Kanada - Kryeministri Justin Trudeau dhe bashkëshortja ndahen pas 18 vitesh martesë
- Published in Kanada
Në Kanada sot (02.08.) u bë publik lajmi se kryeministri Justin Trudeau dhe bashkëshortja e tij, Sophie Grégoire, prindër të tre fëmijëve, kanë vendosur të ndahen nga njeri-tjetri pas 18 vitesh martesë. “Vendimi u mor pas reflektimesh dhe diskutimesh jo të lehta. Si gjithmonë, ne mbetemi një familje e afërt, me një dashuri të thellë për njëri-tjetrin dhe për gjithçka që kemi ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë. Për të mirën e fëmijëve tanë, ju kërkojmë të respektoni privatësinë tonë dhe të tyre”, është shprehur në një deklaratë të shkurtër në Instagram Justin Trudeau, deklaratë e rishpërndarë edhe në profilin Instagram të Sophie Grégoire.
“Kjo është një ndarje dhe jo një divorc”, ka pohuar për Radio-Canada Zyra e kryeministrit Justin Trudeau. I njëjti burim ka saktësuar që Sophie Gregoire dhe kryeministri kanë nënshkruar një marrëveshje ligjore për ndarjen, duke ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe etikë në lidhje me këtë vendim. Mësohet së Sophie Grégoire tashmë e ka lënë banesën kryeministrore që ndodhet në 24 Promenade Sussex në Ottawa, për t’u vendosur në një banesë tjetër, po në kryeqytetin federal. Ndërkohë, tre fëmijët e tyre, do vazhdojnë të jetojnë me babain.
Miq nga fëmijëria, Justin Trudeau dhe Sophie Grégoire u ritakuan në një ballo bamirësie në vitin 2003. Më pas ata vazhduan të frekuentonin njëri-tjetrin për disa vite dhe në maj 2005 u martuan në kishën Sainte-Madeleine në Outremont të Montréal. Çifti fillimisht jetoi në metropolin frankofon, ku lindi djali i tyre Xavier, 15 vjeç dhe vajza Ella-Grace, 14 vjeç. Më pas ata u transferua në Ottawa në vitin 2010, dy vjet pasi Justin Trudeau u zgjodh deputet në zonën elektorale Papineau në Montréal. Në Ottawa lindi dhe djali i tyre 9-vjeçar, Hadrien. Kryeministri kanadez Justin Trudeau është aktualisht 51 vjeç ndërsa Sophie Grégoire 48 vjeç.
Ndarja nga kryeministri Trudeau nënkupton që zonja Grégoire nuk do të ketë më një rol zyrtar në jetën kanadeze, nuk do të udhëtojë më përkrah tij në samitet ndërkombëtare dhe nuk do të përfaqësojë më Kanadanë zyrtarisht jashtë vendit. Ajo gjithashtu nuk do të ketë më akses në burimet njerëzore, materiale dhe financiare që kishte në dispozicion si bashkëshorte e kryeministrit.
Justin Trudeau pritet të flasë në publik këtë javë, përpara pushimeve të tij familjare dhe sipas kabinetit kryeministror, ai dhe Sophie do jenë së bashku me tre femijët gjatë këtyre pushimeve.
Një ndarje para fushatës së katërt elektorale për Justin Trudeau
Njoftimi për ndarjen e çiftit kryeministror erdhi në një kohë kur Justin Trudeau, i cili aktualisht drejton një qeveri të pakicës, ka bërë të ditur tashmë se synon sërish të jetë në krye të Liberalëve në fushatën e ardhshme të zgjedhjeve parlamentare, të cilat teorikisht mund të thirren në çdo kohë. Zgjedhjet e ardhshme për të do jenë të katërtat nga viti 2015, kur ai fitoi për herë të parë
Ndërkohë, qysh javën e kaluar ra në sy mungesa e Sophie Grégoire në prezantimin e kabinetin të ri Trudeau. Madje ky i fundit atë ditë u drejtua i vetëm në këmbë drejt Rezidencës së Guvernatores së Përgjithshme nga një rrugë që nuk e kish përshkuar më parë në një rast të ngjashëm. Sophie Grégoire mbahet mend që pat marrë pjesë në prezantimin e të gjithë kabineteve kryeministrore të formuar pas zgjedhjeve të 2015, 2019 dhe 2021.
Sophie Grégoire, e cila e ka patur karrierën e saj në mediat televizive, ka qenë e pranishme përkrah Justin Trudeau gjatë gjithë rrugëtimit të tij në politikë. Me kalimin e kohës, ajo u bë një figurë publike me profilin e vet si përkrahëse e disa kauzave bamirëse dhe sociale, veçanërisht në fushën e shëndetit mendor dhe barazisë gjinore.
Çifti Trudeau-Grégoire shpesh ka qenë në qendër të vemëndjes së mediave. Profesoresha pranë Shkollës së Studimeve Politike në Universitetin e Ottawa, Geneviève Tellier, kujton për shembull, kopertinën e revistës Vogue një ditë pas zgjedhjeve të 2015-ës. “Ne i shihnim si çift, që gjithashtu projektonte imazhin e një çifti të bashkuar. Pra, pyetja që mund të shtrohet sot është: a do ta ndryshojë kjo ndarje imazhin që Justin Trudeau projekton ose dëshiron të projektojë?”, është shprehur ajo për Radio-Canada.
Sipas saj, një provë se kryeministri kanadez dhe gruaja e tij ishin një çift i profilit të lartë është dhe fakti lajmi për ndarjen e tyre u pasqyrua gjerësisht nga shtypi ndërkombëtar, duke përfshirë faqet e internetit të BBC, CNN, Bloomberg dhe New York Times.
Nga mediat sot është përmendur gjithashtu fakti se Justin Trudeau dhe Sophie Grégoire i kishin përmendur tashmë publikisht disa vështirësi në martesën e tyre. Në librin e tij të vitit 2014, “Common Ground”, kryeministri pat pranuar se martesa e tyre “nuk ishte perfekte” dhe pat vënë në dukje se çifti kishte kaluar “ulje-ngritje të vështira”. Gjatë një interviste në vitin 2015, Sophie Grégoire gjithashtu pat përmendur se asnjë martesë nuk është e lehtë.
Justin Trudeau është kryeministri i dytë që njofton ndarjen nga bashkëshortja gjatë ushtrimit të funksionit. Babai i tij, Pierre Elliott Trudeau, u nda nga gruaja e tij Margaret në 1979 dhe ata u divorcuan më pas në vitin 1984, gjatë muajve të fundit të mandatit të Pierre Elliot Trudeau në detyrë. Ndërkohë, Kim Campbell, e vetmja grua kryeministre në historinë e Kanadasë, ishte divorcuar përpara se ta merrte këtë funksion, që e ushtroi në periudhën e shkurtër qershor-nëntor 1993.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio Canada; AP; AFP; Caroline Brehman/EPA-EFE; Delphine Perez