Kanada

Vrasja e një kanadezi me origjinë indiane provokon krizë diplomatike mes Kanadasë dhe Indisë

  • Published in Kanada

Prej të hënës (18.09.) marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Indisë, fuqisë së pestë ekonomike në botë, janë përfshirë nga një krizë diplomatike pa precedent. Të dy vëndet kanë dëbuar tashmë secili nga një diplomat. Shkak për krizën është bërë vrasja në 18 qershor 2023 në Surrey të British Columbia e Hardeep Singh Nijjar, një indipendentist sikh me shtetësi kanadeze. Aktualisht në Kanada jetojnë rreth 1,3 milionë shtetas me origjinë indiane, çka përfaqëson rreth 4% të popullsisë totale në vend. Ndërkohë tre ministra të rëndësishëm të kabinetit Trudeau janë me origjinë indiane (përfshi Presidenten e Këshillit të Thesarit, Anita Anand), sikurse dhe lideri i NDP, Jagmeet Singh, partia që mbështet Liberalët në minorancë.

Çështja u bë publike të hënën pasdite (18.09.) në Dhomën e Deputetëve, pikërish në seancën e parë pas pushimeve verore. Nga ana e tij, kryeministri Justin Trudeau denoncoi rolin e mundshëm të qeverisë indiane në ekzekutimin e Nijjar. Sipas Trudeau, agjencitë kanadeze të sigurisë kanë hetuar gjatë javëve të fundit dhe kanë të dhëna të besueshme për të krijuar një lidhje të mundshme midis përfaqësuesve të qeverisë së Indisë dhe vrasjes së një qytetari kanadez.

“Kanadaja është një shtet ligjor. Mbrojtja e qytetarëve tanë si dhe mbrojtja e sovranitetit tonë janë thelbësore. Përfshirja e çdo qeverie të huaj në vrasjen e një qytetari kanadez në tokën kanadeze, përbën një shkelje të papranueshme të sovranitetit tonë. Një akt i tillë bie ndesh me rregullat themelore që drejtojnë shoqëritë e lira, të hapura dhe demokratike.”, ka theksuar kryeministri kanadez.

Kryeministri pohoi gjithashtu para deputetëve se e ka diskutuar këtë çështje personalisht me homologun e tij indian, Narendra Modi, gjatë takimit të tyre javën e kaluar në samitin e G20 në New Delhi, në datën 10 shtator. Ai ka ripërsëritur po ashtu kërkesën që India të bashkëpunojë me Kanadanë për të sqaruar këtë çështje duke pritur që qeveria indiane “të ripohojë se pozicioni i saj për operacionet ekstra-juridike në një vend tjetër është qartësisht dhe pa mëdyshje në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Hardeep Singh Nijaar

Ndërkohë, bëhet e ditur se Hardeep Singh Nijjar (45 vjeç) ishte presidenti i një tempulli të madh Sikh në Surrey, British Columbia, Guru Nanak gurdwara. Ai ishte i njohur për aktivizimin e tij në favor të krijimit të një shteti të ri të pavarur, Khalistan (në një zonë mes Indisë dhe Pakistanit), që do të përfshinte veçanërisht Punjab, një rajon i Indisë me shumicë sikh. Nga ana e saj India e konsideronte Hardeep Singh Nijjar një terrorist. Në vitin 2016, ky i fundit i pat dërguar një letër Justin Trudeau, në të cilën deklaronte se ndodhej padrejtësisht i shënjestruar nga New Delhi për aktivitetet e tij paqësore.

Dëbim reciprok diplomatësh dhe mohim i akuzës nga India

Pas akuzave të rënda të kryeministrit Trudeau në adresë të Indisë, ministrja e Punëve të Jashtme kanadeze, Mélanie Joly, njoftoi dëbimin e diplomatit të lartë indian, Pavan Kumar Rai. Ky diplomat është kreu i Research and Analysis Wing (RAW), agjencia indiane e inteligjencës së jashtme, në Kanada. Nga ana e tij, ministri i Sigurisë Publike Dominic LeBlanc deklaroi se RCMP (Policia Federale Kanadeze) po drejton hetimin për vrasjen e Hardeep Singh Nijjar me qëllim “dërgimin e personave përgjegjës para drejtësisë”.

Duke reaguar ndaj akuzave të palës kanadeze, Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë mohoi çdo përfshirje në vrasjen e aktivistit sikh në tokën kanadeze. New Delhi njoftoi gjithashtu dëbimin e një diplomati të rangut të lartë kanadez. “Vendimi pasqyron shqetësimin në rritje për ndërhyrjen e diplomatëve kanadezë në punët tona të brendshme dhe përfshirjen e tyre në aktivitetet anti-indiane. Ky dëbim i përgjigjet dëbimit të një diplomati të lartë indian të shpallur disa orë më parë nga Kanadaja”, thuhej në deklaratën e dikasterit të diplomacisë indiane.

Një ditë më pas Trudeau zbut disi tonet

Kryeministri Justin Trudeau është shprehur sërish dje (19.08.) lidhur me akuzat ndaj Indisë për vrasjen në fjalë, duke përsëritur thirrjen që “kjo çështje duhet të merret seriozisht”. Gjithsesi, në aparencë toni i tij është dukur më i zbutur, kur është shprehur se nuk kërkonte “përshkallëzim” me këtë vend, aktualisht fuqia e pestë botërore dhe shteti demokratik me numër më të madh popullsie në botë. “Ne nuk kërkojmë provokim apo përshkallëzim. Ne po i paraqesim faktet siç i njohim dhe duam të punojmë me qeverinë e Indisë për ta sqaruar këtë ngjarje”, tha Trudeau

Para se të hynte në mbledhjen e qeverisë, ai përsëriti gjithashtu thirrjen e tij për qetësi, duke pohuar se autoritetet kanadeze po vazhdojnë hetimet e tyre të nisura që nga vrasja e Hardeep Singh Nijjar në qershor. Ai rikonfirmoi gjithashtu besimin e tij në aftësitë e shërbimeve të inteligjencës për të mbrojtur qytetarët kanadezë.

