Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 shtator 2023

  • Published in Kanada

Peggy's Cove - Nova Scotia

 

-British Columbia, fundjava e fundit me konsum alkooli në plazhet e Vancouver

-Alberta, rritet numri i pasagjerëve amerikanë që tranzitojnë nga Calgary me WestJet

-Nova Scotia, ceremoni përkujtimore në Peggy’s Cove 25 vjet pas rrëzimit të avionit të Swissair

-Québec, rihapet varreza Notre-Dame-des-Neiges në Montréal ku 300 të vdekur presin të varrosen

-Ontario, Tiki Taxi në Toronto përuron një varkë të re me energji diellore

 

British Columbia - Projekti pilot që lejon pirjen e alkoolit në shtatë plazhe të Vancouver do të përfundojë pas fundjavës së gjatë të Labor Day. Duke filluar nga nesër 4 shtator, pijet alkoolike do të ndalohen sërish në plazhet Jericho, Trout Lake, Kitsilano, Locarno, New Brighton, Spanish Banks dhe Second Beach në Stanley Park. Bordi i Parqeve të Vancouver do ta vlerësojë më pas impaktin e projektit pilot, duke marrë në analizë reagimin e publikut dhe rezultatin e punës së stafit përgjegjës për mirëmbajtjen e ambienteve të sigurta dhe të pastra. Më pas, rezultatet e vlerësimit do t’i raportohen Këshillit Bashkiak për të mbështetur vendimmarrjet e ardhshme në lidhje me konsumimin e alkoolit në plazhe. Projekti pilot u votua në prillin e kaluar. Gjatë sezoneve të verës 2021 dhe 2022, produktet alkoolike u lejuan përkohësisht në rreth njëzet parqe në metropolin e British Columbia. Bordi i Parqeve të Vancouver ka akorduar deri tani lejen e përdorimit të alkoolit për 40 parqe të qytetit, në disa gjatë gjithë vitit dhe në disa të tjerë vetëm në stinën e nxehtë.

Alberta - Këtë verë, 86,000 udhëtarë në fluturimet ndërkombëtare me WestJet filluan ose e përfunduan udhëtimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, çka përbën një shifër rekord për këtë linjë ajrore. Gjithnjë e më shumë udhëtarë amerikanë, kryesisht nga Bregu Perëndimor, po fluturojnë me WestJet jashtë vendit. Numri i amerikanëve në fluturimet transatlantike të WestJet është rritur rreth 70% nga vera e kaluar, ka deklaruar kompania në fjalë. Të gjitha fluturimet e WestJet për në Azi dhe Evropë janë të bazuara në Calgary. Sipas John Grant, kryeanalist i të dhënave pranë OAG, një firmë analitike e aviacionit, ka disa arsye për rritjen e numrit të pasagjerëve amerikanë që kalojnë nëpërmjet Calgary, duke përfshirë rritjen këtë vit të numrit të fluturimeve ndërkombëtare të operuara nga WestJet, kërkesën e lartë, çmimet e larta dhe pak vende të disponueshme në shumë linja ajrore amerikane dhe evropiane për fluturimet që kalojnë Oqeanin Atlantik. Pas ndërprerjeve të industrisë për shkak të kufizimeve të COVID-9, disa linja ajrore amerikane dhe evropiane nuk po operojnë më shumë fluturime transatlantike se më parë. Industria gjithashtu vazhdon të përballet me probleme të mungesës së krahut të punës, çmime relativisht të larta të karburantit të avionëve dhe kufizime në disa aeroporte. WestJet anuloi disa fluturime të brendshme në Kanada, por nga ana tjetër shtoi më shumë fluturime jashtë shtetit nga Calgary, përfshi Tokion dhe Parisin gjatë gjithë vitit.

Nova Scotia - Ministria federale kanadeze për Marrëdhëniet me Veteranët organizoi këtë fundjavë dy ceremoni në Nova Scotia, për të përkujtuar 25 vjetorin e rrëzimit të avionit me numër fluturimi 111 të Swissair. Më 2 shtator 1998, një avion i Swissair që po kryente itinerarin nga Nju Jorku në Gjenevë, pas një difekti teknik që shkaktoi dhe zjarr brenda kabinës, u rrëzua dhunshëm në oqeanin Atlantik, 12 km nga bregu i Peggy's Cove, një komunitet bregdetar, pjesë e rajonit të Halifax, në St. Margarets Bay. Të 229 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord humbën jetën. Njëra nga ceremonitë u zhvillua sot (03.09) në mëngjes në ora 10:00 në Peggy's Cove për të kujtuar pjesëmarrjen e Kanadasë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit pas rrëzimit të avionit, ndërsa tjetra, si përkujtimore për këtë tragjedi, u zhvillua dje (02.09) në mbrëmje në Bayswater në formën e një përshpirtjeje me qirinj të ndezur. Në vendin ku është vendosur memoriali mbi të cilin janë gdhendur emrat e viktimave, u mblodhën personalitete, të afërm të viktimave, ushtarakë, përfaqësues të RCMP (Policia Federale Kanadeze) dhe të Bordit të Sigurisë së Transportit. Në orën 22:31, pikërisht ora e rrëzimit të avionit, u mbajt një minutë heshtje. Ndërkohë që të afërmit e viktimave vendosnin trëndafila pranë memorialit, një dritë prozhektori u drejtua drejt qiellit.

Québec - Pasi u mbyll për muaj të tërë për shkak të një greve, varreza Notre-Dame-des-Neiges në Montréal më në fund po u krijon mundësinë familjarëve të varrosin të dashurit, megjithëse në disa parcela hapësira është ende e tejmbushur me barëra dhe degë të thyera që nga shiu i akullt që ra në muajin prill dhe dëmtoi ¾ e 13,000 pemëve që ndodhen aty. Stafi i varrezës është rikthyer në punë, por do të duhen muaj për të rivendosur gjithçka në gjendje normale. Familjet dhe të afërmit e të vdekurve në pritje për t’u varrosur u takuan korrikun e kaluar, për të kërkuar rihapjen e varrezës dhe Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të të ndjerëve dhe familjeve të Notre-Dame-des-Neiges nuk e përjashtoi idenë e nisjes së një aksioni kolektiv në reagim ndaj grevës që po zvarritej. Michel St-Amour, zëdhënës i varrezës dhe anëtar i bordit të drejtorëve të Famullisë Notre-Dame de Montréal - organizata jofitimprurëse që e menaxhon atë - ka deklaruar për Radio-Canada se ritmi i varrimeve do të përshpejtohet gjatë javëve të ardhshme ndërsa punonjësit po pastrojnë terrenin. Ai shpreson se 300 trupat që nuk janë varrosur ende do mund të prehen aty përfundimisht deri në dhjetor. Varreza do të rihapet për publikun të hënën, më 11 shtator, por deri atëherë duhet kryer pastrimi, përveç disa zonave të caktuara ku dëmet janë më të mëdha. Greva e punonjësve të Notre-Dame-des-Neiges pati nisur në shtator 2022 dhe përfundoi në mes të korrikut të sivjetëm.

Ontario - Pas shumë përpjekjesh administrative pranë Bashkisë Toronto, presidenti i Tiki Taxi, Luc Côté, më në fund ka realizuar projektin e tij për të përdorur në Liqenin Ontario një varkë të re karboneutrale. Varka tetëkëndëshe prej druri me energji diellore, e ndërtuar me një kosto prej rreth 70,000 dollarë në kantjerin e kompanisë Tiki Taxi në Mississauga, do të mirëpresë së shpejti udhëtarët e saj të parë. Që nga e enjtja e ardhshme (07.09.), klientët mund të bëjnë një shëtitje në lagunat e ishullit të Torontos për gati një orë, me një tarifë prej 35 deri në 50 dollarë. Sipas Luc Côté, lundrimi me varkën e shtruar me panele diellore mund të tërheqë kryesisht si klientële çiftet ose kompani që mund ta marrin me qira atë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada