Kanada - Lirohet me kusht ish-oficeri i RCMP i akuzuar në lidhje me ndërhyrjen kineze
- Published in Kanada

William Majcher, ish-oficeri i Policisë Federale Kanadeze (RCMP) i akuzuar në lidhje me aferën e ndërhyrjes kineze në punët e brendshme të Kanadasë, u lirua sot (25.07.) me kusht nga një gjykatës i Gjykatës Provinciale të Québec.
Ai komunikoi shkurtimisht me telefon nga një burg në British Columbia, sepse disa probleme teknike e penguan lidhjen e tij me videokonferencë, për shkak se sistemet e përdorur nga organet ligjzbatuese të British Columbia dhe Québec nuk janë kompatibël.
Të dy palët kanë rënë dakord për kushtet e lirimit si më poshtë:
1. Depozitim i një shume prej 50,000 dollarësh nga William Majcher dhe i një shume tjetër prej 200,000 dollarësh nga dy persona garantorë, që do të sekuestrohen nëse i pandehuri largohet nga Kanadaja për t’u shpëtuar organeve ligjzbatuese.
2. Dorëzim i pasaportës së William Majcher në Gjykatë dhe ndalim i daljes së tij nga Kanadaja.
3. Arrest shtepiak.
4. Për çdo ndryshim të adresës duhet njoftuar paraprakisht RCMP.
5. Paraqitje sërish para gjykatës më 29 gusht 2023.
Gjatë gjithë periudhës së procedurave ligjore, William Majcher do të qëndrojë në Vancouver. Derisa gjykata të vendosë ndryshe, ai nuk do të mund të largohet nga Kanadaja, edhe pse rezidenca e tij është në Hong Kong.
Ai akuzohet konkretisht për dy vepra penale: kryerjen e veprimeve përgatitore në emër të një subjekti të huaj dhe komplot. Majcher ka qenë nën hetim nga RCMP qysh nga vjeshta e vitit 2021.
Portreti i William Majcher
William Majcher shërbeu në radhët e RCMP nga 1985 deri në 2007 në British Columbia.
Ai ka kryer shërbime patrullimi si dhe ka marrë pjesë në operacionet e policisë federale në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit financiar.
Pas largimit nga RCMP, ku thuhet se kishte mosmarrveshje me drejtuesit, ai u transferua në Hong Kong.
Më pas, siç dëshmohet nga profili i tij në LinkedIn, ai ka bashkëpunuar me kompani të ndryshme të sigurisë kibernetike dhe rikuperimit të fondeve.
Ai e ka fituar ekspertizën në këto fusha gjatë karrierës së tij në Policinë Federale Kanadeze.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: LinkedIn