Kanada

Avioni me defekt shtyn kthimin e kryeministrit Trudeau nga India në Kanada

  • Published in Kanada

Prej tri ditësh kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe delegacioni që e shoqëroi në Samitin e G20 që u zhvillua në Indi, janë në pritje të kthimit në Kanada. Vonesa ka ardhur për shkak të një defekti të konstatuar në avionin qeveritar para nisjes drejt Ottawa. Ky lajm u bë publik qysh të dielën nga disa media kanadeze, ndërsa dje (11.09.), Kabineti i kryeministrit ka konfirmuar përfundimisht që nisja nga India drejt Kanadasë do të bëhet sot (12.09.) pasdite vonë, me orën e Indisë.

Sipas informacioneve të Radio-Canada, nuk bëhet fjalë për një avari mekanike, por për defektin e një pajisjeje të domosdoshme për navigimin, që në terma më të thjeshtë do të thotë se avioni është fizikisht i aftë të fluturojë, por për shkak të këtij defekti nuk lejohet ligjërisht ta bëjë këtë. Mësohet se problemi është konstatuar gjatë kontrolleve para fluturimit në pistën e aeroportit të New Delhi, kryqytetit të Indisë.

Pak kohë pasi lajmi u bë i ditur, një teknik i Forcave të Armatosura Kanadeze u dërgua menjëherë në Indi me një pjesë rezervë, e nevojshme për riparimin e CC-150 Polaris (ekuivalenti i avionit civil Airbus A310-300), mjet që është në shërbim prej më shumë se 30 vjetësh. Nëse riparimi do mund të kryhet shpejt, avioni i Justin Trudeau do mund të largohet nga New Delhi së bashku me delegacionin dhe kryeministrin në bord. Nëse riparimi nuk funksionon, avioni i dytë i planifikuar nga Royal Canadian Air Force do niset sot (12.09.) herët në mëngjes nga Londra drejt Indisë për të siguruar kthimin e kreut të ekzekutivit në Kanada.

Problem i përsëritur

Kjo nuk është hera e parë që mjetet e fluturimit të përdorur nga kryeministri Trudeau kanë probleme. Në tetor 2016, një avion që do ta çonte atë në Belgjikë u detyrua të kthehej në Ottawa 30 minuta pas ngritjes nga pista. Në vitin 2019, kur ai u nis për në Londër në Samitin e NATO-s, avioni kryesor u desh të ndërrohej sepse kishte pësuar një avari. Para largimit nga Londra, edhe avioni rezervë u konsiderua pas verifikimeve si jofunksional, duke e detyruar ekipin e kryeministrit të siguronte një avion tjetër për kthimin në Kanada.

CC-150 Polaris

Flota ajrore qeveritare përbëhet nga avionë shumë të vjetër, të përdorur qysh nga koha e kryeministrit konservator Brian Mulroney. Pesë avionët CC-150 Polaris të Forcave Ajrore Mbretërore Kanadeze janë në shërbim qysh nga viti 1992. Afati i lejuar i përdorimit të tyre përfundon në vitin 2027.

Avionët e rinj thuajse gati

Flota e re e avionëve (CC-330 Husky) për transportin e Kryeministrit dhe Guvernatorit të Përgjithshëm ka mbërritur në Ottawa 31 gushtin e kaluar. Ata janë pjesë e një kontrate të firmosur me Airbus Defence and Space, që parashikon furnizimin me 9 avionë (4 të rinj dhe pesë pak të përdorur), më një vlerë totale 3,6 miliardë dollare (plus taksat). Pjesa e brendshme e pajisjeve të tyre do duhet akoma të përshtatet për nevojat e qeverisë. Për më tepër, pilotët dhe ekuipazhi duhet të trajnohen. Kjo flotë e re avionësh do jetë operacionale në vjeshtën e sivjetme.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Sean Kilpatrick