Kanada

Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly vizitoi Ljubljanën, Shkupin dhe Tiranën

  • Published in Kanada

Prej datës 27 gusht, Ministrja e Jashtme e Kanadasë Mélanie Joly ka zhvilluar një tur vizitash në Ballkan, përkatësisht në Slloveni, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, tur të cilin e ka mbyllur sot (01.09.) në Tiranë. Njoftimi për vizitën u bë publik qysh një javë më parë (25.08.) nga Global Affairs Canada dhe sipas komunikatës zyrtare, qëllimi i vizitës ishte riafirmimi i mbështetjen dhe solidaritetit të Kanadasë me vendet që preken drejtpërdrejt nga agresioni i paligjshëm i Rusisë kundër Ukrainës. Vizita ishte pjesë e angazhimit të deklaruar nga Kanadaja dhe aleatët e saj në samitin e fundit të NATO-s, të mbajtur në Vilnius të Lituanisë, për të vepruar së bashku kundër autokracisë dhe autoritarizmit.

Para nisjes për në Ballkan shefja e diplomacisë kanadeze deklaroi se “Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë partnerë të rëndësishëm për Kanadanë në Evropë. Mbrojtja e përbashkët e demokracisë dhe respektimi i një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla janë motivet që na bashkojnë. Mezi pres të punoj me kolegët e mi në rajon për të forcuar marrëdhëniet tona dhe për të vazhduar bashkëpunimin tonë për çështje të ndryshme të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare”.

Në pjesën e parë të vizitës, ministrja Joly mori pjesë në Forumin Strategjik të Bled-it, një konferencë vjetore ndërkombëtare e organizuar nga Sllovenia për të disktuar zgjidhjet ndaj sfidave bashkëkohore në politikë, siguri, strategji dhe zhvillim. Gjatë konferencës, kreu i diplomacisë kanadeze ishte prezent dhe foli edhe në një panel diskutimi për të ardhmen e multilateralizmit. Ajo u takua gjithashtu me përfaqësuesit e partnerëve të prekur drejtpërdrejt nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, duke përfshirë Moldavinë si dhe me liderin e opozitës bjelloruse.

Më pas, ministrja Joly vizitoi Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ku takua me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e Jashtëm Bujar Osmani dhe ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska. Gjatë takimeve në Shkup u diskutua mbi marrëdhëniet politike, tregtare dhe investuese ndërmjet dy vendeve, si dhe për ecurinë e procedurës për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Ministrja Joly e mbylli sot (01.09) turin e saj ballkanik në Shqipëri, ku u takua në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi si dhe me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja. Gjatë takimeve është folur për partneritetet dhe mbështetjen për prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, diversitetin, aftësitë e kufizuara dhe fuqizimin ekonomik të grave.

Fakte mbi vizitën të nënvizuara nga Global Affairs Canada

Maqedonia e Veriut aktualisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Shqipëria është pjesë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB). Shqipëria do të rimarrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga shtatori dhe do të përqendrojë përpjekjet e saj kryesisht në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Sllovenia gjithashtu u zgjodh kohët e fundit si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2024-2025.

Kanadaja ka marrëdhënie të shkëlqyera me Slloveninë, e cila është aleate e NATO-s që nga viti 2004. Sllovenia është anëtare e Bashkimit Evropian, një nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kanadasë. Kanadaja njohu pavarësinë e Sllovenisë në janar 1992 dhe vendosi marrëdhënie diplomatike një vit më vonë.

Prioritetet e Kanadasë për Maqedoninë e Veriut janë të inkurajojë përpjekjet e vazhdueshme për reforma në vend, të forcojë marrëdhëniet tregtare dhe investuese dhe të mbështesë përparimin në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Kanadaja dhe Shqipëria kanë marrëdhënie diplomatike pozitive bazuar në investimet modeste tregtare kanadeze në Shqipëri dhe një partneritet të përbashkët me NATO-n.

© Flasshqip.ca me informacion nga Global Affairs Canada

Foto: Arkiv The Canadian Press