Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 27 gusht 2023

  • Published in Kanada

Saint Joseph's Oratory of Mount Royal, Montreal

 

-British Columbia, së shpejti rikthehet nga Skocia një totem i komunitetit autokton Nisga’a

-Alberta, thatësira përshpejton të korrat duke dëmtuar shumë fermerë

-Saskatchewan, Ottawa akordon miliona dollarë kompensim për disa komunitete autoktonë

-Nova Scotia, familja e një gruaje të vdekur në burg padit strukturat qeveritare

-Newfoundland, kryeministri Furey kërkon anulimin e rritjes së taksës mbi karbonin nga Ottawa

 

British Columbia - Një totem përkujtimor që i përket komunitetit autokton Nisga’a, i cili jeton në pjesën veriperëndimore të provincës British Columbia, do të nisë këto ditë udhëtimin afërsisht një mujor të riatdhesimit nga Skocia drejt Kanadasë. Direku totemik prej druri i gdhendur me dorë, ishte shkulur pa miratimin e komunitetit nga një etnograf në vitin 1929 dhe më pas iu shit Muzeut Kombëtar të Skocisë, ku dhe u ekspozua për gati një shekull. Amy Parent, pjestare e komunitetit Nisga’a dhe shefe e Katedrës Kërkimore Kanadeze në fushën e administrimit autokton të arsimit, shpreson që rikthimi i totemit në Luginën Nass bashkë me kujtimet dhe simbolikën që mbart, do të risjellë një ndjenjë paqeje tek anëtarët e komunitetit. Një aktivitet i posaçëm me këtë rast, ku priten afro një mijë pjesëmarrës, do të zhvillohet më 29 shtator. Totemi nga Ni'isjoohl House, ndodhet i ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Skocisë që nga viti 1930. Në gusht 2022, një delegacion i komunitetit Nisga’a ku përfshiheshin Sim'oogit Ni'isjoohl (Earl Stephens) dhe Sigidimnak' Nox Ts'aaëit (Amy Parent) pat shkuar në Skoci për të kërkuar zyrtarisht riatdhesimin e këtij objekti të trashëgimisë kulturore autoktone kanadeze.

Alberta - Sipas Radio-Canada, që u referohet të dhënave të qeverisë, sezoni i sivjetëm i korrjeve në pjesën jugore dhe qendrore të provincës Alberta është i avancuar në kohë. Shkak për këtë janë vapa dhe thatësira që përshpejtuan maturimin e bimëve. “Ky lajm nuk është i mirë”, për fermerin Glen Gateman, i cili thekson se të korrat e hershme shpesh janë paralajmërim i rendimenteve të ulëta dhe produkteve me cilësi më të dobët. “Për të marrë një produkt më të madh ose më të rëndë në peshë, një kulture bujqësore i duhet më shumë kohë për t’u pjekur, shpjegon fermeri, i cili ka qenë i detyruar të korrë produktin e tij dy javë më herët se zakonisht. “Nëse korrja nuk është aq e mirë si një vit më parë dhe cilësia është më e ulët, është e qartë se kjo do të ndikojë të ardhurat tona”, ka shtuar ai. “Situata në përgjithësi përkeqësohet sa më shumë që shkoni në jug”, ka pohuar Jesse Cole nga Korporata e Shërbimeve Financiare të Bujqësisë. Sipas raportit të fundit të provincës, një e treta e të korrave kryesore në jug të provincës janë kryer tashmë, çka e tejkalon mesataren vjetore prej 19% të korrjeve të llogaritura zakonisht në këtë periudhë të vitit. “Disa fermerë nuk kanë asgjë për të korrur sivjet”, vëren ekonomisti Leigh Anderson i Farm Credit Canada. “Të korrat e dobëta mund të kompensohen pjesërisht nga çmimet e larta”, shpreson Zëvendëspresidenti i Grupit LeftField Commodity Research, Jon Driedger. Megjithatë, ai thekson se çmimet kanë pak efekt nëse fushat nuk kanë prodhim të bollshëm dhe sipas tij zonat që janë goditur më shumë nga të korrat e pakta nuk do ta kenë të lehtë. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi çmimi nëse nuk ke asgjë për të shitur.

