Kanada

Kanada - Ministrja e Financave Freeland refuzon t'i japë më shumë fonde Torontos

  • Published in Kanada

Ministrja federale kanadeze e Financave, Chrystia Freeland, njëkohësisht dhe numri dy i qeverisë Liberale të kryeministrit Justin Trudeau, ka refuzuar kërkesën e kryetares së sapozgjedhur të Bashkisë Toronto, Olivia Chow, për fonde shtesë, në ndihmë të eliminimit të deficitit buxhetor të metropolit. Këshilla e Chrystia Freeland në adresë të Chow është, që kjo e fundit duhet t’i drejtohet për ndihmë qeverisë provinciale të Doug Ford dhe jo Ottawa-s.

Lajmin e ka bërë të ditur fillimisht agjencia The Canadian Press, sipas të cilës, në një letër zyrtare prej më shumë se dy faqesh adresuar kryetares se re të Bashkisë Toronto, ministrja Freeland ka insistuar të kujtojë se është qeveria e Ontarios e cila ka përgjegjësinë kushtetuese dhe aftësinë financiare për të ndihmuar Toronton të kompensojë deficitin buxhetor. “Ne presim me vendosmëri që ajo ta bëjë këtë”, ka shkruar kreu i Financave të Kanadasë. Nga ana e saj, administrata e bashkisë së metropolit, vlerëson se pa ndihmë financiare shtesë, buxhetit të qytetit do t’i mungojnë 927 milionë dollarë.

Në letrën e saj, ministrja i Financave ka kujtuar se Ottawa do t'i paguajë Torontos 1.86 miliardë dollarë gjatë vitit fiskal aktual si dhe ka renditur projektet dhe programet që qeveria federale mbështet dhe ka mbështetur gjatë viteve të fundit, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës dhe ndihmën ndaj Torontos që të përballet me pandeminë. “Aftësia e qeverisë federale për të shpenzuar nuk është e pafundme dhe mbështetja emergjente që kemi dhënë gjatë pandemisë ka ndikuar drejtpërdrejt në pozitën e shkëlqyer fiskale që ka aktualisht provinca e Ontario-s”, lexohet ndër të tjera në letër. Ndërkohë, Drejtori i Zyrës së Përgjegjshmërisë Financiare të Ontario-s parashikon se provinca do të ketë një tepricë prej 10.6 miliardë dollarë deri në vitin fiskal 2025-2026, pra shumë më tepër se 4.4 miliardët e llogaritur paraprakisht nga qeveria e Doug Ford.

Në një deklaratë me shkrim, kryetarja e bashkisë Toronto, Olivia Chow. ka theksuar se që kur ka marrë detyrën në fillim të korrikut, “provinca ka shprehur dëshirën për partneritet me qytetin e Torontos. Mbetem me shpresë se edhe qeveria federale do të na bashkohet”. Ajo vë në dukje, ndër të tjera, se fryma e bashkëpunimit i ka mundësuar qytetit të marrë fonde shtesë për strehimin e azilkërkuesve. Qeveria federale njoftoi javën e kaluar dhënien e 97 milionë dollarëve shtesë Torontos, që nuk po arrin t’i strehojë të gjithë refugjatët, numri i të cilëve në metropol sa vjen e rritet. “Ky është lloji i partneritetit të vazhdueshëm që na duhet për të qenë në gjendje të ofrojmë strehim të përballueshëm, transport publik në nivel bashkëkohor si dhe shërbime publike në përputhje më pritshmërinë e qytetarëve gjatë viteve në vijim”, përfundon deklarat e Chow në përgjigje të letrës së ministers Chrystia Freeland.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Alex Lupul; The Canadian Press/Justin Tang