Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 30 korrik 2023

  • Published in Kanada

 

Treni i ri elektrik i telekomanduar i Rrjetit Ekspres Metropolitan (REM) - Montréal

 

-British Columbia, zbulohet në Victoria një vendbanim autokton mbi 1000 vjeçar

-Alberta, zjarret në pyje kanë ndikuar negativisht mbi sektorin energjitik

-Manitoba, zhvillohen në Winnipeg Lojërat Botërore të Policisë dhe Zjarrifikësve

-Nova Scotia, pas përmbytjeve të fundit reklamohet një sistem kombëtar paralajmërimi të shpejtë

-Québec, inaugurohet në Montréal faza e parë e Rrjetit Ekspres Metropolitan (REM)

-Ontario, kryetarja e Bashkisë Toronto Olivia Chow u kërkon falje azilkërkuesve

 

British Columbia - Në një park në periferi të Victoria-s në ishullin Vancouver, studentë të programit të Antropologjisë pranë Victoria University dhe pjestarë të komuniteteve autoktonë Saanich, kanë zbuluar ditët e fundit rrënojat e një vendbanimi të paktën njëmijë vjeçar të quajtur ȾEL IȽĆE (shqiptohet Tsel-eech). Gjate gërmimeve në parkun Agate janë gjetur artefakte të shumta. Bëhet fjalë për vatra, mjete si fuzhnjë dhe thika peshku me rrasa, si dhe shumë gjurmë ushqimesh të ndryshme: dreri, molusqesh dhe shumë lloje peshqish. “Imagjinoni një komunitet aktiv prej 200 deri në 250 njerëz që jetojnë në shtëpitë klasike të Coast Salish”, tha për CBC profesori i Antropologjisë pranë Victoria University, Brian Thom, i cili drejtoi projektin. Vendndodhja e gërmimeve u përcaktua përmes një radari depërtues në tokë, të përdorur nga një ekspert nga Washington State University. Ai analizoi të gjithë parqet përgjatë vijës bregdetare të zonës dhe detektoi shumë shenja në parkun Agate. Sipas datimit të karbonit 14, artefaktet e zbuluara pas gërmimeve rreth një metër nën sipërfaqen e tokës janë të paktën njëmijë vjeçare. Disa rrënoja të tjera të vendbanimit ȾEL IȽĆE, të cilat ende nuk janë zbuluar, duket se gjenden të varrosura më shumë se nën një metër thellësi dhe mendohet se mund të jenë edhe më të vjetra.

Alberta - Sipas Statistics Canada, zjarret që përfshinë pyjet dhe pjesë të territorit të provincës Alberta në muajin maj, kanë shkaktuar rënien më të madhe të prodhimit të naftës dhe gazit që nga periudha e pandemisë. Të dhënat e publikuara të premten e kaluar (28.07.) tregojnë se sektori i energjitikës në tërësi ra 2.1% në maj. “Ishte rënia e parë në pesë muaj dhe më e pjerrëta që nga gushti 2020”, ka pohuar agjencia federale e statistikave. Zjarret kanë influencuar në mënyrë specifike prodhimin konvencional të naftës dhe gazit natyror, i cili ra me 6.6% në maj. “Ky është një ndikim mjaft domethënës”, ka deklaruar për Radio-Canada kryeekonomisti i bankës ATB, Mark Parsons. “Lajmi i mirë është se ndikimi është kryesisht i përkohshëm dhe prodhimi i naftës dhe gazit pritet të rritet në muajt në vijim”. Të paktën një duzinë kompanish u detyruan të ndalonin prodhimin në qendër të Alberta-s perëndimore kur provinca u përball njëkohësisht me rreth 100 zjarre aktivë. Megjithatë, shumica e bizneseve rifilluan punën normale në qershor dhe nuk pësuan dëmtime të mëdha. Statistics Canada vëren gjithashtu se sipas vlerësimeve të saj paraprake për qershorin, rritja e vërejtur në nxjerrjen e naftës dhe gazit e kompensoi pjesërisht rënien e regjistruar në maj. Ndikimi është gjithashtu i vogël në krahasim me efektet që pat shkaktuar zjarri i Fort McMurray. Deri në maj 2016, aktiviteti në sektorin e energjitikës pat rënë me 15%, duke bërë që rritja ekonomike e Albertës të binte me 0,5%. Zjarri i Fort McMurray ndërpreu dhe operacionet e kompanive të rërës bituminoze, nga e cila realizohet më shumë se 80% e prodhimit të naftës në Alberta.

