Java Kanadeze - Lajme shkurt 23 korrik 2023
- Published in Kanada

Montmorrency Falls - Québec
-British Columbia, 500 zjarrfikës nga jashtë si ndihmë për përballimin e zjarreve në pyje
-Alberta, Calgary do jetë qyteti mikpritës i Lojërave Autoktone të Amerikës së Veriut më 2027
-Manitoba, 2500 amatorë të volejbollit marrin pjesë në turneun Super-Spike në Winnipeg
-Nova Scotia, rreshjet rekord shkaktojnë 4 viktima dhe detyrojnë qeverinë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme
-Ontario, Doug Ford dhe Olivia Chow i kërkojnë Ottawa të thjeshtojë procesin e integrimit të azilkërkuesve në tregun e punës
British Columbia - Një zjarr në pyll prej më shumë se 25 kilometra katrorë ka shkaktuar të premten (21.07.) mbylljen e autostradës 20 në lindje të Bella Coola, në provincën British Columbia. Zjarri i Yong Creek, i ndodhur rreth 35 kilometra në perëndim të komunitetit Anahim Lake, u intensifikua për shkak të kushteve të motit të nxehtë, lagështirës dhe erërave të forta. Njoftimi për mbylljen e rrugës u bë vetëm disa orë pasi Distrikti Cariboo urdhëroi banorët që jetojnë në zonën e vet prej 43 kilometrash katrorë të evakuoheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Së fundi, në provincë mbërritën dhe rreth 100 zjarrfikës nga Brazili, për t’iu bashkuar përpjekjeve për përballimin e 460 zjarreve që janë ende aktivë në pyjet e British Columbia. Nga këto zjarre, deri dje (22.07.) 275 vazhdonit të ishin jashtë kontrollit dhe në fuqi janë ende 85 urdhra evakuimi dhe alarmi. BC Wildfire ka konfirmuar se aktualisht në provincë ndodhen 500 zjarrfikës të ardhur nga jashtë Kanadasë, të cilët po ndihmojnë stafin provincial prej rreth 2000 vetësh si dhe pjestarët e Forcave të Armatosur Kanadeze të dërguar nga qeveria federale.

Alberta - Bëhet e ditur se qyteti Calgary në Alberta është përzgjedhur përfundimisht të jetë mikpritësi i North American Indigenous Games (NAIG) në vitin 2027. Njoftimi zyrtar u dha gjatë ceremonisë së mbylljes të Lojërave 2023 në Halifax (Nova Scotia) të premten (21.07.). Cindy Ady, presidente e Tourism Calgary, deklaroi se vendimi i Këshillit të NAIG është një lajm i shkëlqyer për qytetin, ndërsa kryetarja e bashkisë Calgary, Jyoti Gondek, konfirmoi angazhimin e institucionit që ajo drejton, që kjo festë njëjavore e sportit dhe kulturës autoktone të jetë sa më e suksesshme dhe gjithpërfshirëse. Oferta ndaj Këshillit të NAIG u përgatit nga Tourism Calgary në bashkëpunim me komunitetin Tsuut'ina, komunitete të tjerë autoktonë, bashkinë Calgary, partnerë lokalë nga fusha e biznesit si dhe u miratua nga Komiteti i Sporteve Autoktonë të Alberta-s. Oferta zyrtare u dorëzua në mars 2023. Me pas, një vizitë në terren nga anëtarët e Këshillit të Lojërave Autoktone të Amerikës së Veriut u zhvillua në muajin prill. Lojërat e vitit 2027 pritet të kushtojnë rreth 15-20 milionë dollarë dhe parashikohet të gjenerojnë rreth 40 milionë dollarë të ardhura.

Manitoba - Të premten dhe të shtunën (21-22.07.) në Winnipeg të Manitoba u zhvillua Turneu i Volejbollit Super-Spike, garë në të cilën morën pjesë më shumë se 2500 volejbollistë, amatorë dhe profesionistë të këtij sporti. Aktiviteti u zhvillua në Maple Grove Park dhe aty konkurruan gjithsej 330 ekipe me emra nga më të larmishmit. Turneu i volejbollit Super-Spike u organizua gjithashtu për të mbledhur fonde në favor të tri organizatave jofitimprurëse, Volleyball Manitoba, United Way Winnipeg dhe Shinetoba. Organizatorët synonin të grumbullonin një shumë nga 50,000 deri në 100,000 dollarë për të luftuar varfërinë si dhe për të financuar kërkimet mbi fibrozën çistike. Gjatë dy ditëve të aktivitetit performuan gjithashtu edhe disa grupe artistësh.

Nova Scotia - Rreshje të shumta dhe të furishme deri në 300mm kanë përfshirë pardje dhe dje (21-22.07.) provincën Nova Scotia. Një numër shtëpish janë përmbytur, shumë rrugë u bënë të pakalueshme apo u dëmtuan, disa lokalitete janë evakuuar si dhe janë shkaktuar dhe dëme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërkohë, katër persona rezultojnë të zhdukur. Në këtë situatë të konsideruar si “përmbytje historike”, qeveria e Nova Scotia shpalli mbrëmë (22.07.) gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë provincën. Vendimi u mor për të siguruar mbrojtje në të gjithë territori pasi stuhia ishte ende aktive. Gjendja e jashtëzakonshme do të kufizojë lëvizjet në zonat e dëmtuara më rëndë dhe do të bëjë efektiv përdorimin e burimeve njerëzore dhe materiale për përballimin e situatës dhe rimëkëmbjen. Ajo gjithashtu do të lehtësojë riparimin e koordinuar të infrastrukturës kritike të dëmtuar. “Kjo është një situatë shumë e rëndë. Përmbytjet ishin të shpejta dhe me një forcë të madhe shkatërruese, ndaj dhe ne po ndërmarrim veprime energjike për të mbrojtur qytetarët e provincës”, deklaroi John Lohr, ministër përgjegjës për Menaxhimin Emergjencave. Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi për 14 ditë, deri më 5 gusht. Zonat më të goditura vazhdojnë të jenë East dhe West Hants, Bashkia Rajonale Halifax dhe rajonet Lunenburg dhe Queens. Qeveria federale gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të asistuar provincën Nova Scotia për përballimin e situatës.

Ontario - Mijëra vende pune duhet ende të plotësohen me fuqi punëtore në Ontario. Pikërisht për këtë arsye, kryeministri Doug Ford dhe kryetarja e re e bashkisë Toronto, Olivia Chow, synojnë që azilkërkuesit në provincë të hyjnë shpejt në tregun e punës, por sipas tyre, duket se procesi është akoma i komplikuar për shkak të vonesave burokratike federale. “Një nga mënyrat më të mira për të mbështetur refugjatët dhe azilkërkuesit është t'i ndihmojmë ata të gjejnë punë”, kanë pohuar Ford dhe Chow të mërkurën e kaluar (19.07.) në një deklaratë të përbashkët drejtuar qeverisë Trudeau. Kryeministri dhe kryebashkiakja i kërkuan Ottawa të përshpejtojë plotësimin e dokumentacionit nga azilkërkuesit. Përpara se të punësohen, ata duhet të pajisen me leje pune, një proces që kalon në disa faza. Sipas Loly Rico, drejtore ekzekutive e Qendrës së Refugjatëve FCJ në Toronto, marrja e një leje pune mund të zgjasë tre deri në katër muaj, edhe pse nuk është më kusht që të pritet përgjigja e intervistës së pranimit ose jo të shqyrtimit të kërkesës për azil. Nga ana tjetër, azilkërkuesit nuk kanë qasje në aq shumë programe të lidhura me punësimin sa refugjatët e sponsorizuar nga qeveria federale.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada












