Kanada: Ish-oficeri i RCMP William Majcher akuzohet për veprime në favor të ndërhyrjes kineze
- Published in Kanada
Të gjitha mediat kryesore kanadeze kanë raportuar sot (21.07.) lajmin e bujshëm që një ish-oficer (tashmë në pension) i Policisë Federale Kanadeze (RCMP), është vënë nën akuzë dhe dyshohet së ka transmetuar informacion dhe përdorur shërbimet kanadeze për të favorizuar ndërhyrjen e Kinës në punët e brendshme të Kanadasë.
Sipas deklaratës zyrtare të RCMP, 60-vjeçari William Majcher, aktualisht rezident në Hong Kong, u paraqit sot paradite me videokonferencë para gjykatës së rajonit administrativ Longueuil (Québec). Atij i janë komunikuar dhe dy akuzat me të cilat do të përballet, konkretisht kryerja e veprimeve përgatitore në emër të një subjekti të huaj dhe komplot.
Njëkohësisht, bëhet e ditur se William Majcher ka qenë nën hetim prej RCMP qysh nga vjeshta e vitit 2021 dhe ndër të tjera, ka përdorur njohuritë që posedonte dhe rrjetin e gjerë të kontakteve për të marrë informacione dhe shërbime në favor të Kinës. Ai gjithashtu dyshohet se ka favorizuar përpjekjet e qeverisë kineze për të identifikuar dhe frikësuar një individ. Ndërkohë, nuk është përcaktuar ende nëse veprimet e tij kanë lidhje me ndonjë aspekt politik.
Kush është William Majcher?
Sipas inspektorit të Policisë Federale Kanadeze, David Beaudoin, të cilit i është referuar Radio-Canada në lajmin e sotëm, William Majcher ka punuar për RCMP nga viti 1985 deri në 2007, në provincën British Columbia. Gjatë viteve në radhët e RCMP, ai ka kryer shërbime patrullimi si dhe ka marrë pjesë edhe në operacionet e policisë federale në luftën kundër trafikut të narkotikëve dhe krimit financiar.
Pas daljes në pension në vitin 2007, William Majcher u zhvendos me rezidencë në Hong Kong. Siç dëshmohet edhe nga profili i tij në LinkedIn, në Hong Kong ai u angazhua me kompani të ndryshme të sigurisë kibernetike dhe rikuperimit të fondeve. Ekspertizën e tij në këtë fushë ai e ka fituar gjatë karrierës së tij në RCMP.
Sipas informacionit të publikuar deri tani, periudha kur Majcher i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet është janar 2014 - janar 2019. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Vancouver, ku dhe u arrestua para disa ditësh. Vazhdimi i procedimit ligjor ndaj tij është caktuar të marten 25 korrik 2023.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada












