Kanada

Nga 1 janar 2024 leje-hyrje për shtetasit kanadezë në 30 shtete të Europës

  • Published in Kanada

Nga viti 2024, shtetasit kanadezë dhe veçanërisht ata që do shkojnë në Europë si turistë, para se të udhëtojnë do duhet të kryejnë një formalitet të ri. Më konkretisht, bëhet fjalë për pajisjen paraprake me një leje nga sistemi ETIAS, European Travel Information and Authorisation System, për të gjitha qëndrimet afatshkurtra në 30 vende të zonës Schengen.

ETIAS do t’i lejojë udhëtarët të vizitojnë këto shtete deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Autoritetet që administrojnë këtë sistem kanë sqaruar se nuk bëhet fjalë për pajisje me vizë. “Bëhet fjalë për një autorizim udhëtimi për shtetasit e vendeve jashtë BE, të cilët janë të përjashtuar nga detyrimi për t’u pajisur me viza”, lexohet në faqen e internetit të Bashkimit Europian.

Komisioni Europian e ka krijuar sistemin e autorizimit ETIAS për arsye sigurie, për të forcuar kufijtë e jashtëm të kontinentit europian dhe për të shmangur të gjitha kërcënimet e mundshme.

Megjithatë, Kanadaja nuk është i vetmi vend i prekur nga kjo politikë e re e BE. Vizitorë nga 60 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Meksikën, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Japoninë, do duhet ta përmbushin këtë detyrim të ri qysh nga 1 janari 2024.

Leja e re do të kushtojë shtatë euro, ose afërsisht 10.25 dollarë kanadezë dhe do mund të merret përmes faqes në internet të ETIAS ose aplikacionit përkatës të shkarkuar në telefonin celular.

Një kategori e caktuar personash nuk do të kenë nevojë ta paguajnë tarifën. Udhëtarët nën moshën 18 vjeç dhe udhëtarët mbi 70 vjeç janë të përjashtuar nga ky detyrim. Po kështu edhe anëtarët e familjes së një qytetari të BE apo një qytetari të një shteti europian jo nga BE, por që ka të drejtë të lëvizë lirisht në hapësirën e BE.

Pasi të merret leja, ajo do të jetë e vlefshme deri në tre vjet, por nëse pasaporta skadon duhet aplikuar sërish.

Sips faqes së internetit të BE, shumica e kërkesave do trajtohen brenda pak minutash, por po aty parlajmërohet megjithatë që në raste të caktuara përpunimi mund të zgjasë deri në 30 ditë.

Me pak fjalë, aplikanti për leje duhet së pari të vizitojë vendin e parë që shfaqet në aplikimin e tij për t’u pranuar në zonën Schengen. Më pas, ai do të mund të udhëtojë atje pa pasur nevojë të aplikojë për leje për secilin nga vendet e vizituara, për një periudhë 90 ditore.

Ja dhe lista e 30 vendeve në fjalë:

Gjermania, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Spanja, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia dhe Zvicra.

© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press