Kanada

Kanadaja dyfishon kontributin në kuadër të misionit ushtarak të NATO-s në Letoni

  • Published in Kanada

Qeveria kanadeze do të investojë 1.2 miliardë dollarë shtesë për të mbështetur misionin ushtarak të NATO-s në Letoni. Kryeministri kanadez Justin Trudeau e bëri publik lajmin gjatë paradites së djeshme (10.07.) kur ndodhej për vizitë në kampin ushtarak Adazi, jo larg Rigës (kryeqyteti i Letonisë) së bashku me kryeministrin letonez Krisjanis Karins dhe ministren kanadeze të Mbrojtjes Kombëtare Anita Anand. Kjo shumë do t’i shtohet 1.4 miliardë dollarëve që kanë qenë miratuar në buxhetin e vitit 2022. Pra në total do të shpenzohen 2.6 miliardë dollarë për tre vitet e ardhshme, ndërsa deri në 2200 ushtarakë kanadezë do të jenë prezent pa ndërprerje në Letoni gjatë kësaj periudhe.

“Ne do të dyfishojmë praninë tonë duke dërguar edhe 1200 anëtarë të tjerë të Forcave të Armatosura Kanadeze për të mbrojtur demokracinë. Ky kontigjent shtesë do të përforcojë trupat tona tokësore, detare dhe ajrore si dhe do të mbështesë operacionet speciale në Evropën Qendrore dhe Lindore”, deklaroi kryeministri Trudeau.

Rreth 800 anëtarë të Forcave të Armatosura Kanadeze janë vendosur prej disa vitesh si pjesë e misionit ushtarak me emrin “Reassurance” në Letoni, që synon mbrojtjen e shtetit të vogël baltik nga synimet ekspansioniste ruse. Kanadaja është vendi që e udhëheq këtë mision në të cilin marrin pjesë 10 vende anëtarë të NATO-s, përfshi dhe Shqipërinë. Ky është misioni më i madh ushtarak kanadez jashtë vendit.

Justin Trudeau dhe kryeministri letonez Krisjanis Karins

Kryeministri Trudeau njoftoi gjithashtu se Kanadaja do të blejë sisteme të avancuara të armëve dhe është e përgatitur të dërgojë personel shtesë për të rritur sigurinë bashkëpunuese dhe mbrojtjen kolektive, përveç ofrimit të inteligjencës dhe aktivitetit kibernetik. Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes Anita Anand, ka bërë të ditur gjithashtu së fundmi se një skuadron tankesh kanadeze Leopard 2, i përbërë nga 15 tanke dhe afërsisht 130 vetë personel ushtarak do t'i bashkohet gjithashtu misionit “Reassurance” duke filluar nga kjo vjeshtë. Të gjitha këto lëvizjet janë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të rritur praninë e saj pranë kufijve të Rusisë në përgjigje të sulmir rus ndaj Ukrainës.

Kujtojmë që në Samitin e NATO-s të qershorit 2022 në Madrid, qeveria kanadeze pat shpallur synimin e saj për të transformuar grupimin taktik në Letoni, në një brigadë të aftë për luftim, por për shkak të problemeve me rekrutimit e personelit dhe furnizimit me municione, zbatimi i këtij projekti është vonuar.

Për të konkretizuar angazhimet e marra vitin e kaluar, ministrja Anand dhe homologu i saj letonez kanë nënshkruar dje (10.07.) një Udhërrëfyes të përbashkët që parashikon tri faza për formimin e brigadës në fjalë e cila do të jetë operacionale me kapacitet të plotë deri në vitin 2026.

Ndërkohe gjatë ditës së djeshme kryeministri Trudeau u takua me disa nga anëtarët e Forcave të Armatosura Kanadeze të dislokuar në Letoni, ndërsa sot (11.07.) ai do të udhëtojë për në Vilnius të Lituanisë ku do të nisë punimet Samiti i Aleancës Atlantike. Anëtarësimi i Suedisë dhe Ukrainës në NATO, çështja e municioneve thërrmuese dhe shpenzimet ushtarake, janë temat që do të jenë në qendër të diskutimeve të këtij takimi.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AFP/Getty Images/Gints Ivuskans