Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 9 korrik 2023

  • Published in Kanada

Fort Lennox, Saint-Paul-de-l'Île-aux-Noix, Québec

 

-British Columbia, punonjësit e 30 porteve të provincës në grevë prej 1 korrikut

-Manitoba, zhvillohet në Winnipeg mbledhja e Këshillit të Konfederatës

-New Brunswick, kostoja e urës së re ndërkombëtare në Edmundston arrin gati 100 milionë US dollarë

-Newfoundland, pritet rënie drastike e prodhimit të naftës pas një dekade

-Ontario, policia heton mbi shpërndarjen e trakteve antisemite në Peterborough

 

British Columbia - Punonjësit e porteve në provincën e bregut perëndimor kanadez British Columbia, ndodhen në grevë prej datës 1 korrik. Ndërkohë që greva ka hyrë në javën e saj të dytë, sot (09.07.) në Vancouver është zhvilluar një protestë e organizuar nga sindikatat. International Longshore and Warehouse Union Canada, federata sindikale që përfaqëson grevistët, njoftoi paraprakisht që në mbështetje të manifestuesve do të ishin prezent edhe liderë sindikalë nga jashtë Kanadasë. Grevistët po kërkojnë negocimin e një kontrate me Shoqatën e Punëdhënësve Detarë të British Columbia. Bëhet fjalë për rreth 7,400 punonjës në më shumë se 30 porte të provincës në grevë për pagat, rregullat e punës për mirëmbajtjen e mjeteve, nënkontraktimin dhe automatizimine proceseve. Me mbështetjen e ndërmjetësve federalë pasi bisedimet ishin ndërprenë të hënën e kaluar, të dy palët iu rikthyen tryezës së negociatave gjatë ditës së djeshme (08.07.). Punëdhënësit nga ana e tyre kanë pohuar se kanë propozuar krijimin e një komisioni dhe emërimin e një arbitri të pavarur për të dhënë rekomandime mbi pikat kryesore të mosmarrveshjeve në lidhje me aktivitetin e mirëmbajtjes, por sindikata e ka hedhur poshtë këtë ide. Organizatat e biznesit dhe disa përfaqësues politikë i kanë bërë thirrje publikisht qeverisë federale të miratojë një ligj special për rikthimit në punë të grevistëve, por ministri fedreal i Punës, Seamus O'Regan, ka deklaruar se rruga që duhet ndjekur janë negociatat.

Manitoba - Në kuadrin e mbledhjes së radhës të Këshillit të Konfederatës, kryeministrat e 10 provincave dhe 3 territoreve të Kanadasë do të takohen nesër (10.07.) në Winnipeg, ku ndër të tjera, do të diskutojnë çështje që lidhen me sektorin e shëndetësisë dhe rritjen e kostos së jetesës. Mbledhja tri ditorë, 10-12 korrik, do të zhvillohet në Hotelin Fort Garry. Në cilësinë e Kryetare së Këshillit të Konfederatës, takimin do ta drejtojë kryeministrja e Manitoba-s Heather Stefanson. Kongresi i Popujve Autoktonë ka konfirmuar që do jetë i pranishëm për të përfaqësuar interesat e komuniteteve autoktonë. Nga ana e saj, kryetarja e Kongresit Kanadez të Punës, Bea Bruske, deklaroi për CBC/Radio-Canada se punonjësit kanadezë kanë pritshmëri të larta nga ky takim. Ajo kërkoi gjithashtu që kryeministrat e provincave kanadeze të fokusohen akoma më shumë në çështjet që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, koston e jetesës dhe krijimin e vendeve të punës të qëndrueshme. Ndërkohë është parashikuar që në fund të takimit të tyre të mërkurën (12.07.) kryeministrat e provincave dhe territoreve të deklarohen publikisht për masat që do marrin për të menaxhuar krizën në shëndetësi.

New Brunswick - Ndërtimi i urës së re ndërkombëtare midis qyteteve Edmundston në New Brunswick dhe Madawaska në Maine të SHBA po vazhdon sipas planit të parashikuar. Ky projekt vlerësohet në 97.5 milionë dollarë amerikanë. Drejtori i komunikimit pranë Departamentit të Transportit në Maine, Paul Merrill ka konfirmuar për Radio-Canada se nuk parashikohen vonesa në përfundimin e projektit dhe ura pritet të hapet për qarkullim në fund të dhjetorit të këtij viti. Për tre muajt e ardhshëm, punimet do të vazhdojnë kryesisht në pjesën e sipërme të urës. Që nga viti 2017, në urën aktuale është vendosur një kufi për peshën e automjeteve që qarkullojnë dhe ky kufizim shkakton probleme për kamionët e rëndë, pasi atyre iu duhet të bëjnë devijime, ndërsa me urën e re ky problem do të zgjidhet përfundimisht. Kjo infrastrukturë e rendësishme do të ketë gjithashtu trotuar, korsi të gjera dhe hapësira qarkullimi edhe për automjetet rekreative.

Newfoundland - Sipas parashikimeve, rënia e prodhimit në sektorin e naftës në Newfoundland pritet të jetë marramendëse dhe mund të ndodhë shpejt dhe më konkretisht, sipas një raporti të Bordit Rregullator të Energjisë së Kanadasë, i cili detajon ndikimin e rrugës drejt karboneutralitetit në ofertën dhe kërkesën për naftë kanadeze, prodhimi i naftës në hapësirën detare përgjatë ishullit do të ketë një rënie duke filluar nga dekada e ardhshme, Në tre skenarët e studiuar nga bordi, edhe në rastin kur karboneutraliteti nuk arrihet në Kanada, prodhimi i naftës pothuajse do të jetë mbyllur në Newfoundland deri në vitin 2050. Në raportin e tij, bordi shqyrton tre skenarë: planeti arrin karboneutralitetin deri në vitin 2050; Kanadaja arrin karboneutralitetin, por pjesa tjetër e botës përparon më ngadalë; masat aktuale mbeten në fuqi dhe nuk përforcohen më shumë. Nëse planeti bëhet karboneutral, sasia e naftës së prodhuar në Newfoundland parashikohet të bjerë 99% deri në vitin 2050. Edhe nëse Kanadaja nuk miraton masa të reja për reduktimin gazrave me efekt serrë gjatë kësaj periudhe, prodhimi pritet megjithatë të bjerë me rreth 80%.

Ontario - Bëhet e ditur se Policia e Ontario-s po heton mbi shpërndarjen e disa trakteve me përmbajtje antisemite në qytetin Peterborough gjatë fundjavës të Ditës së Kanadasë. Sipas organizatave të komunitetit hebre, këto trakte janë të lidhura me një grup ekstremist me bazë në Shtetet e Bashkuara. Gjithsej 19 banorë të Peterborough kanë raportuar se kanë gjetur nën dyert e tyre trakte që promovonin teori konspirative anti-hebreje dhe propagandë supremaciste të bardhë. Kjo është hera e tretë në tre muaj që fletushka të tilla shpërndahen në pjesë të ndryshme të qytetit. “Është e papranueshme që vëllezërit dhe motrat tona të komunitetit hebre të jenë objektiv i kësaj lloj urrejtjeje të shëmtuar”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë Peterborough, Jeff Leal. Edhe kryebashkiaku konfirmoi se kjo fushatë e ka burimin nga Shtetet e Bashkuara. Sipas organizatës Friends of the Simon Wiesenthal Center traktet promovojnë komplote të rreme për përfshirjen e hebrenjve në pandemi dhe tregtinë e skllevërve. Së bashku me organizatat e tjera të mbrojtjes hebreje, ajo i lidh në mënyrë specifike fletushkat me grupin ekstremist me bazë në SHBA, Goyim Defense League (GDL). GDL përshkruhet si një rrjet individësh në internet që publikojnë përmbajtje antisemite. Ndërkohë, Policia nuk ka kryer asnjë arrestim për momentin dhe nuk ka përmendur specifikisht emrin e ndonjë grupimi.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada