Java Kanadeze - Lajme shkurt 16 korrik 2023
- Published in Kanada

Grand Cache - Alberta
-British Columbia, ndihmë nga ushtria për përballimin e mbi 350 zjarreve në pyje
-Alberta, kryeministrja Smith propozon energjinë bërthamorë për reduktimin e ndotjes në sektorin e rërave bituminoze
-Manitoba, punonjësit e shëndetësisë aprovojnë kontratën me qeverinë provinciale
-Nova Scotia, zhvillohen Lojërat e 10-ta autoktone të Amerikës së Veriut
-Québec, ish-spitali Royal Victoria në Montréal mund të shndërrohet në kampus studentor
-Ontario, vendoset afat një vjeçar për rimbursimin e huave që mjekët kanë marrë nga provinca
British Columbia - Ministri federal i Sigurisë Publike dhe Mbrojtjes Civile, Bill Blair deklaroi të premten (14.07.) që provincës British Columbia do t’i ofrohet mbështetje e gjithanshme nga qeveria federale, duke përfshirë dhe forcat ushtarake kanadeze, për ta ndihmuar atë të përballojë qindra zjarret që kanë përfshirë sërish gjithë territorin. Ndihma ushtarake do të konsistojë kryesisht në transportin ajror për evakuimin e banorëve nga zonat e largëta, ndërsa ushtarakët e trajnuar si zjarrfikës do përqëndrohen tek parandalimi i rindezjes së zjarreve në zonat ku ata tashmë janë shuar. Deri dje (15.07.) në mbrëmje, në gjithë territorin e British Columbia numëroheshin gjithsej 372 zjarre aktivë, duke përfshirë 249 që nuk ishin nën kontroll. Në total, 314 nga zjarret aktivë janë shkaktuar nga rrufeja, ndërsa 21 të tillë janë pasojë e aktiviteti njerëzor. Nuk dihen ende shkaqet e 37 zjarreve të tjerë. Ndërkohë, në 13 rajone të provincës janë publikuar urdhra evakuimi.

Alberta - Kryeministrja e provincës Alberta, Danielle Smith, i ka kërkuar ministrit të saj të Energjisë dhe Minierave, Brian Jean, të inkurajojë operatorët e rezervave të rërës bituminoze të eksplorojnë teknologjinë e reaktorëve të vegjel modularë (SMR) për të reduktuar emetimin e gazeve me efekt serë në këtë sektor. Letra që ajo i dërgoi ministrit, e bërë publike të hënën e kaluar (10.07.), kërkon hartimin e rregullave që do të inkurajojnë investimet në teknologjine bërthamore si dhe bashkëpunimin me provincat e tjera dhe qeverinë federale për të eksploruar dhe promovuar më tej teknologjinë e reaktorëve mikro-modularë dhe për t’i hapur rrugën përdorimin të tyre në minierat e rërës bituminoze dhe prodhimin petrokimik. Në një intervistë të marten (11.07.), ministri Brian Jean deklaroi se SMR-të janë pjesë e zgjidhjes për nxjerrjen e naftës dhe gjenerimin e energjisë elektrike në provincë me më pak emetime gazrash, duke pranuar megjithatë se ky propozim nuk ka aprovim unanim dhe duhet të zbatohet në mënyrë të sigurt dhe me leverdi ekonomike. Reaktorët e vegjël modularë janë një gjeneratë e re e reaktorëve bërthamorë, që prodhojnë me nuclear fission energji elektrike deri në 300 megavat. Nga ana e tij, Presidenti i Shoqatës Kanadeze të Energjisë Bërthamore, John Gorman, ka pohuar për Radio-Canada se këta reaktorë janë një potencial i madh për kompanitë e rërës bituminoze. Ato mund t’i përdorin SMR për të prodhuar avull dhe kësisoj mund të prodhojnë naftë pa gjeneruar gazra me efekt serë.

Manitoba - Pas 15 muajsh negociata, anëtarët e Sindikatës së Profesionistëve të Kujdesit Shëndetësor në provincën Manitoba (MAHCP) kanë votuar pro një kontrate të re kolektive me qeverinë, ndërkohë që kishin 5 vite pa kontratë. Sindikata që ka më shumë se 6,500 anëtarë, e bëri lajmin publik të premten (14.07.). Anëtarët e saj janë të punësuar nga tre institucione, përfshirë dhe Manitoba Health. Marrëveshja parashikon rritje pagash prej 8.35% nga viti 2018 në 2023, gjë që sindikata pohoi se është në përputhje me marrëveshjet e tjera të miratuara në sektorin e kujdesit shëndetësor. Viti i fundit i rritjes së përgjithshme të pagave do t'i nënshtrohet arbitrazhit dhe do të përfshijë një rritje të garantuar të pagës minimale prej 2% për vitin 2023. Pas përfundimit të negociatave në fillim të kësaj jave, Shared Health konfirmoi po ashtu të premten (14.07.) se të gjithë sektorët e kujdesit shëndetësor në Manitoba, me më shumë se 56,000 punonjës, tani kanë kontrata kolektive të miratuara. Bisedimet u vonuan për shkak të ristrukturimit dhe konsolidimit të më shumë se 200 kontratave kolektive në gjithsej 36, shtoi Shared Care, që theksoi se ky numër i reduktuar është më i menaxhueshëm dhe e lehtëson procesin e negociatave në të ardhmen.

