Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 6 gusht 2023

  • Published in Kanada

Bear rock sinkhole, Northwest Territories

 

-British Columbia, zgjidhet konflikti që bllokoi portin kryesor kanadez

-Saskatchewan, ulet numri i të punësuarve sipas Statistics Canada

-Nova Scotia, sërish reshje të forta shiu në territorin e provincës

-Québec, prodhuesit bujqësorë kërkojnë ndihmë urgjente nga qeveria

-Ontario, përleshje dhe të plagosur gjatë një manifestimi kulturor në Toronto

 

British Columbia - Pas votimi të zhvilluar të premten e kaluar (04.08.), anëtarët e sindikatës që përfaqëson rreth 7400 punonjës të porteve në provincën British Columbia kanë votuar 74.66% në favor të pranimit të marrëveshjes së arritur me shoqatën përkatëse të punëdhënësve. “Ky është një lajm i mirë për punëdhënësit, sindikatat, punëtorët dhe bizneset e panumërt në të gjithë Kanadanë, që varen nga portet tona në British Columbia”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët ministri federal i Transporteve, Pablo Rodriguez dhe ai i Punës, Seamus O'Regan. Kjo ishte marrëveshja e tretë e ofruar, ndërkohë që dy marrëveshje të tjera në parim ishin refuzuar, e para nga ekzekutivi i sindikatës dhe e dyta nga anëtarët e saj. Ky konflikt pune provokoi në një grevë 13-ditore që u shpall 1 korrikun e kaluar dhe shkaktoi ndërprerje të aktiviteteve portuale në më shumë se 30 terminale në provincën e British Columbia, duke përfshirë edhe Vancouver, portin më të madh në Kanada.

Saskatchewan - Sipas anketës së fundit mbi popullsinë aktive të Statistics Canada, për herë të parë që nga marsi 2023, provinca Saskatchewan ka regjistruar në muajin korrik një rënie të numrit të personave të punësuar. Saskatchewan është një nga dy provincat ku punësimi është në rënie në vend, së bashku me Manitoba. Për krahasim, numri i personave të punësuar në korrik u rrit në Alberta (+0.5%), New Brunswick (+1.1%) dhe Prince Edward Island (+1.7%). Në Manitoba dhe Saskatchewan u regjistrua një rënie prej rreth 1%, çka përfaqëson një rënie prej 5,700 personash të punësuar për Saskatchewan, nga të cilët 5,200 ishin me kohë të plotë. Sipas anketës, sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë ishte më i prekuri me një rënie prej 3900. Sektori i kujdesit shëndetësor dhe asistencës sociale pati një rënie prej 2200 të punësuarish në periudhën qershor-korrik dhe sektori i informacionit, kulturës dhe rekreacionit pati një rënie prej 1500 personash, po në të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve arsimore ka një rritje prej 4000 të punësuarish. Shkalla e papunësisë në Saskatchewan u rrit 0.4% në korrik duke arritur në 5.1%. Pavarësisht rritjes, Saskatchewan ende ka shkallën e tretë më të ulët të papunësisë provinciale dhe vazhdon të jetë nën normën kombëtare, e cila u rrit pak në korrik, duke kapur shifrën 5.5%.

Nova Scotia - Vetëm dy javë pas përmbytjeve që shkaktuan katër viktima dhe dëme të mëdha materiale, në provincën Nova Scotia u paralajmëruan sërish shira të dendur gjatë ditës se djeshme (05.08), deri në masën 90-130mm. Environment Canada rreth orës 13:00, njoftoi për reshje në rajonet Antigonish, Colchester, Guysborough dhe Pictou, në qytetin Truro dhe zonat në jug, si dhe në pjesën më të madhe të kontesë Halifax që është në lindje të Liqenit Porters. Gjatë pasdites, moti i keq u zhvendos drejt lindjes duke humbur intensitetin. Reshje shiu më shumë se 100mm ranë gjithashtu brenda një kohe të shkurtër gjatë ditës së djeshme edhe në zonën e Halifax, duke shkaktuar përmbytje lokale në Eastern Passage dhe Dartmouth. Një pjesë e autostradës Bedford u mbyll për trafikun, midis Flamingo Drive dhe Bayview Drive. Ndërkohë gati 10,000 klientë të Nova Scotia Power mbetën pa energji elektrike gjatë mëngjesit për shkak të motit të keq, problem që u zgjidh pas disa orësh.

