanada. Hapja dhe ekspozita inauguruese shënuan përvjetorin e Aktit të Emigracionit Kinez, i miratuar më 1 korrik 1923, për t'i dhënë fund imigrimit kinez në vend. Ky ligj diskriminues qëndroi në fuqi 24 vjet. Një shekull më vonë, kuratorja e muzeut Catherine Clement, familja e së cilës i vuajti efektet e këtij ligji, organizoi një ekspozitë të quajtur The Paper Trail to the 1923 Chinese Exclusion Act, që rrëfen përvojën e kanadezëve me origjinë kineze të përballur me këtë ligj përjashtues. “Ne duhet të ndalojmë plotësisht hyrjen e orientalëve për të shpëtuar racën e bardhë në British Columbia”, lexohet në faqen e parë të gazetës Victoria Daily Times të nëntorit 1922”, ekspozuar në muze, një shembull ndër të tjera, i racizmit dhe politikave anti-komunitet kinez të asaj kohe. Catherine Clement është shprehur që vendosi ta krijojë këtë ekspozitë për të nderuar një brez njerëzish që ndihmuan në ndërtimin e këtij vendi, por më e rëndësishmja, hodhën themelet për brezat që do të vijnë, ndërsa sipas drejtoreshës ekzekutive të muzeut, Melissa Karmen Lee, ky institucion ka një shtrirje kombëtare sepse aty do ruhen dhe ekspozohen objekte dhe dokumente që dëshmojnë edhe për historinë e komuniteteve kino-kanadeze të Torontos dhe Montréalit. Muzeu ndodhet në ndërtesën më të vjetër të Chinatown, Wing Sang, e ndërtuar në 1889 nga biznesmeni Yip Sang në 51 Pender Street.
Alberta - 9 shtëpi u dëmtuan dje (01.07.) në pjesën qëndrore të provincës Alberta, ndër të cilat tre u shkatërruan, teksa një tornado përfshiu gjate rrugës territorin e Mountain View County, në veri të Calgary. Të dhënat e dëmeve nga kjo tornado u verifikuan nga Environment Canada. Nënkryetari i bashkisë Carstairs, Dean Allan i deklaroi Radio-Canada se stuhia kaloi midis Didsbury dhe Carstairs dhe disa banorë pësuan lëndime të lehta. Ai shtoi se në këtë incident kanë ngordhur edhe disa kafshë dhe janë shkulur nga rrënjët mjaft pemë. Sipas Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), 25 lopë dhe 20 pula ngordhën, ndërsa një kalë pas plagosjes së rëndë u ekzekutua. Zjarrfikësit gjatë ndërhyrjes, nxorrën shëndoshë e mirë një grua nga rrënojat e një shtëpie të shkatërruar plotësisht. Tornado dëmtoi gjithashtu disa infrastruktura bujqësore dhe elektrike.
Nova Scotia - Një organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Halifax ka nisur një fushatë kundër vjedhjes së bakshishit nëpër restorante. Nova Scotia është një nga katër provincat dhe e vetmja në zonën e Atlantikut që nuk ka legjislacion që mbron punëtorët kundër kësaj praktike. Vjedhja e bakshishit në fjalë nuk kryhet nga klientët, por nga punëdhënësit, pronarë të restoranteve. Shembujt përfshijnë p.sh. punëdhënës që mbajnë për vete bakshishet, për të mbuluar kostot e biznesit. “Kur punëdhënësi merr bakshishet e lënë për punonjësit për të rritur marzhin e tij të fitimit, kjo është vjedhje, ndaj dhe ne kërkojmë masa të forta kundër këtij fenomeni”, i ka pohuar CBC Lisa Cameron, drejtoreshë ekzekutive e Halifax Workers' Action Centre. Kjo organizatë i ka bërë thirrje qeverisë provinciale të ndërhyjë me ligj por një zëdhënës i ministrisë së Punës të Nova Scotia ka deklaruar se qeveria Progresiste Konservatore nuk e ka në plan për momentin të ndryshojë legjislacionin për të trajtuar vjedhjen e bakshishit.
Québec - 1 korriku është festa e Kanadasë, por edhe dita e ndryshimit të vendbanimit për shumicën e atyre që jetojnë me qira ne provincën Québec. Për disa qindra syresh, kjo ditë sivjet nuk ishte ditë feste. Sipas të dhenave të fundit nga Fronti i Veprimit Popullor për Rizhvillimin Urban (FRAPRU), 680 familje në Québec nuk kishin nënshkruar ende një kontratë qiraje në datën 1 korrik, nga të cilat 107 në Montreal. Ato do të kenë nevojë për strehim urgjent në mënyrë që të mos përfundojnë në rrugë. Për më tepër, shumë organizata presin të marrin kërkesa të reja për ndihmë, pa përmendur të gjitha familjet që nuk dinë se ku të drejtohen për të kërkuar ndihmë. Organizata si “La Maison du Père” në Montreal, një strehë për meshkuj, besojnë se kriza e strehimit ndikon në shtimin e të pastrehëve. Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Montréal, Valérie Plante, njoftoi se njëqind familje kishin kërkuar ndihmë urgjente nga Zyra Bashkiake e Strehimit për të siguruar një çati mbi kokën e tyre. Sipas zyrtarëve të bashkisë, ata janë ndihmuar me hapësira për vendosjen e plaçkave dhe për 25 familje është siguruar strehim i përkohshëm. Megjithatë, kriza e strehimit në Québec nuk kufizohet vetëm në metropol. “Rrallë, kemi parë në Québec, që më një 1 korrik të ketë familje pa kontratë qiraje në shumë bashki njëkohësisht”, ka theksuar zëdhënësja e FRAPRU, Véronique Laflamme. Ky është rasti, ndër të tjera, në Quebec City, Trois-Rivières dhe Drummondville, ku normat e banesave vakante janë përkatësisht 1.7%, 0.9% dhe 0.4%, pra shumë më poshtë normës së ekuilibrit kur oferta plotëson kërkesën. Ndërkohë, qiratë e afishuara zyrtarisht janë rritur me një mesatare prej 14% në qytetet kryesore të provincës midis 2022 dhe 2023, kjo sipas përllogaritjes së organizatave që mbrojnë interesat e qiramarrësve.
Ontario - Disa rregulla te reja hynë dje (01.07.) në fuqi në provincën Ontario, duke përfshirë lejimin e farmacistëve për të administruar injeksione të caktuara dhe detyrimin e instalimit të tualeteve vetëm për gratë në kantieret e ndërtimit. Këto ndryshime përfshijnë gjithashtu një masë të shpallur së fundmi për zonat turistike me ndalimin e ankorimit të një shtëpie lundruese gjatë natës në rrugët ujore të provincës. Ontario gjithashtu do ketë terminale vetë-shërbimi për të kontrolluar biletat e lotarisë dhe gjithashtu terminalet do kenë një funksion për t’u siguruar që klienti të jetë të paktën 18 vjeç, në mënyrë që stafi të mos ketë nevojë të kontrollojë individualisht ID-të. Ndryshime të tjera që kanë hyrë në fuqi në fushën e shëndetësisë lejojnë infermierët e liçensuar të kryejnë më shumë ndërhyrje, për shembull për të trajtuar plagët.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada