Kanada

Kanadaja mund SHBA dhe fiton medaljen e bronztë në Botërorin e basketbollit për meshkuj

  • Published in Kanada

Medalja e parë kanadeze në histori në Kupën e Botës FIBA ​​për meshkuj. Gjermania mposht Serbinë në finale dhe fiton titullin e parë botëror në historinë e saj.

Ekipi kanadez i basketbollit për meshkuj i befasoi sot (10.09.) Shtetet e Bashkuara me rezultatin 127-118 në kohën shtesë, në ndeshjen për vendin e tretë dhe të katërt që u zhvillua në Filipine, duke siguruar medaljen e bronztë në Kupën e Botës FIBA 2023. Kjo medalje është e para në historinë e pjesëmarrjeve të Kanadasë në këtë kompeticion.

Gjatë ndeshjes që u shoqërua me shumë momente dramatike, sidomos në fund të periudhës së katërt që i parapriu shtesës, Dillon Brooks (1.98) arriti të shënojë 39 pikë, një rekord personal i tij në këtë kampionat. Ai gjithashtu mori dhe titullin e lojtarit më të mirë mbrojtës të turneut. “Jam krenar që mbaj këtë fanellë”, deklaroi ai pas ndeshjes. “Kam munguar në disa ndeshje kualifikuese, ndaj dhe jam i lumtur që u ndodha sot këtu me kolegët e mi dhe përfaqësova vendin tim”.

Ylli tjetër i ekipit kanadez, organizatori Shai Gilgeous-Alexander, i cili shënoi 31 pikë në takimin e sotëm u nominua dhe në pesëshen më të mirë të Botërorit.

Triumfi kanadez ndaj SHBA kurorëzon një turne historik për kombëtaren e meshkujve, e cila nuk kishte arritur asnjëherë të renditej ndër katër skuadrat më të mira në finalet e një kampionati botëror. Po kështu, me rezultatin e sivjetëm, pas daljes në çerekfinale ku mundi Spanjën, Kanadaja siguroi dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Hera e fundit kur ekipi kanadez ka qenë pjesë e një Olimpiade, ka qenë viti 2000 në Sydney të Australisë

Ndërkohë, titullin e Botërorit 2023 në finalen e madhe e siguroi Gjermania që mposhti Serbinë 83-77. Kjo është medalja e parë e artë për gjermanët në Kupën e Botës, duke u ngjitur në podium për herë të dytë, pasi patën fituar medaljen e bronztë në 2002. Serbia mori pjesë në finalen e saj të dytë. Në vitin 2014, ajo humbi përballë Shteteve të Bashkuara.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Getty Images/Yong Teck Lim