Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 shtator 2023
- Published in Kanada

Kryeministri Justin Trudeau mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët së bashku me Sanna Marin, ish-kryeministre e Finlandës, gjatë Samitit Global të Veprimit për Progres në Montreal, të shtunën, 16 shtator 2023.
-British Columbia, largohet kontigjenti ushtarak që u dërgua për zjarret në pyje
-Alberta, bashkia Calgary miraton një strategji për strehimin e përballueshëm
-Nova Scotia, për herë të parë në qeverinë provinciale një ministre nga black community
-Québec, zhvillohet në Montréal Samiti Global i Veprimit për Progres
-Ontario, deputetë dhe vreshtarë kërkojnë abrogimin e një takse mbi prodhimin e verës
British Columbia - Forcat e Armatosura Kanadeze që u dërguan për përforcim 25 gushtin e kaluar në kuadër të zjarreve në pyje, janë larguar tashmë nga British Columbia. Kamionë të mëdhenj të gjelbër përshkuan këtë javë rrugët e provincës, duke i kthyer ushtarakët në bazat e tyre përkatëse. Grupi i fundi u larguan nga Prince George, të premten (15.09.). Largimi i kontigjentit të ushtrisë nisi qysh më 12 shtator duke i dhënë fund ndihmës në operacione dhe koordinimit të përgjithshëm, si dhe mbështetjes në terren për shuarjen e zjarreve. 150 ushtarët u vendosën në provincën e Pacifikut më 28 gusht pasi ishin trajnuar për t’u përballur me zjarret. Ata fillimisht shkuan në Vernon, më pas më 29 gusht ata i dhanë përparësi veriut të provincës duke lëvizur drejt Prince George për shkak të zjarreve që u intensifikuan në atë zonë. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga provinca më 18 gusht u abrogua më 14 shtator. Sipas BC Wildfire, në provincë numërohen ende 397 zjarre pyjore, duke përfshirë 148 të cilët nuk janë nën kontroll. Njoftimi i fundit zyrtar konfirmon 370 prona nën urdhër evakuimi dhe 18,000 të tjera në gjendje alarmi.
Alberta - Këshilltarët e Bashkisë Calgary kanë votuar këtë javë 12-3 në favor të strategjisë së re të strehimit. Votimi u krye pas një takimi maratonë tre-ditor, gjatë të cilit 162 banorë ndanë me të zgjedhurit e tyre mendimet rreth krizës së strehimit në qytet. Strategjia e re parashikom një nxitje financiare për ndërtimin e banesave me qira në katet gjysëm nën tokë, miratimin e rregullave të reja të zonimit për të autorizuar shtëpitë në rresht dhe duplekset në të gjithë qytetin, apo edhe përdorimin e tokës pronë e bashkisë për projekte banimi. Objektivi i kësaj strategjie është rritja e stokut të pasurive të paluajtshme, që të plotësohet kësisoj në mënyrë adekuate kërkesa dhe që të bëhet më e përballueshme marrja me qira ose blerja e një banese. Referuar një raporti të publikuar nga Bashkia, në Calgary, të paktën një në pesë familje nuk kishte mjete financiare të mjaftueshme për të përballuar strehimin në vitin 2021. Sipas këshilltarit Courtney Walcott, ky votim i jep bashkisë autorizimin për të zgjidhur një problem. “Ky është një ndryshim i madh”, deklaroi ai për Radio-Canada. Amendamentet e strategjisë përfshijnë ndër të tjera strehimin e familjeve të pastreha në banesa parafabrikate këtë dimër. Bashkia do të jetë përgjegjëse për gjetjen e dy parcelave të nevojshme për vendosjen e tyre. Një financim prej 25 milionë dollarësh për strehimin e studentëve është përfshirë gjithashtu në këtë dokument. Financimi i strategjisë do të duhet të diskutohet gjatë debatit për buxhetin e bashkisë të planifikuar në nëntor. Rregulloret e reja pritet të miratohen vitin e ardhshëm dhe procesi do t’i nënshtrohet gjithashtu konsultimit publik. Sipas administratës bashkiake, strategjia do të kushtojë fillimisht 57.5 milionë dollarë, më pas 27 milionë dollarë shpenzime vjetore dhe një investim kapital prej 10 milionë dollarë në vit.
Nova Scotia - Kryeministri i provincës Nova Scotia, Tim Houston njoftoi të enjten e kaluar (14.09) riorganizimin e qeverisë së tij. Disa deputetë të rinj kanë hyrë në kabinet dhe më e veçanta është se për herë të parë në qeverinë e provincës Atlantike do të ketë një ministër përfaqësues të komunitetit me origjinë nga kontinenti afrikan. Ministrja e re nga ky komunitet quhet Twila Grosse, e sapozgjedhur deputete, fituese në zgjedhjet e parakohshme në zonën elektorale Preston, që u zhvilluan më 8 gusht 2023. Grosse, e lindur dhe rritur në Cherry Brook (NS) si dhe e diplomuar për Financa në Mount Saint Vincent University, ka punuar 36 vjet në Halifax Stanfield International Airport. Ajo u emërua Ministre përgjegjëse për Shërbimin Publik. Në një deklaratë për shtyp, kryministri Houston e cilësoi emërimin e saj një emërim historik për provincën.
Québec - “Në një epokë kur shumë çështje shqetësojnë qytetarët, që nga ndryshimet klimatike te ekonomia, udhëheqësit progresistë duhet të ofrojnë zgjidhje konkrete për të parandaluar që ata të orientohen drejt partive të krahut të djathtë të cilat reflektojnë zemërimin e tyre”, është shprehur kryeministri kanadez Justin Trudeau, prezent në një panel mbi udhëheqjen progresiste të organizuar gjatë Samitit të Veprimit të Progresit Global, i cili u zhvillua dje (16.09.) në Montreal. Udhëheqësit e ndryshëm pjesëmarrës theksuan masat e marra në vendet e tyre për t'u përballur me krizat e shumta që prekin të gjithë botën, për shembull të pastrehët apo dhe me rëndësinë në rritje të rrjeteve sociale. Gjatë këtij aktiviteti, kryeministri Trudeau u takua me disa liderë ndërkombëtarë, duke përfshirë kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store, ish-kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe ish-kryeministren e Finlandës, Sanna Marin. Samiti i Veprimit të Progresit Global u organizua nga grupi i reflektimeve Canada 2020 në bashkëpunim me Center for American Progress Action Fund, një institut i pavarur i politikave amerikane.
Ontario - “Për të krijuar një pasuri të vogël me aktivitetin e prodhimit të verës, së pari duhet të kesh një pasuri të madhe”. Kështu shprehet me humor prodhuesi i verës nga Ontario, Jakub Lipinski, familja e të cilit drejton kantinën Big Head Wines. Kjo shaka e kahershme, që qarkullon në rajonin e Niagarës, shpreh qartë shqetësimet e kultivuesve të verës në këtë provincë në lidhje me regjimin tatimor të aktivitetit të tyre. Sipas Lipinski, taksat e vendosura nga provinca përbëjnë 65% të çmimit të një shisheje. Prodhuesi i verës vizitoi ditët e fundit Parlamentin e Ontarios për të shprehur mbështetjen e tij për projektligjin e iniciuar nga deputeti i NDP, Wayne Gates, i cili planifikon ta prezantojë atë në vjeshtë. Projekti ka për synim të suprimojë një nga taksat mbi kantinat e verës, më konkretisht një taksë bazë prej 6,1% për të gjitha shitjet me pakicë të verërave 100% të prodhuara në Ontario. “Kjo taksë që nuk aplikohet mbi verërat e importuara nga jashtë, i ndëshkon prodhuesit vendas”, ka deklaruar deputeti Gates. Dhoma e Tregtisë e Ontarios ka bërë thirrje gjithashtu që kjo taksë të hiqet, ndërsa qeveria e Ontarios ende nuk e ka komentuar projektligjin.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada; The Canadian Press/Graham Hughes;
Fotot Radio-Canada