Kanada

Vrasja e një militanti sikh: Ottawa deklaron se ka prova të forta kundër Indisë

  • Published in Kanada

Qeveria kanadeze ka deklaruar sot (21.09.) se ka prova të forta që lidhin zyrtarët e qeverisë indiane me vrasjen e militantit sikh Hardeep Singh Nijjar në Surrey të British Columbia qershorin e kaluar, madje sipas Ottawa, autoritetet indiane privatisht nuk i kanë mohuar akuzat.

Sipas informacionit të marrë nga CBC, këshilltarja e Sigurisë Kombëtare e kryeministrit Justin Trudeau, Jody Thomas, e ka vizituar Indinë dy herë në javët e fundit: fillimisht nga 16 deri më 19 gusht, më pas nga 6 deri më 11 shtator, gjatë ditëve të Samitit të G20, ku mori pjesë dhe kryeministri kanadez. Gjatë këtyre vizitave, asnjë përfaqësues i qeverisë së kryeministrit indian Narendra Modi nuk i ka mohuar pretendimet e qeverisë së Kanadasë.

Jody Thomas

Për të argumentuar qëndrimin e saj, qeveria kanadeze ka pohuar se i referohet jo vetëm të dhënave prej burimeve në terren, por edhe informacioneve që rezultojnë nga përgjimet e komunikimeve prej rrjetit Five Eyes, një organizatë survejimi që përveç Kanadasë grupon dhe Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Zelandën e Re. Disa prej këtyre përgjimeve elektronike përfshijnë edhe diplomatë indianë që operojnë në Kanada.

Informacioni i ri i sotëm, u bë publik pas njoftimit të qeverisë indiane për pezullimin e trajtimit të aplikimeve për viza nga qytetarët kanadezë. Po sot, Komisariati i Lartë Kanadez në Indi, denoncoi kërcënimet në internet që u adresohen diplomatëve kanadezë.

Hardeep Singh Nijjar

Kriza diplomatike mes Kanadasë dhe Indisë ka nisur shtatë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të pranverës 2024 në Indi. Ajo u bë publike të hënën e kësaj jave (18.09.) kur kryeministri Justin Trudeau denoncoi në Dhomën e Komunave rolin e mundshëm të qeverisë indiane në vrasjen e kanadezit me origjinë indiane Hardeep Singh Nijjar.

Nijjar prej vitesh pat milituar për krijimin e një shteti të pavarur, Khalistan-it, që nëse bëhej realitet do të përfshinte Punjab, një rajon me shumicë sikh, i ndarë midis Indisë dhe Pakistanit. Nga ana e saj, Agjencia Kombëtare e Hetimit (NIA), një agjenci e qeverisë indiane për luftën kundër terrorizmit, e pat shpallur atë terrorist.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Paul Chiasson/Justin Tang