Kanada

Botërori i Notit 2023, kanadezja Summer McIntosh fiton medaljen e artë në 400 metra stil i përzier

  • Published in Kanada

Notarja kanadeze Summer McIntosh ka fituar dje (30.07) medaljen e artë në 400 metra stil i përzier në ditën e fundit të Kampionatin Botëror të Notit që u zhvillua në Fukuoka të Japonisë. Përveçse u shpall kampione, atletja nga Toronto realizoi edhe një rekord të ri botëror me kohën 4 min 27 s 11/100.

16-vjeçarja McIntosh arriti në finish shumë përpara amerikanes Katie Grimes me diferencë 4.30 sekonda, ndërsa australiania Jenna Forrester përfundoi e treta (+5.19). “400 metra stil i përzier është një garë shumë e vështirë dhe shumë strategjike, ndaj dhe sa herë garoj, unë tentoj të di deri ku mund të arrij dhe të mësoj gjëra të reja”, deklaroi ajo pas fitores.

Kujtojmë se rekordi i djeshëm në këtë lloj gare është i dyti për të brenda vitit. Më 1 prill 2023 ajo pat realizuar kohën 4:25.87.

Për kanadezen, ky është titulli i saj i katërt botëror në gara individuale dhe i dyti në këtë botëror, ku ajo u shpall kampione edhe në 200 metra flutur, duke thyer dhe rekordin e saj personal botëror për të rinjtë.

Garimi i saj dje vazhdoi më pas edhe me stafetën e përzier për femra 4x100m. McIntosh u hodh e fundit në ujë pas Kylie Masse, Sophie Angus dhe Maggie MacNeil, për t’i dhuruar Kanadasë medaljen e bronztë me 3:54.12, pas amerikaneve (3:52.08) dhe australianeve (3:53.37). McIntosh fitoi gjithashtu edhe një medalje bronzi në 200 stil i lirë të mërkurën e kaluar (26.07.). Sfida e ardhshme për yllin e ri kanadez të notit do jenë Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm që do të zhvillohen në Paris.

Në përfundim të këtij botërori, që ishte edicioni i njëzetë në garat e notit për femra, Kanadaja arriti të fitojë 10 medalje (2 ari, 3 argjendi dhe 5 bronzi), katër prej të cilave ishin kontribut i drejpërdrejtë i Summer McIntosh (3 individuale dhe 1 në ekip).

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: AFP/Manan Vatsyayana