Kanada

Kanadaja mund Irlandën dhe arrin fitoren e parë në Botërorin e futbollit për femra

  • Published in Kanada

Prej datës 20 korrik ka nisur në Australi dhe Zelandën e Re edicioni i 9-të i Kampionatit Botëror të Futbollit për femra, kompeticion që do të mbyllet me finalen e 20 gushtit. Në këtë Botëror marrin pjesë 32 ekipe të ndarë në 8 grupe, mes të cilëve dhe Kanadaja, kampione olimpike në fuqi, që drejtohet nga trajnerja Bev Priesman.

Pas barazimit zhgënjyes 0-0 në ndeshjen e parë me Nigerinë të enjten e kaluar, kur u çel sipari i kampionatit, ekipi kombëtar kanadez më në fund ka arritur dje (26.07.) të sigurojë fitoren e parë, duke mundur Irlandën me rezultatin 2-1 dhe me 4 pikët e grumbulluara renditet për momentin në vendin e parë në grupin B, ku bën pjesë dhe Australia. Kjo e fundit do të ndeshet sot në Brisbane me Nigerinë. Nëse australianet fitojnë, ato sigurojnë kualifikimin për në fazën tjetër, ndërsa Irlanda pas dy humbjeve radhazi është eliminuar përfundimisht.

Takimi i dytë i kanadezeve, që u luajt një pjesë të kohës nën një shi të rrëmbyeshëm dhe u shoqërua me brohorimat e tifozëve të shumtë irlandezë, filloi keq. Katie McCabe i kaloi irlandezet në epërsi qysh në minutën e 4-të duke realizuar një gol spektakolar direkt nga goditja këndore, duke nuhatur daljen e avancuar të portieres Kailen Sheridan. Pas përpjekjeve të njëpasnjëshme, kanadezet arritën ta barazojnë rezultatin në fund të pjesës së parë duke i ndihur dhe fati, kur Megan Connolly devijoi aksidentalisht drejt portës irlandeze një krosim të Megan Grosso.

Në pjesën e dytë, u aktivizua për herë të parë dhe kapitenia legjendare Christine Sinclair, e cila për shkak të një dëmtimi muskulor nuk luajti në ndeshjen me Nigerinë. Për t’i dhënë një impuls maksimal ndeshjes, trajnerja Priestman aktivizoi qysh në fillim të kësaj pjese edhe Sophie Schmidt dhe Shelina Zadorsky. Numri total i takimeve ndërkombëtare të luajtura nga Sinclair, Schmidt dhe Zadorsky arriti dje shifrën 636.

Bev Priesman

Këto tre ndryshime dhanë menjëherë rezultate dhe kanadezet ofruan një lojë shumë më të frymëzuar në sulm. Ishte sulmuesja Adriana Leon e cila realizoi golin e fitores për Kanadanë, pas një pasi të marrë në qendër të zonës kundërshtare, ku mes dy mbrojtëseve irlandeze arriti ta drejtojë me gjakftohtësi topin drejt rrjetës. “Është një ndjenjë e pabesueshme të shënosh një gol të parë në Kupën e Botës, shpresoj se do të ketë shumë të tjerë”, deklaroi ajo pas ndeshjes.

Ekipi kombëtar kanadez do ta përfundojë fazën e grupeve të hënën e ardhshme me takimin kundër ekipit australian. Rezultati i kësaj ndeshje pritet të jetë përcaktues për skuadrën që do të sigurojë vendin e parë në Grupin B.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Colin Murty/AFP/Getty Images; Soccer Canada;