Manitoba - Mijëra sportistë amatorë nga e gjithë bota ndodhen prej disa ditësh në Winnipeg për të garuar në Lojërat Botërore të Policisë dhe Zjarrfikësve. Përveç spektaklit sportiv, organizatorët e eventit presin edhe përfitime ekonomike për kryeqytetin e provincës Manitoba. Lojërat nisën të premten (28.07.) në mbrëmje me ceremonitë e hapjes, ku u zhvillua një paradë në rrugën që lidh RBC Convention Center me Canada Life Center. Më shumë se 8,500 vetë nga 70 vende, përfshi sportistë, gjyqtarë dhe familjet e tyre, marrin pjesë në veprimtari. Garat e para janë zhvilluar që në mëngjesin e djeshëm (29.07.). Pjesëmarrësit, do të konkurrojnë në më shumë se 60 sporte, duke përfshirë disa disiplina olimpike. “Është një mundësi për të përfaqësuar vendin tënd, për të mbrojtur ngjyrat e tua, edhe nëse nuk je sportist profesionist. Është një shans i shkëlqyer për të udhëtuar dhe për të ushtruar sport”, ka pohuar për Radio-Canada, Jérôme Silver, një polic nga Franca, i cili do të marrë marrë pjesë në garën e karatesë nesër (31.07.). Komiteti organizator në Winnipeg ka parashikuar që Lojërat Botërore të Policisë dhe Zjarrfikësve do të gjenerojnë rreth 85 milionë dollarë për ekonominë lokale.

Nova Scotia - Një ish-meteorolog i Environment Canada nga Nova-Scotia, ka ripërsëritur apelin e tij për krijimin e një sistemi kombëtar për të paralajmëruar qytetarët për rrezikun e përmbytjeve të shpejta, si ato që shaktuan viktima në këtë provincë javën e kaluar. Më 21 korrik, në disa zona të saj bregdetare ranë rreth 250 milimetra shi në një kohë shumë të shkurtër duke shkaktuan përmbytje të shpejta që lanë të vdekur tre persona dhe një të humbur, pa përmendur dëmet materiale. Jim Abraham, një meteorolog në pension dhe ish-drejtuesi i parë i Qendrës Kanadeze të Uraganeve, ka bindjen se agjencia federale ku ai punoi për 36 vjet, duhet ta marrë nën përgjegjësinë e vet sistemin e informacionit për përmbytjet e shpejta në vend dhe jo t'ua lërë provincave dhe bashkive detyrën që të paralajmërojnë publikun. “Environment Canada është tashmë përgjegjëse për buletinet speciale dhe paralajmërimet për shi, borë ose akull, pra agjencia federale është e pajisur mirë për të vepruar në rast të një përmbytjeje të shpejtë”, i ka deklaruar CBC Abraham. Disa provinca që përjetojnë rregullisht përmbytje, për shembull në pranverë, kanë prej kohësh programet e tyre të reagimit, duke përfshirë Quebéc dhe Ontario, ndërkohë që Nova Scotia nuk e ka një të tillë. Sipas Jim Abraham, “një sistem i standardizuar në të gjithë vendin do të shërbente për të mbrojtur më mirë publikun”. Shtetet e Bashkuara e kanë një sistem të tillë kombëtar që nga vitet 1950. Qëllimi i programit është të paralajmërojë qytetarët më shumë se një orë përpara për rrezikun e përmbytjeve të shpejta.

Québec - Pas shtatë vitesh pritje, shtyrjesh të shumta të afatit dhe një buxheti të shpenzuar shumë më lart se parashikimi, që nuk është deklaruar ende, e premtja (28.07.) ishte një ditë e veçantë për projektuesit, zbatuesit dhe përdoruesit e ardhshëm të Rrjetit Metropolitan Express (REM) të Montréal-it. Më në fund u inagurua seksioni i parë i projektit, një linjë treni elektrik që lidh Bregun Jugor nga Brossard me Stacionin Qendror në Montréal. Të pranishëm në inaugurim ishin shumë përfaqësues të klasës politike, përfshi kryeministrin federal Trudeau, atë të Québec, Legault dhe kryetaren e Bashkisë Montréal, Valérie Plante. Projekti REM parashikon ndërtimin e një rrjeti total prej 26 stacionesh që do të lidhë mbi 67 kilometra dhe në të njëjtën kohë qendrën e Montréal, Bregun Jugor, pjesën perëndimore të ishullit, Bregun Verior dhe Aeroportin Ndërkombëtar Pierre-Elliott-Trudeau. Rrjeti do të lidhet edhe me tre linjat e metrosë portokalli, jeshile dhe blu. Të kontrolluar nga distanca, domethënë pa drejtues, trenat REM do të jenë në shërbim shtatë ditë në javë, 20 orë në ditë, nga afërsisht 5:30 e mëngjesit deri në 1:30 pas mesnate. Seksioni i parë prej 16,6 kilometrash që u inaugurua të premten ka pesë stacione, nga jugu në veri: Brossard, Quartier, Panama, Île-des-Sœurs dhe Stacioni Qendror. Udhëtimi në këtë distancë zgjat gjithsej 18 minuta. Është planifikuar gjithashtu ndërtimi i një stacioni të gjashtë në minibashkinë South-Ouest, me emrin Griffintown-Bernard Landry. Faza tjetër e projektit parashikon venien në funksionim të të gjitha stacioneve në rrjet deri në fund të vitit 2024, me përjashtim të stacionit të aeroportit Montréal-Trudeau, që parashikohet të jetë gati në vitin 2027. Qytetarë të shumte janë ftuar të udhëtojnë falas në fundjavë më trenat e rinj të REM (prodhim i Alstom) ndersa nga nesër (31.07.) do të nisë funksionimi i rregullt i kësaj linje në shërbim të publikut.

Ontario - Kryetarja e Bashkisë Toronto, Olivia Chow, u kërkoi pardje (28.07.) falje azilkërkuesve dhe refugjatëve që po flenë në shumë nga kishat e qytetit. “Kërkoj falje për mënyrën se si u trajtuat në rrugë dhe mungesën e dinjitetit që përjetuat”, deklaroi ajo gjatë një vizite në Kishën Revivaltime Tabernacle në veri të Torontos. Sipas Diane Walter, drejtoreshë e Margaret's Housing, 120 persona janë duke fjetur aktualisht në këtë kishë dhe qindra të tjerë po qëndrojnë në Kishën Dominion International. Kryetarja e bashkisë së metropolit dhe palët e tjera të interesuara kanë ritheksuar edhe njëherë nevojat për financim të qytetit. Ndërkohë Ottawa i pat ofruar 97 milionë dollarë Torontos 18 korrikun e kaluar për ta ndihmuar të përballet me krizën e refugjatëve, çka bëri të mundur edhe vënien në dispozicion të 250 shtretërve shtesë, por ministrja e Financave dhe deputete e Torontos Chrystia Freeland ka deklaruar prej asaj dite, përmes një letre zyrtare adresuar Chow, se qeveria federale nuk do të japë më shumë, ndërkohë që bashkia thotë se i duhen të paktën 160 milionë dollarë për të strehuar refugjatët dhe persona të tjerë të pastrehë, në mënyrë që të ketë zgjidhje afatgjata. Nga ana e saj, kryebashkiakja Chow argumenton se Ottawa duhet të financojë edhe hapjen e një qendre të re pritjeje për refugjatët pranë aeroportit Pearson. Numri i kërkesave për azil në aeroportet e Ontarios është rritur 300% gjatë gjashtë muajve të fundit, duke arritur në 1,575 në qershor. Sipas Debbie Douglas, drejtoreshë e Rrjetit të Agjencive të Shërbimit të Imigrantëve në Ontario, shumica e këtyre aplikantëve kanë mbërritur në aeroportin Pearson të Torontos.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada