Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 shtator 2023
- Published in Kanada

Erin Routliffe (Australi) dhe Gabriela Dabrowski (Kanada) fitueset e US Open 2023 në dyshe për femra
-British Columbia, një grup mjekësh denoncojnë financimin e pamjaftueshëm në Surrey
-Manitoba, shpërndahet parlamenti provincial dhe nis fushata për zgjedhjet e 3 tetorit
-Nova Scotia, vjedhjet e kabllove prej bakri në instalacionet elektrike penalizojnë banorët e provincës
-Québec, britaniku Adam Yates fiton Grand Prix të çiklizmit në Montréal
-Ontario, 53% e studentëve në nivelin e kolegjeve vijnë nga jashtë Kanadasë
British Columbia - Në Surrey, një grup mjekësh ka protestuar për të sensiblilizuar në lidhje më nevojat e mëdha për financim të sistemit shëndetësor në qytetin e dytë më të madh të provincës. Manifestimi i zhvilluar dje (09.09.) para godinës së bashkisë ku morën pjesë disa qindra vetë, u organizua nga Dr. Randeep Gill. “Duhet të përmirësojmë infrastrukturën në mënyrë që të trajtojmë më mirë pacientët tanë. Tani për tani, na duhet shpesh t’i transferojmë ata dhe kjo krijon vonesa”, ka deklaruar Gill, i cili është mjek urgjence. Përballë një popullsie në rritje dhe asaj që ai e konsideron si nënfinancim kronik në shëndetësi, Dr. Gill i ka kërkuar qeverisë të veprojë përpara se të jetë tepër vonë. Manifestimit iu bashkua dhe kryetarja e Bashkisë së Surrey, Brenda Locke, duke e quajtur problemin sistemik. “Thelbi është fakti se nuk ka burime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për shkak të mungesës së fondeve jo vetëm në Surrey, por në të gjithë Luginën Fraser”, tha ajo. Edhe pse, sipas organizatorëve, manifestimi ishte një ngjarje jopartiake, shumë zyrtarë të zgjedhur të BC United ishin të pranishëm, përfshirë deputeten e Surrey, Elenore Sturko. Në një intervistë, kreu i BC United, Kevin Falcon, fajësoi qeverinë e NDP, e cila sipas tij premton shumë pa marrë rezultate. Falcon iu referua veçanërisht ndërtimit të një spitali të dytë në Surrey, projekt i shpallur në vitin 2019, dhe një programi të ri mjekësie në kampusin Surrey të Universitetit Simon Fraser, dy projekte realizimi i të cilëve po ecën shumë ngadalë. Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë Adrian Dix, nën presion për problemet e vazhdueshme të personelit në spitalet e provincës, deklaroi të premten (08.09.) se pavarësisht përpjekjeve të qeverisë, sistemi vazhdon të përballet me një numër më të madh pacientësh se zakonisht.
Manitoba - Të martën e kaluar (05.09.) shefja e Partisë Progresiste-Konservatore dhe njëkohësisht kryeministre e provincës Manitoba, Heather Stefanson, u takua me lejtënant-guvernatoren Anita Neville për të firmosur shpërndarjen e parlamentit provincial dhe deklarimin e zgjedhjeve të përgjithëshme që përfundimisht do të zhvillohen më 3 tetor. Pas takimit, kryeministrja e Manitoba shpalli zyrtarisht fushatën zgjedhore që do të zgjasë 28 ditë. Për Heather Stefanson, këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme provinciale, qysh kur e mori postin në tetor 2021 dhe ajo shpreson që votuesit do t’i besojnë asaj dhe do t’i japin partisë së saj një mandat të tretë radhazi. Në momentin e shpërndarjes së Asamblesë Legjislative Provinciale, që ka gjithsej 57 deputetë, Partia Konservatore kishte 35 mandate, Partia e Re Demokratike (NDP) 18, Partia Liberale 3 dhe një vend ishte vakant. Sipas një sondazhi që daton nga qershori, dy partitë kryesore ishin kokë më kokë në sondazhe, me 41% të mbështetjes së votuesve të anketuar secila. Megjithatë, NDP kishte epërsinë tek votuesit e Winnipeg, rajon vendimtar për t’i fituar zgjedhjet në Manitoba, sepse në Winnipeg ndodhen 32 nga 57 zonat elektorale të provincës.
