Botërori 2023 i futbollit për femra: Kanadaja eliminohet pas humbjes 0-4 me Australinë
- Published in Kanada
Aventura e ekipit kombëtar kanadez të femrave në Botërorin e Futbollit që po zhvillohet në Australi dhe Zelandën e Re, përfundoi në mëngjes sot (31.07.), pas një disfate tejet zhgënjyese përballe ekipit australian.
Kampionet olimpike në fuqi (të renditura aktualisht në vendin e 7-të në botë), të cilave do t’iu mjaftonte vetëm një barazim për t’u kualifikuar, u shpartalluan 4-0 para 27,706 shikuesve në stadiumin AAMI Park në Melburn. Për Australinë, fitorja ishte alternativa e vetme për t’u kualifikuar në 1/8 e finaleve. Me 3 pikët e marra sot, ky ekip siguroi dhe vendin e parë në grupin B. Ndërkohë, ekipi i Nigerisë me barazimin 0-0 me Irlandën, zuri vendin e dytë në grup dhe siguroi kulifikimin për më tej.
Humbja e sotme është përformanca më e dobët për futbollin kanadez të femrave në 12 vitet e fundit gjatë pjesëmarrjeve në një Botëror. Para 12 vitesh ato nuk patën arritur asnjë fitore, duke zënë dhe vendin e fundit në grup në kampionatin e zhvilluar në RFGJ. Ndërkohë, rezultati më i mirë për ekipin mbetet vendi i katërt, në Botërorin e 2003, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.

“Futbolli është mizor. Nuk ishte dita jonë”, deklaroi pas disfatës trajnerja e Kanadasë, Bev Priestman. “Do ta kapërcejmë gjithsesi, megjithëse e di që do të jetë e vështirë”, ka shtuar ajo.
Australianet shënuan fillimisht dy gola me autore Hayley Raso. I pari në minutën e 9-të, me një goditje në hyrje të zonës së rreptësisë, gol i anuluar fillimisht për pozicion jashtë loje, para se të ndërhynte gjyqtari i videove. Më tej, Raso e dyfishoi epërsinë australiane, duke përfituar nga një hutim i mbrojtjes kanadeze, pas një goditje nga këndi në minutën e 39-të. Në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, Mary Fowler, e vetme para portës kanadeze bosh, shënoi golin e tretë dhe Steph Catley vulosi rezultatin me golin e katërt, pas një penalltie të realizuar në minutat shtesë në fund të ndeshjes. Ndërkohë, shanset e ekipit kanadez për të shënuar ishin thuajse inekzistente gjatë gjithë takimit.
Kapitenia legjendare kanadeze, 40 vjeçarja Christine Sinclair, për te cilën ky Botëror ishte i 6-ti dhe praktikisht i fundit, luajti në fushë vetëm në pjesën e parë dhe u zëvendësua në pjesën e dytë nga Cloé Lacasse.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot : The Canadian Press/Scott Barbour; AFP/William West