Nova Scotia - Nga dje (15.07.) dhe deri më datën 23 korrik, më shumë se 5,000 atletë do të garojnë në Lojërat e 10-ta Autoktone të Amerikës së Veriut (North American Indigenous Games - NAIG) që po zhvillohen sivjet në provincën Nova Scotia. Përveç garave, komiteti organizator synon të promovojë edhe gjuhët dhe kulturat autoktone. Kryetari i NAIG 2023, George Tex Marshall, është anëtar i komuniteti autokton Eskasoni në Nova Scotia. Ai ka ëndërruar prej më shumë se dy dekadash ta organizonte këtë aktivitet në Halifax. Sipas tij, kjo është një mundësi e pakrahasueshme për të promovuar kulturën e popujve të Amerikës së Veriut. “Ne i kemi vënë vetes objektivin që eventi të përbëhet 50% nga kultura dhe 50% nga garat sportive dhe do t'i qëndrojmë besnikë angazhimit tonë”, ka deklaruar ai për CBC. Në parkun Halifax Commons është ngritur gjithashtu një fshat kulturor autokton ku tregtarë dhe artizanë nga provinca e Nova Scotia dhe nga i gjithë kontinenti do kenë mundësi të shesin produktet e tyre. Ndërkohë, sipas programit, shefi i njohur i kuzhinës Ray Bear do të ofrojë një demonstrim të gatimeve tradicionale autoktone. Është planifikuar gjithashtu një prezantim mbi mjekësinë tradicionale nga etnobotanisti dhe profesori Mi'kmaq në Universitetin e Cape Breton, Tuma Young.

Québec - Gjashtë ndërtesat e ish-Spitalit Royal Victoria në Montréal mund të shndërrohen në ambiente strehimi për studentët. Kështu, metropoli frankofon mund të bëhet me një qytet universitar ndërkombëtar si ata që ekzistojnë gjetkë në botë, veçanërisht në Paris. I gjendur në anë të Mont-Royal, spitali i vjetër ka rreth dhjetë vjet që nuk përdoret, me përjashtim të vendosjes së shtretërve të urgjencës për të pastrehët gjatë pandemisë. Projekti i konvertimit mund të krijojë 1000 njësi banimi për studentë kanadezë dhe të huaj, në një periudhë kur industria e ndërtimit po përpiqet të përmbushë nevojat për strehim. E mandatuar nga qeveria, Caisse de dépôt et placement du Québec (CDPQ) ia ka besuar grupit Ivanhoé Cambridge misionin e analizës së fizibilitetit të projektit, që mendohet të përfundojë deri në vitin 2030. Edhe pse projekti aktualisht është vetëm në fazë analize, përfaqësues të Bashkisë Montréal janë shprehur entuziastë për mundësinë e krijimit të një kampusi të ri universitar në qytet. Anëtari i këshillit bashkiak dhe përgjegjës për planifikimin urban në Komitetin Ekzekutiv të Montréal-it, Robert Beaudry, deklaroi për Radio-Canada se e sheh me shumë pozitivitet mundësinë e konvertimit të ish-spitalit në qendër strehimi studentore, sepse rezidencat aktuale studentore nuk janë më të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat në rritje. Deri në shkurt të vitit 2024 Ivanhoé Cambridge duhet të vendosë për parametrat financiarë që do ta lejojnë këtë projekt të ketë sukses apo jo.

Ontario - Sipas një njoftimi zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë të Ontario-s, mjekët që morën hua gjatë pandemisë për të mbuluar rritjen e kostove dhe të ardhurat e reduktuara për shkak të uljes së numrit të pacientëve, tani do kenë një afat një vjetor për të shlyer kredinë e tyre. Ishte qeveria e Ontario-s që krijoi Programin e Parapagimeve për COVID-19 në prill 2020 pikërisht për të mbështetur mjekët. Qysh atëherë, ajo u ka dhënë atyre 660 milionë dollarë hua pa interes dhe tani kërkon t’i rimbursohet kjo shumë. Tashmë provincës i janë rimbursuar 139 milionë dollarë dhe sipas njoftimi zyrtar të qeverisë, 521 milionë dollarët e mbetur janë shumë të rëndësishëm për t’u investuar në rritjen e aksesit në kujdesin parësor, kujdesin në shtëpi dhe shërbimet e dedikuara të shëndetit mendor. Ministria e Shëndetësisë do t’i zbresë shumat që i detyrohen drejtpërdrejt nga paga mujore e mjekëve që paguhet përmes sistemit të pagesave OHIP.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