Québec - Fushat e përmbytura ose të dëmtuara nga një sërë shirash të furishëm në sasira të mëdha që kanë rënë në javët e fundit, i kanë nxitur prodhuesit bujqësorë në provincën Québec të unifikojnë qëndrimet dhe t’i bëjnë thirrje qeverisë federale dhe asaj provinciale, që t'u japin atyre një ndihmë emergjente. Reshjet e regjistruara gjatë korrikut të kaluar thyen rekorde në disa rajone. Jo më pak se 309 mm shi ranë në Sherbrooke, tre herë më shumë se norma normale për muajin korrik. Montréal regjistroi 260 mm shi dhe Québec City 258 mm. “Parashikimi i motit që ende njofton shira, tokat e përmbytyra apo ende me ujë, edhe nëse ato janë kulluara, e gjithë kjo situatë, do të thotë se demet janë të shumtë, apo do të jenë akoma më të shumtë”, ka pohuar në një konferencë për shtyp Martin Caron. kryetar i Unionit të Prodhuesve Bujqësorë. Sipas tij, toka me baltë pengon hyrjen e makinerive bujqësore në fusha, duke rrezikuar dëmtimin e mëtejshëm të saj. Uji dhe lagështia e tepërt gjithashtu mund të shkatërrojnë të korrat e mbetura. Portreti është katastrofik dhe parashikimi i motit për javët e ardhshme është një ogur i keq për fermerët që ai përfaqëson. Kjo është arsyeja pse Unioni i Prodhuesve Bujqësorë, Shoqata e Prodhuesve të Perimeve, Shoqata e Prodhuesve të Luleshtrydheve dhe Mjedrës, Shoqata e Prodhuesve të Patateve dhe ajo e Përpunimit të Perimeve, së bashku shprehën shqetësimet e tyre, në një takim që u zhvillua të premten (04.08.) në Sainte-Clotilde, Montérégie. Pesë organizatat kërkuan mbështetje financiare urgjente për të ruajtur të korrat e rikuperueshme, si dhe përmirësimin e programeve ekzistues, si ai i shpallur majin e kaluar nga La Financière Agricole e Québec, që synon mbështetjen e bizneseve bujqësore të prekura nga konteksti inflacionist. Shoqatat e mësipërme bënë thirrje gjithashtu për reforma të shpejta në programet e menaxhimit të riskut, programe që sipas tyre, nuk i lejojnë më kompanitë të përballen me situata ekstreme klimatike.

Ontario - Sipas Shërbimit Policor të Torontos (TPS), disa persona u plagosën dje (05.08.) në mëngjes në perëndim të qytetit, gjatë zhvillimit të një manifestimi kulturor që organizohet çdo vit nga komuniteti me origjinë nga Eritrea. Përleshja dhe djegia e disa çadrave në zonën e Earlscourt Park ndodhi për shkak të konfliktit mes dy grupeve kundërshtarësh politikë. Policia pohoi se nëntë persona u dërguan në spital, njëri prej të cilëve i plagosur rëndë me thikë. Një numër personash të tjerë u trajtuan në vendngjarje nga ndihma e Urgjencës mjekësore. Kundërshtarët e aktivitetit e kanë quajtur festivalin politik. Mussa Shehai, protestues dhe kundërshtar i regjimit të presidentit eritrean Isaias Afwerki, i ka deklaruar Radio-Canada se Festivali Eritrean “organizohet e sponsorizohet nga Konsullata e Eritresë dhe mbështetet nga diktatura, për të mbledhur gjithashtu fonde për financimin e luftërave, ndaj dhe ne e kundërshtojmë këtë”. Ky nuk është festivali i parë Eritrean që krijon probleme. Të premten (04.08.) 50 persona u plagosën në një festival të ngjashëm në Suedi, ndërsa në Gjermani, 22 oficerë policie u plagosën muajin e kaluar, teksa grupet kundërshtare vërvisnin gurë. Dje në Toronto, disa rrugë pranë zones ku ndodhi konflikti u mbyllën për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve të emergjencës, ndërsa policia përforcoi praninë e saj. Ndërkohë, po dje në mbrëmje, Bashkia Toronto e anuloi lejen e festivalit. Në një deklaratë, zëdhënësi i Bashkisë Toronto, Russell Baker, konfirmoi se vendimi u mor për arsye të sigurisë publike. Fillimisht leja për zhvillimin e eventit ishte dhënë nga e shtuna deri nesër (07.08.), e hënë, që është edhe ditë pushimi në Ontario (Civic Holiday).

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada