Kanada

Kanada - Mbërrin për një vizitë zyrtare në Ottawa presidenti ukrainas Zelensky

  • Published in Kanada

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe nga mediat prej dy ditësh, kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi dje (21.09.) përmes një komunikate për mediat se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i shoqëruar nga Zonja e parë, Olena Zelenska, do zhvillojë një vizitë zyrtare në Kanada. Kjo është vizita e dytë e tij në vend, por e para qysh nga fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. Ndërkohë, mësohet se avioni i nisur nga Washington-i me presidentin Zelensky në bord, ka mbërritur mbrëmë në aeroportin ndërkombëtar të Ottawa-s, në orën 23:17. Sapo ka shkelur tokën kanadeze atij ia kanë uruar mirëseardhjen kryeministri Trudeau dhe zëvendëskryeministrja Freeland, të shoqëruar nga ambasadorja e Ukrainës në Kanada, Yulia Kovaliv.

Presidenti ukrainas do të pritet sot (22.09.) në takime të veçanta nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe nga kryeministri Justin Trudeau, i cili do të konfirmojë sërish angazhimin e Kanadasë për të vazhduar mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën si dhe do të njoftojë akordimin e një ndihme suplementare (pajisje ushtarake dhe mbështetje psikologjike për viktimat e luftës). Pas takimit kokë më kokë, Trudeau dhe Zelensky do të nënshkruajnë një marrëveshje për forcimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Presidenti ukrainas do të mbajë gjithashtu edhe një fjalim në Parlamentin kanadez, ndërsa më pas, së bashku me kryministrin Trudeau, ata do të udhëtojnë drejt Torontos, ku do të takohen me drejtues biznesi kanadezë, për të nxitur rritjen e investimeve të sektorit privat në të ardhmen e Ukrainës, si dhe do të marrin pjesë në një aktivitet ku do të jenë prezent përfaqësues të komunitetit ukrainas-kanadez.

Programi i vizitës (22.09.2023)

Ottawa

10:00 - Takim me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon;

10:40 - Kryeministri Justin Trudeau do t’i urojë mirseardhjen presidentit Zelensky para Parliament Hill;

10:45 - Ceremoni zyrtare e pritjes;

11:00 - Takim dypalësh mes kryeministrit Justin Trudeau dhe presidentit Volodymyr Zelensky;

11:30 - Takim i zgjeruar dypalësh Trudeau-Zelensky ku do të marrin pjesë gjithashtu zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave, Chrystia Freeland, ministri i Mbrojtjes, Bill Blair, ministrja e Punëve të Jashtme, Mélanie Joly dhe ministrja e Promovimit të Eksportit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit Ekonomik, Mary Ng;

13:00 - Kryeministri Trudeau dhe presidenti Zelenskyy do mbajnë fjalime para deputetëve në Dhomën e Komunave;

14:40 - Ceremoni zyrtare nënshkrimi Trudeau-Zelensky;

14:45 - Konferencë e përbashkët shtypi Trudeau-Zelensky.

Toronto

18:30 - Kryeministri Trudeau, zëvendëskryeministrja Chrystia Freeland dhe presidenti Zelensky do marrin pjesë në një tryezë të rrumbullakët me drejtuesit e biznesit kanadez;

20:30 - Ceremoni me prezencën e komunitetit ukrainas kanadez.

Fakte për t’u nënvizuar

-Që nga janari i vitit 2022, Kanadaja ka dhënë më shumë se 8.9 miliardë dollarë mbështetje për Ukrainën, 4.95 miliardë dollarë mbështetje direkte financiare dhe më shumë se 1.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, e cila përfshin tanke Leopard 2, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe artileri, mjete të blinduara dhe municione. Në Buxhetin e vitit 2023, Kanadaja miratoi një hua prej 2.4 miliardë dollarë për qeverinë e Ukrainës, për ta ndihmuar atë të përmbushë nevojat e saj buxhetore. Kanadaja është vendi i G7 që i ka ofruar Ukrainës nivelin më të lartë të ndihmës direkte financiare për frymë.

-Kanadaja po ofron ndihmë më të gjerë ushtarake për Ukrainën dhe mbështetje për aleatët e saj të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Kanadaja ka zgjatur afatin e Operacionit UNIFIER deri në vitin 2026, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e Forcave të Armatosura Kanadeze (CAF) për të përmbushur nevojat urgjente të trajnimit të Ukrainës. Kanadaja gjithashtu rinovoi dhe zgjeroi Operacionin REASSURANCE, misioni më i madh i Kanadasë përtej oqeanit Atlantik, përmes të cilit ajo kontribuon në masat e sigurisë dhe parandalimit të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore.

-Ushtria kanadeze kontribuon në dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë nga Kanadaja si dhe nga aleatët dhe partnerët e saj; më shumë se 12 milionë paund donacione ushtarake janë transportuar që nga marsi 2022.

-Që nga janari 2022, Kanadaja ka dhuruar 352.5 milionë dollarë ndihmë humanitare për të trajtuar pasojat humanitare të pushtimit rus të Ukrainës dhe vendeve fqinjë si dhe ka mirëpritur në territorin kanadez më shumë se 175,000 ukrainas.

-Në vitin 2022, vlera e eksporteve të mallrave të Kanadasë në Ukrainë arriti në 150.2 milionë dollarë dhe importet e mallrave nga Ukraina arritën në 271.2 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 19% krahasuar me një vit më parë.

-Në prill 2023, kryeministri Trudeau dhe kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për përfundimin e negociatave rreth modernizimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kanada-Ukrainë.

-Që nga sulmi i Rusisë dhe tentativa për aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Kanadaja ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 2600 individëve dhe subjekteve. Shumë nga këto sanksione janë ndërmarrë në koordinim me aleatët dhe partnerët e Kanadasë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe Zyra e kryeministrit kanadez

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Justin Tang