Kanada

Kanada: British Columbia shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve

  • Published in Kanada

Provinca perëndimore kanadeze buzë oqeanit Paqësor, British Columbia, ka shpallur dje (18.08.) vonë në mbrëmje gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak se zjarret në pyje po rrezikojnë disa komunitete në të gjithë territorin e saj. Lajmin e konfirmoi personalisht kryeministri David Eby, i cili e ka konsideruar situatën shumë kritike, duke theksuar që urdhërat e evakuimit përfshijnë rreth 15,000 objekte banimi ose aktiviteti.

Çfarë nënkupton gjendja e jashtëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga provinca synon të komunikojë në kohë shtrirjen dhe përkeqësimin e situatës së zjarreve. Ajo lejon dhënien e urdhrave specifikë dhe sigurimin e burimeve të tilla si strehim, pajisje ose çdo burim tjetër të nevojshëm për të luftuar zjarret në pyje në terren.

David Eby

“Duke shpallur një gjendje të jashtëzakonshme provinciale, ne mund të marrim masa të jashtëzakonshme të cilat mund të përfshijnë, për shembull, dekrete që kufizojnë lëvizjen në zona specifike, nëse njerëzit nuk respektojnë direktivat”, ka shpjeguar nga ana e saj Bowinn Ma, ministre e Menaxhimit të Emergjencave dhe Përgatitjes së Planit Provincial Klimatik.

Provinca kërkoi gjithashtu nga qytetarët që kishin planifikuar të udhëtonin drejt zonave turistike të prekura nga zjarret t’i anulojnë udhëtimet, sepse rrugët duhet të jenë sa më të lira për ndihmën e parë, ekuipazhet e emergjencës, të evakuuarit dhe po ashtu objektet turistike të banimit duhet të jenë në dispozicion për akomodimin e të evakuuarve. Sipas minstres Ma, aktualisht edhe disa kampingje zjarrëfikësish janë bërë objekt i urdhrave të evakuimit, ndërkohë që ata vazhdojnë të luftojnë aktivisht me flakët dhe në 24 orët e fundit, alarmet e evakuimit u shndërruan në urdhra evakuimi, si në një efekt domino.

Provinca British Columbia, po përjeton sivjet sezonin më të keq të zjarreve në historinë e vet.

Deri tani, që nga fillimi i sezonit të ngrohtë, janë regjistruar 1,849 zjarre, nga të cilët 381 janë aktualisht aktivë. Pak më shumë se 16.500 kilometra katrorë territor u përfshinë nga flakët, sipërfaqe kjo e barabartë me 1.8% të sipërfaqes së provincës.

Pesëdhjetë urdhra evakuimi në fuqi

Që nga mëngjesi i sotëm, në British Columbia janë dekretuar rreth 50 urdhra evakuimi nga:

  • Distrikti Rajonal Cariboo
  • Distrikti Rajonal Columbia Shuswap
  • Distrikti Rajonal Okanaganit
  • Distrikti Rajonal Okanagan-Similkameen
  • Distrikti Rajonal Squamish Lillooet
  • Distrikti Rajonal Thompson-Nicola
  • Distrikti Rajonal Fraser Valley
  • Komuniteti autokton i Adams Lake
  • Komuniteti autokton Kanaka Bar
  • Komuniteti autokton Lower Similkameen
  • Komuniteti autokton Litton
  • Komuniteti autokton Ulkatcho

Të gjithë informacionet në lidhje me këto urdhra evakuimi janë të disponueshëm në faqet e internetit ose faqet e mediave sociale të autoriteteve që i kanë lëshuar ato. Lista është e disponueshme edhe në faqen e internetit EmergencyInfoBC.

Zjarret aktivë në shifra

380 zjarre aktivë

160 zjarre të pakontrolluar në pyje

14 zjarre të rinj janë regjistruar në 24 orët e fundit

Që nga 1 prilli 2023

1849 zjarre të listuar (përfshirë 380 aktivë)

1.663.297.23 hektarë pyll janë djegur.

https://wildfiresituation.nrs.gov.bc.ca/currentStatistics

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Reuters