Kanada

Kanadezi Ethan Katzberg, kampioni i ri i botës në hedhjen e çekiçit

  • Published in Kanada

Të dielën (20.08.) në Budapest të Hungarisë, ku nga 17 deri më 26 gusht zhvillohet Kampionati i 19-të Botëror i Atletikës (2023 World Athletics Championships), atleti kanadez 21 vjeçar nga British Columbia, Ethan Katzberg, ka fituar medaljen e artë në hedhjen e çekiçit, duke u bërë kampioni i parë kanadez i botës në këtë disiplinë dhe duke u afirmuar si ylli i atletizmit kanadez në botërorin e sivjetëm.

Në provën e tij të pestë ai i ka befasuar të gjithë duke realizuar një hedhje prej 81.25 metrash, që është dhe rekord kanadez, duke lënë pas polakun Wojciech Nowicki (81.02 m), kampion olimpik në Tokio dhe hungarezin Bence Halasz (80.82 m), i preferuari i publikut.

“Është një ndjenjë e mahnitshme. Jam shumë i lumtur me këtë fitore. Falenderoj trajnerin tim Dylan Armstrong dhe të gjithë ata që më mbështetën”, deklaroi pas mbarimit të garës kampioni i ri, për mikrofonin e Radio-Canada Sports. Ai kujtoi gjithashtu, që pas hedhjes së tretë të pasuksessshme, trajneri Armstrong i ka bërë thirrje të jepte gjithçka.

Po kush është Ethan Katzberg, i cili duke fituar medaljen e artë në garën e hedhjes së çekiçit e ka shkruar emrin e tij në faqet e historisë së atletikës kanadeze, një emër që deri dje ishte pak ose aspak i njohur për publikun? Kush fshihet pas këtyre flokëve dhe mustaqeve piktoreske?

Një profil i rrallë

Sipas atletit të së njëjtës disiplinë, Adam Keenan, pjesëmarrës edhe ai në botërorin e Budapestit, “Katzberg është hedhësi më i talentuar i çekiçit në botë për momentin”. Me këtë vlerësim bashkohet dhe analisti i Sporteve pranë Radio-Canada, Nils Oliveto, për të cilin “të jesh kampion bote në moshën 21-vjeçare është e jashtëzakonshme dhe patjetër që ai do të jetë një nga favoritët në Lojërat Olimpike të Parisit”. Ndërsa trajneri i Katzberg, ish-medalisti olimpik i hedhjes së gjyles, Dylan Armstrong, kujton se e kuptoi shpejt talentin e tij të veçantë, sapo e rekrutoi atë, në përfundim të shkollës së mesme. Po ashtu, iu desh të insistonte shumë për të bindur prindërit e tij që të lëviznin nga qyteti ku jetonin, për hir të së ardhmes që e priste.

Ethan Katzberg, 21 vjeç, është me origjinë nga Nanaimo, një qytet-port me rreth 100,000 banorë, në bregun lindor të ishullit Vancouver të provincës British Columbia. Ai nisi të provojë hedhjen e çekiçin shtatë vjet më parë, duke observuar babanë e tij Bernie, që ia mësonte hedhjen motrës së tij, Jessica. Pasi mbaroi shkollën e mesme, ata u transferuan në Kamloops, ku Ethan nisi të stërvitej me Armstrong. “Ai ishte një basketbollist truphollë kur e mora, ndërsa tani peshon pak më shumë se 235 paund”, ka deklaruar trajneri për Toronto Star disa ditë më parë. Sipas Armstrong, “ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte shtati (198 cm) dhe shpejtësia e tij, një kombinim i rrallë. Është e vështirë të gjesh një të ri të shpejtë, të gjatë dhe të koordinuar, që mund të jetë i interesuar për hedhjen e çekiçit. Të gjithë shkojnë në basketboll, futboll apo sporte të tjera. Ai di të jetë konkurrues, por në të njëjtën kohë është i qetë. Është një kombinim unik për sukses”.

Dylan Armstrong

Në rrugëtimin si atlet i ri, Katzberg kishte arritje interesante të cilat premtonin një të ardhme shumë të suksesshme, por shumë pak njerëz e prisnin që ky sukses të arrinte kaq shpejt. Të shtunën (19.08.) në garën kualifikuese, ai theu rekordin kanadez duke e hedhur çekiçin përtej 80 metrave për herë të parë në karrierën e tij (81.18 m). Më pas, të dielën, në finale, gjigandi e theu sërish rekordin me një hedhje prej 81.25 m, për t’u ngjitur në majën më të lartë të podiumit, pikërisht në pjesëmarrjen e parë të tij në një Botëror.

Trajneri i Ethan Katzberg, Dylan Armstrong është një ish-hedhës çekiçi i konvertuar në hedhës gjyleje, i cili fitoi medaljen e bronzit në këtë disiplinë në Lojërat Olimpike të Pekinit më 2008. Në Kampionatin Botëror të vitit 2011 ai fitoi gjithashtu medaljen e argjendtë, ndërsa në atë të vitit 2013, medaljen e bronzit. Në ekipin stërvitës të Katzberg bën pjesë edhe mentori i tij, ish-medalisti i artë olimpik rus, Anatoliy Bondarchuk. Ky i fundit, ka qenë edhe trajner i Dylan Armstrong si dhe i rekordmenit botëror në hedhjen e çekiçit, rusit Yuriy Sedykh.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada; Reuters/Dylan Martinez; AP/Bernat Armangue/Alastair Grant