Nova Scotia - Kompania e furnizimit me energji elektrike në provincën Nova Scotia ka deklaruar së fundmi vjedhje të përsëritura të kabllove dhe telave të bakrit në instalacionet e saj. Sipas Nova Scotia Power, më shumë se 30 vjedhje të tilla kanë ndodhur deri tani gjatë 11 muajve të fundit. P.sh. në nëntor të vitit të kaluar, vjedhja e bakrit nga një nënstacion i zonës Halifax u bë shkak për një ndërprerje të energjisë elektrike që preku 11,000 klientë. Ndërkohë, muajin e kaluar, një vjedhje bakri në Dartmouth shkaktoi po ashtu ndërprerje energjie në 10,000 banesa. Sipas Chad Drover, drejtor i sistemit të furnizimit pranë Nova Scotia Power, “vjedhësit rrezikojnë jetën e tyre kur marrin bakër nga nënstacionet elektrike dhe nëse bakri vidhet, duhet të bëhen riparime”. Kjo situatë rrit kostot operative për shpërndarësin e energjisë elektrike në provincë. Nëse disa riparime mund të bëhen pa e ndërprerë rrymën, në disa raste të tjerë, Nova Scotia Power i duhet t’ua ndërpresë atë klientëve për të përfunduar punën. Kompania i mbron objektet e saj me rrethim me tela me gjemba dhe tashmë po planifikon të shtojë kamera vëzhgimi. Gjithashtu, për të dekurajuar vjedhësit, po shqyrtohet mundësia e përdorimit të kabllove që nuk përmbajnë bakër dhe kanë më pak vlerë në rishitje. Ekspertë të së Drejtës penale pohojnë megjithatë që një ndryshim në pajisje duhet të komunikohet qartë, sepse nëse hajdutët nuk e dinë që nuk ka bakër në objekt, ata do të hyjnë përsëri dhe do të ndërhyjnë në instalimet elektrike.
Québec - Britaniku Adam Yates ka fituar sot (10.09.) Grand Prix të Çiklizmit në Montréal. Britaniku nga ekipi Team Emirates, Emiratet e Bashkuara Arabe, i treti në klasifikimin e përgjithshëm të Tour de France këtë vit dhe çiklisti më i shpejtë vitin e kaluar në Montréal, kaloi në epërsi pikërisht në xhiron e fundit duke e lënë pas francezin Pavel Sivakov (INEOS-Grenadiers). Yates e siguroi fitoren me një sprint në metrat e fundit në Parc Avenue. Michael Woods (Israel-Premier Tech), i cili synonte podiumin, përfundoi në vendin e 15-të. Ky ishte rezultati më i mirë kanadez. “Ishte një garë super e vështirë në çdo drejtim. Është e gjatë, ka shumë rritje të lartësisë, edhe nëse ngjitjet janë mjaft të shkurtra. Në xhiron e fundit arrita ta gjej besimin për të dhënë maksimumin”, ka deklaruar Yates pas fitores. Në total, garuesit përshkuan 221.4 kilometra nga të cilët 4824 metra rritje në lartësi. Për herë të parë ky kompeticion është zhvilluar në vitin 2010 dhe edicioni i sivjetëm ishte i dymbëdhjeti.
Ontario - Sipas një studimi të kryer në Toronto, investimi i pamjaftueshëm i qeverisë së Ontarios në nivelin pas arsimit të mesëm i ka orientuar kolegjet dhe universitetet tek studentët e huaj, deri në pikën ku studentët indianë kontribuojnë më shumë në të ardhurat operative të sistemit kolegjial sesa provinca. “Ontario është një provincë ku financimi i pamjaftueshëm i institucioneve (post-sekondare) është një çështje për të cilën të gjitha palët bien dakord”, shkruan qysh në fillim autori i studimit, Alex Usher, president i firmës konsulente Higher Education Strategy Associates. Të ardhurat institucionale nga provinca kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2010-2011. Në vitin 2019, provinca i uli tarifat e shkollimit me 10% për studentët e kolegjit dhe universitetit në Ontario dhe qysh atëherë nuk i ka ndryshuar. “Ontario ishte provinca e parë që veproi në këtë mënyrë ndërkohë që tarifat e shkollimit ishin tashmë më të rëndësishme si burim të ardhurash sesa investimet publike”, shpjegoi Alex Usher në një intervistë për CBC/Radio-Canada. Këto rrethana kanë çuar në rritjen e mbështetjes tek studentët e huaj. Sot, afërsisht 53% e studentëve të kolegjeve të Ontarios vijnë nga jashtë. Përveç kësaj, në universitete, studentët ndërkombëtarë të diplomuar kanë paguar mesatarisht 45,242 dollarë tarifa shkollimi gjatë vitit të kaluar akademik, shuma më e lartë në vend. Mesatarja kanadeze është 36,123 dollarë në vit. Alex Usher beson se qeveria e Ontarios duhet të rishikojë fondet bazë të ofruara për kolegjet dhe universitetet. “Situata duhet të merret seriozisht sepse institucionet kërkojnë dekada për t'u zhvilluar dhe mund të shkatërrohen brenda pak muajsh”, ka përfunduar ai.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press;