Pas 24 vitesh ekipi kanadez i basketbollit për meshkuj kualifikohet sërish në Lojërat Olimpike
- Published in Kanada
Për herë të parë që nga viti 2000 në Sydney të Australisë, ekipi kanadez i basketbollit për meshkuj do të marrë pjesë sërish në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen vitin e ardhshëm në Paris. Ky kualifikim i shumëpritur u realizua dje (03.09.) falë fitores 88-85 ndaj ekipit të Spanjës, pas një përmbysjeje spektakolare të rezultatit në çerekun e katërt të ndeshjes, duke kaluar kësisoj mes 8 ekipeve më të forta në çerekfinalen e Kupës së Botës FIBA, që po zhvillohet me pjesëmarrjen e 32 shteteve në Japoni, Filipine dhe Indonezi (25 gusht - 10 shtator). Qysh nga viti 1994, ky ishte eliminimi i parë nga faza çerekfinale i ekipit spanjoll.
Eliminimi i Brazilit dhe Republikës Domenikane më herët në mëngjes, konfirmoi faktin që një fitore nga ana e kanadezëve do t’u jepte atyre një lejekalim për në Paris, një privilegj i rezervuar për dy skuadrat më të suksesshme të kontinentit Amerikan në botë. Anasjelltas, një disfatë do ta kishte eliminuar ekipin e Jordi Fernandez nga gara dhe do favorizonte Brazilin, i cili e vuri në vështirësi Kanadanë duke e mundur të premtën e kaluar (01.09.) me rezultatin 69-65.
“Sportistët më të mirë në botë shkojnë në Olimpiadë”, ka deklaruar pas fitores me Spanjën, Shai Gilgeous-Alexander, sërish lojtari deçiziv i Kanadasë me 30 pikë, 4 rikthime dhe 7 asistime. “Me grupin që patëm dhe rezultatet e arritura, e dinim se mund të siguronim një vend në Olimpiadë. Por puna nuk ka mbaruar. Duhet të synojmë medalje”, ka shtuar ai, ndërsa sipas trajnerit Fernandez, ekipi ka në radhët e veta shumë talente që mund ta rendisin atë ndër më të mirët në botë gjatë viteve në vijim.
Shai Gilgeous-Alexander
I intervistuar nga Radio-Canada Sports, Drejtori i Zhvillimit Kombëtar pranë Canada Basketball, Ron Yeung, pohoi se pas viteve të vështira për basketbollin kanadez të meshkujve, një paraqitje e parë në Lojërat Olimpike pas 24 vitesh është një hap gjigant.
Ndërkohë në ndeshjen çerekfinale të radhës Kanadaja do të ndeshet me Slloveninë të mërkurën më 6 shtator. Tre çiftet e tjerë çerekfinalistë janë Lituani-Serbi, Itali-SHBA dhe Gjermani-Letoni. Yeung
Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada Sports
Fotot: Radio-Canada; Canada Basketball;