Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 20 gusht 2023

  • Published in Kanada

 

Okanagan Valley - British Columbia

 

-British Columbia, 385 zjarre provokojnë evakuimin e mijëra banorëve në Okanagan Valley

-Alberta, për shkak të inflacionit rritet kërkesa në bankat ushqimore të studentëve

-Saskatchewan, qeveria federale mbështet instalimin e reaktorëve të vegjël modularë

-New Brunswick, investim 39 milionë dollarë për evitimin e përmbytjeve në Fredericton

-Québec, mungesë mësuesish në rajonin e Montréal në prag të fillimit të vitit të ri shkollor

-Ontario, rikthehet në Toronto me një emër të ri gara më e vjetër kanadeze me kuaj

 

British Columbia - Vazhdon beteja kundër zjarreve në pyje në provincën British Columbia, veçanërisht rreth liqenit Okanagan. Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për të mundësuar që zjarrfikësit të bëjnë punën e tyre dhe të evakuuarit të gjejnë strehim, qeveria provinciale vendosi kufizimin e udhëtimit në Okanagan dhe u kërkoi pushuesve t’i shmangin hotelet aty pranë. Mëngjesin e sotëm (20.08.), dhjetëra mijëra njerëz u bënë gjithashtu objekt urdhërave të evakuimit nga pronat e tyre. Vetëm në Kelowna u urdhëruan të evakuohen rreth 30,000 njerëz. Ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarret në disa fronte, banorë dhe biznese në vendet ku flakët tashmë kanë kaluar, po konstatojnë dëmet në përmasa të paimagjinueshme. Aktualisht, 385 zjarre vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e provincës, duke përfshirë 162 që nuk janë nën kontroll. Sipas shërbimit provincial të zjarrfikësve BC Wildfire, shumica dërrmuese e këtyre zjarreve janë shkaktuar nga rrufeja. Ndërkohë dje (19.08.) kryeministri i British Columbia, David Eby, ka diskutuar me kryeministrin federal Justin Trudeau për modalitetet e ndihmës nga Ottawa, veçanërisht për komunitetet autoktonë. Trudeau ka konfirmuar sot (20.08.) edhe dërgimin në ndihmë të autoriteteve të provincës të Forcave të Armatosura Kanadeze.

Alberta - Sipas shoqatave studentore, gjatë këtij viti akademik, kërkesa për furnizim falas me ushqim pranë bankave ushqimore të studentëve në provincën Alberta është më shumë se dyfishuar në raport me vitin e kaluar. Në vitin akademik 2022-23, Banka Ushqimore e Unionit Studentor të University of Calgary iu përgjigj 526 kërkesave për shporta ushqimore, nga gjithsej 227 në 2021-22. Në Edmonton, drejtoresha e bankës ushqimore të University of Alberta, Erin O'Neil, i ka pohuar Radio-Canada se ajo priste rreth 300 vizitorë në muaj në fillim të vitit 2022, ndërsa aktualisht u shërben rreth 1000 klientëve në muaj. Po kështu, nënkryetarja e Shoqatës Studentore të University of Calgary, Ermia Rezaei-Afsah, ka deklaruar se inflacioni, mungesa e strehimit të përballueshëm dhe rritja e tarifave të shkollimit ndikojnë në pasigurinë ushqimore të studentëve. “Situata është e vështirë në çdo drejtim. Tarifat e shkollimit po rriten. Nuk ka asnjë ofertë strehimi. Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rriten gjithashtu”, është shprehur ajo. Një studim i fundit nga Banka Ushqimore e University of Alberta, konfirmoi se rreth 70% e klientelës së saj janë studentë ndërkombëtarë dhe 68% studentë të diplomuar. Sipas Erin O'Neil, këto dy kategori demografike shpesh mbivendosen. Në mënyrë të ngjashme, në University of Calgary, studentët ndërkombëtarë përbëjnë më shumë se 75% të përdoruesve të bankës ushqimore të unionit studentor, sipas Ermia Rezaei-Afsah. Përveç rritjes së kostos së jetesës, tarifat e shkollimit për studentët e huaj janë rritur në mënyrë eksponenciale krahasuar me ato të studentëve vendas. Vitin e kaluar, tarifat për studentët e huaj të cikleve I dhe II në University of Calgary u rritën 10%.

Saskatchewan - Qeveria federale ka miratuar një fond 74 milionë dollarë për zhvillimin e teknologjisë së reaktorëve të vegjël modularë (SMR) në provincën Saskatchewan. Kjo provincë, ashtu si Ontario, New Brunswick dhe Alberta, është angazhuar në favor të zhvillimit të kësaj teknologjie për të dekarbonizuar ekonominë e saj dhe për të përmbushur kërkesën në rritje për energji elektrike. SMR-të janë reaktorë të vegjël bërthamorë që mund të gjenerojnë deri në 300 megavat dhe të furnizojnë rreth 300,000 banesa. Sipas Don Morgan, ministër përgjegjës për korporatat shtetërore në Saskatchewan, prodhimi i një reaktori të tillë mund të kushtojë deri në pesë miliardë dollarë. Nga ana e tij, Jonathan Wilkinson, ministër federal i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, ka deklaruar se sigurimi i energjisë elektrike të pastër, të besueshme dhe të përballueshme, do të bëhet në forma të ndryshme nga një province në tjetrën dhe fondet e ofruara nga Ottawa do të mbështesin punën inxhinierike, studimet teknike, vlerësimet mjedisore, studimet rregullatore dhe konsultimet me komunitetet dhe popujt autoktonë. Projekti do drejtohet nga SaskPower, që ka zgjedhur të fokusohet te reaktorët BWRX-300 të GE-Hitachi. Korporata synon ta zhvillojë këtë teknologji në të gjithë provincën brenda dekadës së ardhshme.