Saskatchewan - Qeveria federale kanadeze po vazhdon të akordojë miliona dollarë në favor të komuniteteve autoktonë në Saskatchewan lidhur me rivendikimet e tyre terrritoriale. Ottawa njoftoi këtë javë se do të kompensojë komunitetin Muscowpetung për dorëzimin e afro 7,500 hektarëve tokë në vitin 1909, me shumën 150 milionë dollarë. Sipas shefes Melissa Tavita, drejtuesit e komunitetit të saj i paraqitën këto pretendime për tokën në vitet 1990. Edhe pse ajo beson se kjo shumë duhej të ishte akorduar më shpejt, gjithsesi ka vlerësuar faktin që çështja është zgjidhur, bazuar në një marrëveshje të votuar nga 99% e komunitetit. Ndërkohë, sipas qeverisë federale, komuniteti autokton Kinistin do të marrë 56 milionë dollarë kompensim. Udhëheqësi i tij, Felix Thomas, ka deklaruar se është i kënaqur me këtë zgjidhje. Ky kompensim i ri i shtohet 37 milionë dollarëve të dhëna për 14 komunitete autoktonë në Saskatchewan dhe Alberta në fillim të gushtit. Avokati Steven Carey, i cili ka përfaqësuar disa prej tyre në procesin e rivendikimeve, beson se kjo valë zgjidhjesh e shpallur në gusht është fryt i punës prej disa dekadash dhe shprehet se marrëveshjet duhet të ishin përfunduar më shpejt. “Nuk duhet menduar se ky është rezultat i bujarisë së qeverisë federale. Shumica e këtyre marrëveshjeve janë rezultat i një përpjekjeje të madhe që kërkonte shumë burime, kohë, para dhe vendosmëri”, ka deklaruar ai për Radio-Canada.

Nova Scotia - Familja e një gruaje mi'kmaw, e cila ka vdekur në mars të këtij viti, periudhë kur ndodhej e burgosur në një nga institucionet e vuajtjes së dënimit në Nova Scotia, ka depozituar padi kundër Sistemit Shëndetësor të provincës dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sarah Rose Denny, 36 vjeç, nga Eskason (komunitet autokton në Cape Breton), e ndodhur në Institucionin Korrektues Qendror të Nova Scotia në Dartmouth, pohoet se në muajin mars pat kërkuar kujdes mjekësor disa herë për shkak të simptomave të pneumonisë. Padia e ngritur nga familja e saj pretendon se një infermiere e burgut ka menduar se Sarah Rose Denny vuante pasojat e konsumit të alkoolit, duke e neglizhuar trajtimin e simptomave të saj. Sipas familjarëve, mosveprimi i infermieres ka kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e shëndetit të Sarës dhe tragjikisht ka shkaktuar vdekjen e saj, që mund të parandalohej. Sarah Rose Denny u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Dartmouth më 26 mars 2023 dhe vdiq nga pneumonia pak kohë pasi mbërriti aty. Padia gjithashtu pretendon se kur ajo u arrestua, nëna e saj njoftoi RCMP se vajza e saj nuk ndihej mirë dhe se ajo duhej të vizitohej nga një mjek. Sistemi Shëndetësor i Nova Scotia dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë pranuar të komentojnë mbi rastin në fjalë.

Newfoundland - Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador Andrew Furey i ka bërë thirrje para disa ditësh kryeministrit Justin Trudeau të pezullojë rregullat e vendosura së fundmi për karburantin e pastër dhe të anulojë rritjen e taksës së karbonit. Në një letër zyrtare drejtuar kreut të qeverisë federale, Andrew Furey shkruan se është i shqetësuar për ndikimin e dëmshëm dhe joproporcional të taksës së karbonit mbi banorët e provincës. Kryeministri i Newfoundland citon një raport vlerësimi të ndikimit rregullator, hartuar nga Environment Canada, i cili konkludon se Rregulloret e Karburantit të Pastër do të kenë një ndikim negativ joproporcional në provincën e tij. Furey thekson gjithashtu se rregulloret e taksave të karburantit të pastër dhe karbonit po rrisin koston e karburantit dhe mallrave të konsumit të përditshëm në një periudhë inflacioni. Duke qenë se inflacioni mbetet i lartë dhe i paparashikueshëm, Andrew Furey i bën thirrje kryeministrit Trudeau që të ndalojë procesin e reformave të përqendruara te klientët duke sugjeruar njëkohësisht aplikimin e një plani për të trajtuar ndikimin joproporcional mbi qytetarët e Newfoundland dhe Labrador.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada