Kanada

Kanada - Emërohen senatorë dy avokatë autoktonë nga provincat Atlantike

  • Published in Kanada

Javën e kaluar, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon, ka emëruar dy senatorë të rinj të pavarur. Ata janë Paul Prosper për provincën Nova Scotia dhe Judy White për provincën Newfoundland & Labrador. Njoftimi zyrtar u bë publik të enjten (06.07.) nga zyra e kryeministrit Justin Trudeau.

Judy White deri tani ka kryer detyrën e Zëvendësministres së Çështjeve Autoktone dhe Pajtimit në qeverinë provinciale të Newfoundland & Labrador. Ajo është me origjinë nga komuniteti Mi'kmaq i Flat Bay, që jeton në jugperëndim të ishullit Newfoundland. E diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Dalhousie në Halifax, Nova Scotia, Judy White është e specializuar si avokate në fushën e të drejtave të njeriut, në fushën legjislative dhe qeverisjen autoktone.

Judy White (majtas) dhe Guvernatorja e Pëgjithshme Mary Simon

Shef i First Nation Paqtnkek nga viti 2013 deri në vitin 2020, Paul Prosper u largua nga kjo detyrë në fund të mandatit të tij të tretë, për të marrë postin e shefit rajonal të Asamblesë së Kombeve Autoktonë të Kanadasë.

Paul Prosper është avokat Mi'kmaw me më shumë se 25 vjet përvojë në çështjet ligjore autoktone, duke përfshirë menaxhimin e projekteve, përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave si dhe qeverisjen dhe zhvillimin e komunitetit.

Paul Prosper

“Paul Prosper dhe Judy White ia kanë kushtuar karrierën e tyre mbrojtjes së të drejtave të popujve autoktonë dhe unë jam i bindur se ata do t’i përfaqësojnë si duhet interesat e komuniteteve të tyre, provincave të tyre dhe të gjithë kanadezëve”, deklaroi pas emërimit të tyre në Senat kryeministri Trudeau.

Nga viti 2015 kur Liberalët e Justin Trudeau rierdhën në pushtet, janë emëruar deri tani 70 senatorë të pavarur. Ata janë rekomanduar nga Bordi i Pavarur Këshillimor për Emërimet e Senatit. Që nga viti 2016, procesi i përzgjedhjes për senatorët është i hapur për të gjithë qytetarët kanadezë dhe bazohet në kriterin e meritës.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Andrew Lee/Paul Palmeter; The Canadian Press/Justin Tang