New Brunswick - Më shumë se 39 milionë dollarë do të investohen nga të tre nivelet e qeverisjes për të përmirësuar furnizimin me ujë dhe infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza në Fredericton, kryeqendrën e provinces New Brunswick. Departamenti Federal i Strehimit, Infrastrukturës dhe Komuniteteve, Korporata e Zhvillimit Rajonal të New Brunswick dhe Bashkia Fredericton kanë rënë dakord të investojnë së bashku për kufizimin e rrezikut nga përmbytjet dhe për të garantuar sigurinë e banorëve gjatë situatave ekstreme të motit. Financimi do të mbështesë përmirësimin e sistemeve të ujit të pijshëm, kanalizimeve të reshjeve dhe kanalizimeve sanitare. Ky investim do të ndikojë edhe në infrastrukturën e rrugëve dhe tubacioneve të ujit përgjatë rrugëve për të siguruar evakuimin më mire të ujrave gjatë shirave të dendur. Qeveria provinciale do kontribuojë në këtë projekt me 19.5 milionë dollarë, qeveria federale me 9.1 milionë dollarë, ndërsa Bashkia Fredericton me 10.4 milionë dollarë. “Investimet e qeverisë federale dhe provinciale do të ndihmojnë në mbrojtjen dhe rinovimin e infrastrukturës sonë, për përballimin me sukses të situatave emergjente natyrore”, ka deklaruar për Radio-Canada kryebashkiakja e Fredericton, Kate Rogers.

Québec - Dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor, Qendra e shërbimeve shkollore të Montréal (CSSDM) - më e madhja në provincën Québec - ende po përpiqet të plotësojë rreth 300 pozicione mësimore me kohë të plotë ose të pjesshme. Përgjegjësi i marrëdhënieve me shtypin i CSSDM, Alain Perron, në komunikim me Radio-Canada ka bërë thirrje megjithatë për t’i lexuar me kujdes shifrat, duke kujtuar se të dhënat evoluojnë çdo ditë. Si tregues, ai shpjegoi se numri i vendeve vakante të transmetuara në Ministrinë e Arsimit zbriti nga 591 në 478 në më pak se 24 orë mes 16 dhe 17 gushtit. Në fund të pasdites së të premtes (18.08.), CSSDM raportoi 293 vende për t’u plotësuar. Një sondazh i publikuar të enjten (17.08.) nga Federata e Drejtorëve të Institucioneve Arsimore të Québec (FQDE) e vlerësoi numrin e vendeve të paplotësuar në provincë në 5,000, duke përfshirë 2,000 me kohë të plotë. Ky bilanc, tashmë shumë më i lartë se në fillimin e vitit shkollor 2022, nuk merr parasysh shkollat ​​e Montréal-it. Ndërkohë, në momentet e publikimit të këtij informacioni, nuk dihej numri i vendeve vakante në dy qendrat e tjera të shërbimit shkollor të rajonit, përkatësisht Qendra e shërbimeve shkollore të Pointe-de-l'Île dhe Qendra e shërbimeve shkollore Marguerite-Bourgeoys. E njëjta gjë vlen edhe për dy bordet e shkollave anglofone, English Montreal School Board dhe Lester B. Pearson. Këta institucione kishin afat deri të premten (18.08.) në mbrëmje ora 17:00 për t’i transmetuar të dhënat e tyre Ministrisë së Arsimit.

Ontario - Është zhvilluar sot për të 164-tin vit radhazi në Toronto gara më e vjetër e kuajve në Kanada. Gara, emri i të cilës i referohet gjinisë së monarkut britanik, për herë të parë në më shumë se 70 vjet kësaj here quhet King’s Plate. Sipas Jim Lawson, drejtor i përgjithshëm i Woodbine Entertainment Group, insttitucioni që organizon eventin, emri King's Plate nuk është përdorur që nga viti 1952, kur Mbretëresha Elizabeth II u ngjit në fron. Kjo e fundit madje mori pjesë personalisht në Queen’s Plate në vitin 2010 dhe zoti Lawson pati mundësi ta takonte atë. “Të dy diskutuam për garat dhe mbarështimin e kuajve”, ka pohuar ai për Radio-Canada. Gara e racës së pastër u krijua në vitin 1860, gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria, e cila i dha miratimin e saj mbretëror edhe një pjatë me vlerë 50 guinea, monedha e vjetër britanike e arit. Nga shekulli i 17-të, Mbreti Charles II filloi të ofronte pjata argjendi si çmime. Sot, fituesi i garës, i mbajtur në Woodbine Racetrack në Toronto, ka marrë një pjatë të artë. Nga ana e tij, Morgan Cameron Ross, i cili realizoi një dokumentar për garën e këtij viti, ka deklaruar që moda ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e këtij eventi që përfshin edhe aspekte të tjera tradicionale si dërgimin e një telegrami që shpall fituesin e garës në Pallatin Buckingham si dhe mbërritjen me një karrocë me kuaj të përfaqësuesit të Kurorës, që aktualisht është lejtënant-guvernatorja e Ontarios, Elizabeth Dowdeswell.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press