Kanada

Kanada - Provinca Ontario synon të ndërtojë një central të ri bërthamor

  • Published in Kanada

Provinca Ontario duket se po hedh hapin e parë drejt ndërtimit të një centrali të ri bërthamor me kapacitet prodhues të lartë - i pari në më shumë se 30 vjet - për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike në territorin e saj.

Ministri i Energjisë Todd Smith njoftoi sot (05.07.) se qeveria Ford ka si objektiv të ndërtojë një central të ri bërthamor në provincë për të prodhuar deri në 4,800 megavat, kapacitet ky i mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike 4.8 milionë banesa. Ky termocentral i ri parashikohet të ndërtohet pranë centralit ekzistues Bruce Power, në brigjet e liqenit Huron, në Tiverton.

Projekti është pjesë e përpjekjeve të Ontario-s për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike nga burime pa emetim të gazeve me efekt serrë, megjithëse në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme provinca po mbështet gjithashtu rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e gazit natyror.

Një raport i publikuar në fund të vitit të kaluar nga Shoqata e pavarur e shfrytëzimit të sistemit të energjisë elektrike vinte në dukje faktin se province Ontario mund të eliminojë plotësisht gazin natyror nga prodhimi i saj i energjisë elektrike deri në vitin 2050 duke filluar me një moratorium në vitin 2027. Megjithatë, ky ndryshim do të kërkonte shpenzime kapitale prej rreth 400 miliardë dollarësh dhe kapacitet më të madh gjenerues, duke përfshirë termocentrale të rinj bërthamorë.

Qeveria Ford ka nisur konsultimet mbi idenë në fjalë dhe sipas ministrit Smith, ka gjithnjë e më shumë mbështetje për një termocentral të ri bërthamor. Synimi i ekzekutivit provincial është të përgatitet për rritjen e kërkesës për energji elektrike në vitet 2030, sidomos për karikimin e automjeteve elektrike, për prodhimin e automjete të reja dhe baterive të tyre si dhe për të operuar furrat me hark elektrik në industrinë e çelikut.

Ndërkohë, bëhet e ditur se Bruce Power do të nisë së shpejti konsultimet me komunitetin dhe do të kryejë një vlerësim mjedisor që do t’i paraqitet për miratim nivelit federal për të vlerësuar realizueshmërinë e një projekti të ri centrali bërthamor në Ontario. Bruce Power është centrali bërthamor më i madh funksional në botë për momentin me rreth 6,550 megavat energji të pastër dhe pa emetime gazrash. Rreth 30% e energjisë elektrike në Ontario prodhohet nga ky central dhe nëse projekti realizohet, pranë Bruce A dhe Bruce B do shtohet dhe Bruce C.

© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press