Kanada

Botërori i Atletikës 2023, kanadezët LePage dhe Arop fitojnë medaljet e arta në dhjetëgarësh dhe 800 m

  • Published in Kanada

Sot (26.08.) në Budapest të Hungarisë, në Kampionatin Botëror të Atletikës, Kanadaja ka koleksionuar edhe dy medalje të tjera ari, njerën në dhjetëgarësh dhe tjetrën në vrapimin 800 metra për meshkuj. Në dhjetëgarësh beteja për vendin e parë u zhvillua mes dy kanadezëve, ku 27 vjeçari Pierce LePage (204 cm), triumfoi mbi kampionin olimpik dhe fituesin e medaljes së artë në Tokio (2021), bashkëatdhetarin Damian Warner.

LePage realizoi një performancë shumë të mirë në 110 metra me pengesa në fillim të ditës, çka i dha dhe epërsinë me 105 pikë në raport më Warner, në renditjen kumulative për të fituar titullin e parë botëror. Ai e siguroi përfundimisht fitoren në garën e fundit, 1500 m, me kohën e tij më të mirë të sezonit (4 min 39 s 88/100). Po kështu, ai realizoi edhe rezultatin më të mirë në karrierë si dhjetëgarist me 8,909 pikë. Vitin e kaluar në Botërorin e zhvilluar në Eugene (Oregon) të SHBA, LePage pat fituar medaljen e argjendtë. Ai ka lindur dhe është rritur në Whitby të Ontario-s.

Damian Warner (majtas) dhe Pierce LePage (djathtas)

“Të gjithë ëndërrojnë të jenë kampion bote ose kampion olimpik. Përgjithmonë do jem kampion bote. Është thjesht e mahnitshme”, deklaroi LePage në mikrofonin e Radio-Canada Sports pas kurorëzimit, ndërsa kolegu i tij Warner ka pohuar se për të personalisht ishte medalja më e mirë e argjendtë që ka fituar ndonjëherë dhe sigurisht “është gjithmonë e vështirë të mos fitosh, por gjithçka që mund të bëja ishte t’i shtrëngoja dorën Pierce dhe ta përgëzoja atë për rezultatin e jashtëzakonshëm”. Warner (33 vjeç, me origjinë nga London, Ontario) realizoi maksimumin personal këtë sezon me 8,804 pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit Lindon Victor (8,756 pikë) nga Grenada.

Medaljen e dytë të artë Kanadasë gjatë garave të sotme ia dhuroi 25 vjeçari Marco Arop në 800 m, për të cilin gjithashtu ky ishte titulli i parë kampion në një botëror atletike. Ai e përshkoi distancën në 1 min 44 s 24/100 përpara kenianit Emmanuel Wanyonyi (1:44.53), fitues i medaljes së argjendtë dhe britanikut Ben Pattison (1:44.83), fitues i medaljes së bronztë.

Marco Arop

“E kam ëndërruar për vite me radhë këtë ditë dhe kam punuar shumë për ta realizuar këtë fitore”, deklaroi ai pas garës, të cilën e përfundoi më një galopim të jashtëzakonshëm në 100 metrat e fundit. Vitin e kaluar në Eugene, Oregon, Arop pat fituar medaljen e bronzit. Kësaj radhe e ndihmoi pak dhe fati, sepse kampioni olimpik dhe botëror në fuqi, keniani Emmanuel Korir, u eliminua gjatë fazes kualifikuese. Marco Arop, nga Edmonton i Alberta-s, ka imigruar nga Sudani në Kanada së bashku me prindërit në moshë fare të re.

Ndërkohë, Kanadaja fitoi sot edhe një tjetër medalje të argjendtë. Ishte atletja 27 vjeçare nga Liverpool i Nova Scotia-s, Sarah Mitton, e cila u rendit e dyta në garën e hedhjes së gjyles për femra, me rezultatin 20.08 metra. “Thjesht do të thotë që kur punon shumë, mund të arrish çdo qëllim. Kjo dëshmon se mund të garoj në nivel botëror dhe se jam pjesë e elitës”, deklaroi ajo pas përfundimit të konkurrimit, ku në vendin e parë u rendit amerikania Chase Ealey (20.43 m), ndërsa në vendin e tretë kinezja Lijiao Gong (19.69 m).

Sarah Mitton

Kanadaja, e dyta në renditje pas SHBA me 27 medalje (11 ari, 8 argjendi dhe 8 bronzi) ka siguruar deri tani gjashtë medalje në këtë botëror (4 ari dhe 2 argjendi), ku së bashku me katër të sotmet, përfshihen dhe dy medaljet e arta të fituara nga Camryn Rodgers dhe Ethan Katzberg, të dyja në disiplinën e hedhjes së çekiçit. Botërori i Atletikës 2023 që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë, përfundon zyrtarisht nesër (27.08.).

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AP/ Petr David Josek/ Matthias Schrader