Kanada

Botërori i Atletikës 2023, kanadezja Camryn Rogers fiton medaljen e artë në hedhje çekiçi

  • Published in Kanada

Përfundimisht, atletët kanadezë në disiplinën e hedhjes së çekiçit nga British Columbia janë konfirmuar sivjet yjet e sportit kanadez në Botërorin e Atletikës, që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë (2023 World Athletics Championships). Pas medaljes së artë të fituar të dielën e kaluar (20.08.) nga Ethan Katzberg, dje (24.08.) ishte radha e Camryn Rogers të shpallej kampione bote në hedhjen e çekiçit me rezultatin 77.22 metra, të realizuar qysh në hedhjen e parë, duke lënë pas në vendin e dytë dhe të tretë amerikanet Janee' Kassanavoid dhe DeAnna Price.

Me fitoren e djeshme, Camryn Rogers përmirësoi  performancën e saj të vitit të kaluar, kur pat fituar medaljen e argjendtë në Botërorin e zhvilluar në Eugene të Shteteve të Bashkuara, pasi kish zënë vendin e 5-të në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021. “Jam shumë e lumtur që do të jem në Lojërat Olimpike të Parisit verën e ardhshme. Është fantastike të fitosh këtë medalje, por edhe të fitosh eksperiencë dhe të ndjesh se je në rrugën e duhur”, ka deklaruar ajo pas fitores. Rogers falënderoi gjithashtu komunitetin kanadez të disiplinës së hedhjes së çekiçit, duke përfshirë të ndjerin Richard Collier, djalin e tij Garrett Collier dhe trajnerin e saj Mo Saatara.

24 vjeçarja Camryn Rogers (170 cm), ka lindur dhe është rritur në Richmond të provincës British Columbia. E diplomuar në University of California, Berkeley, përveç dy medaljeve të fundit në Botërorin e vjetshëm dhe atë të sivjetshëm, ajo ka fituar gjithashtu medaljet e arta në Panamerican U20 Campionships (2017), World U20 Campionships (2018) dhe Commonwealth Games (2022).

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AP/Bernat Armangue; Getty Images/Christian Petersen