Shefi i Konservatorëve Pierre Poilievre kërkon më shumë informacion

Kreu i opozitës zyrtare, Pierre Poilievre, reagoi fillimisht qysh të hënën në Parlament, duke deklaruar se “nëse këto akuza janë të vërteta, kjo përben një fyerje skandaloze ndaj sovranitetit kanadez”. Njëkohësisht, ai ofroi ngushëllimet e tij për të afërmit e Hardeep Singh Nijjar, duke u kërkuar autoriteteve indiane të jenë transparente, “sepse e vërteta duhet të zbulohet absolutisht mbi autorët dhe sponsorët e këtij krimi”. Poilievre u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin diasporën indiane në Kanada. “Ne jemi të gjithë kanadezë. Ky është vendi ynë. Ne duhet të jemi të bashkuar për vendin tonë dhe për njëri-tjetrin”, tha lideri konservator.

Ndërkohë, në një konferencë për shtyp gjatë ditës së djeshme (19.09.), kreu i Partisë Konservatore u tregua i rezervuar në raport me akuzat e kryeministrit Trudeau ndaj Indisë, duke i bërë këtij të fundit thirrje për më shumë transparencë dhe duke pohuar se nuk kishte marrë asnjë informacion privatisht prej tij.

“Kryeministri duhet t’i publikojë të gjitha faktet. Ne duhet të shqyrtojmë provat që e lejuan atë të arrijë në përfundimet që bëri dje, pra na duhet më shumë informacion përpara se të arrijmë në një konkluzion”, u deklaroi ai gazetarëve në Ottawa.

Washington dhe Londra mbështesin kryerjen e një hetimi

Kriza diplomatike Kanada-Indi ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara. Dje (19.09.), Shtëpia e Bardhë deklaroi se ishte thellësisht e shqetësuar nga akuzat e bëra prej qeverisë kanadeze. “Është shumë e rëndësishme që hetimi i Kanadasë të vazhdojë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, komentoi Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm britanik James Cleverly u shpreh se Londra mbështet hetimin nga Ottawa të vrasjes së Hardeep Singh Nijjar. Cleverly, i cili u deklarua për këtë çështje nga New York, në selinë e Kombeve të Bashkuara, pohoi gjithashtu se kishte zhvilluar një takim të posaçëm për këtë temë me kryeministrin Justin Trudeau. “Është veçanërisht e rëndësishme që t'i lëmë autoritetet kanadeze të kryejnë hetimin e tyre, pa spekuluar mbi përfundimet e saj”, deklaroi kreu i diplomacisë britanike.

Marrëdhëniet Kanada-Indi sipas Global Affairs Canada

Në website të Global Affairs Canada deri dje (19.09.) nuk lexohej ndonjë ndryshim që reflekton krizën aktuale mes dy vendeve.

Në vija të përgjithëshme marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Indisë aty përshkruhen si më poshtë:

Kanadaja dhe India kanë një marrëdhënie të gjatë dypalëshe të bazuar në një angazhim të përbashkët ndaj demokracisë dhe pluralizmit, si dhe në lidhje të forta midis popullsive të tyre. Kanadaja ka një nga komunitetet më të mëdha me origjinë indiane në botë; në fakt, afërsisht 4% e kanadezëve janë me prejardhje indiane (1.3 milionë qytetarë).

Një numër në rritje i dialogjeve zyrtare, marrëveshjeve, memorandumeve të mirëkuptimit dhe grupeve të punës po ndihmon në forcimin e lidhjeve të thella kulturore dhe politike midis dy vendeve. Në nivel ministror, ​​Kanadaja dhe India kanë një partneritet strategjik në të cilin dialogu në fushat e mëposhtme luan një rol themelor: politika e jashtme; tregtia dhe investimet; shërbimet financiare; energjia. Në nivel të nëpunësve civilë, grupet e punës shqyrtojnë rregullisht çështjet e mëposhtme: lufta kundër terrorizmit; siguria; bujqësia; arsimimi; shkenca dhe teknologjia.

Sanjay Kumar Verma, komisioneri i lartë i Indisë - Ottawa

Në Indi, Kanadaja përfaqësohet nga komisioneri i saj i lartë në New Delhi. Ajo gjithashtu ka konsullata të përgjithshme në Bengaluru, Chandigarh dhe Mumbai, përveç zyrave tregtare në Ahmedabad, Chennai, Hyderabad dhe Kalkuta. Përveç kësaj, ministria kanadeze e Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë (IRCC) ka një prani të fortë në Indi, pasi komisioneri i lartë në New Delhi drejton dhe zyrën më të madhe kanadeze të vizave jashtë vendit. India përfaqësohet në Kanada nga një komisioner i lartë në Ottawa dhe konsullatat në Toronto dhe Vancouver.

Një treg me përparësi për Kanadanë, në vitin 2021, India ishte partneri i 10-të tregtar i saj. India është një partner kyç pasi Kanadaja po forcon lidhjet e saj ekonomike në rajonin Indo-Paqësor si pjesë e strategjisë së saj të re globale. Kanadaja dhe India po punojnë për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Ekonomik dhe një Marrëveshjeje për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve të Huaja (FIPA) si dhe janë të përkushtuara për zhvillimin e dialogut të rregullt ministror mbi tregtinë dhe investimet, për të eksploruar mënyra të reja për thellimin e marrëdhënieve tregtare.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Global Affairs Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press