Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 shtator 2023
- Published in Kanada
Caswell Tower-Devon Island, Nunavut
-British Columbia, qeveria e David Eby akordon fonde për strehimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen nga zjarri;
-Alberta, përurohet në Calgary një park që i dedikohet shëndetit mendor të të rinjve;
-Manitoba, nis votimi paraprak për zgjedhjet legjislative provinciale;
-Nova Scotia, Bashkia Halifax do shqyrtojë kushtet për përfitimin nga fondi federal i strehimit;
-Québec, ishulli Anticosti shpallet pjesë e trashëgimisë botërore nga UNESCO;
-Ottawa, ceremoni homazhi në Parliament Hill për 11 policë të rënë në krye të detyrës;
British Columbia - Të premten e kaluar (22.09.) në Vancouver, gjatë mbylljes së konferencës së Unionit të Bashkive të British Columbia, kryeministri i provincës, David Eby, ka njoftuar akordimin e një shume prej 85.75 milionë dollarë në sektorët e strehimit, mbrojtjes nga zjarri dhe transportit mjekësor. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, 61 milionë dollarë do t’u transferohet bashkive për investime në fushën e strehimit. Kryeministri Eby, në fjalën e tij evokoi dhe kontekstin në të cilin u mor ky vendim. “Popullsia po rritet me shpejtësi në provincë dhe kjo kërkon një mori përgjigjesh: arsim, shëndetësi, strehim”. Një shumë prej 4.75 milionë dollarësh do shkojë në ndihmë të zjarrfikësve për të përballuar në mënyrë më efektive zjarret e pyjeve në zonat rurale, ndërkohë që British Columbia përjetoi sezonin më të vështirë të zjarreve në historinë e saj. Fondi do të përdoret veçanërisht për financimin e trajnimeve dhe shtimin e pajisjeve. Po ashtu. sektori i transportit mjekësor do të përfitojë nga ndihma financiare e qeverisë. Në total, 20 milionë dollarë do t'i dhurohen Shoqërisë Kanadeze të Kancerit dhe Flights of Hope për të siguruar që njerëzit që janë diagnostikuar me kancer, përmes transportit mjekësor të mund t’i përfitojnë në kohë shërbimet e nevojshme për trajtimin e tyre.
Alberta - Në Calgary të Alberta-s, është përuruar zyrtarisht dje (23.09.) parku i parë në këtë province, dedikuar shëndetit mendor të të rinjve. Brawn Family Foundation Rotary Park ndodhet në lagjen Hounsfield Heights/Briar Hill në verilindje të qytetit, pranë The Summit: Marian & Jim Sinneave Center for Youth Resilience. Parks Foundation angazhoi një firmë të arkitekturës së peizazhit për të projektuar këtë hapësirë. Dizajnerët kanë menduar për të gjitha llojet e detajeve që e bëjnë parkun të dallohet nga parqet e tjerë. Për shembull, forma gjysmë donut e një strukture për ngjitje i lejon të rinjtë të ulen në majë. “Ky seksion i parkut është një zonë aktive që inkurajon vëmendjen dhe zgjidhjen e problemeve”, ka pohuar për CBC Jeannette Gwynn, drejtuesja e projektit. Po kështu, një fushë basketbolli është zbukuruar me një vepër arti. Artistët, Lyndon Ando dhe Paulo Sabater nga Drip and Roll, zgjodhën të pikturojnë mbi terrenin e basketbollit fluturat sepse ato simbolizojnë transformimin. Në këtë park, projektuesit kanë synuar të krijojnë një përvojë për shqisat. Kështu, bimësia është zgjedhur sipas ngjyrave gjatë gjithë vitit. Afërsia e parkut me qendrën e re të trajtimit të shëndetit mendor të të rinjve, do t’u mundësojë familjeve të kenë një hapësirë për të kaluar kohën. Edhe pse parku është i destinuar për të gjithë komunitetin, punonjësit e qendrës mund ta fenkuentojnë atë gjatë periudhave të pushimit. Tani për tani, ky park mbetet i vetmi i këtij lloji në Alberta. Parks Foundation po financon gjithashtu një projekt tjetër parku, për njerëzit me demencë dhe kujdestarët e tyre.
Manitoba - Qytetarë të provincës Manitoba kanë nisur të votojnë qysh dje (23.09.) në kuadër të votimit paraprak të planifikuar deri më 30 shtator, ndërkohë që data zyrtare e zgjedhjeve të reja legjislative është 3 tetori i ardhshëm. Sipas Elections Manitoba, për 8 ditë, më shumë se 300 qendra votimi paraprake do të jenë në dispozicion të votuesve. Ato janë përgjithësisht të hapura nga 08:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 të mbrëmjes, përveç të dielave kur orët janë nga 12:00 deri në 18:00. Deri tani, dy liderë partish në garë kanë votuar, kreu i Partisë së Re Demokratike (NDP), Wab Kinew dhe ai i Partisë Liberale, Dougald Lamont. Edhe nëse një ose më shumë qendra rekomandohen në kartat e votuesve të dërguara me postë, është e mundur të votohet në çdo qendër votimi paraprak dhe në çdo zonë zgjedhore nga tani deri të shtunën e ardhshme. Për të votuar në zgjedhjet provinciale në Manitoba, duhet të jesh shtetas kanadez, të kesh mbushur moshën 18 vjeç dhe të kesh jetuar në provincë për një periudhë të paktën gjashtë muaj para ditës së votimit.
Nova Scotia - Këshilli Rajonal i Halifax do duhet të shqyrtojë kushtet e Otttawa-s për aksesin tek fondet federale që mbështesin rritjen e numrit të njësive të banimit në këtë zonë. Halifax aplikoi në qershor për të përfituar nga Fondi i Përshpejtimit të Strehimit, i cili do sigurojë 4 miliardë dollarë financim gjatë viteve 2026-2027 për të stimuluar më shumë ndërtime banesash në qytetet kryesore kanadeze. Të enjten e kaluar (21.09.) ministri i Strehimit, Sean Fraser, njëherazi dhe deputet i Nova Scotia në parlamentin federal, i dërgoi një letër kryebashkiakut të Halifax, Mike Savage, ku përfshihen katër kushte për të përfituar nga fondi në fjalë: Legalizimi i pronave që përfshijnë deri në katër banesa në të gjithë qytetin; Legalizimi i banesave deri në katër kate në të gjitha zonat e banuara në qendër të bashkisë; Krijimi i një strategjie strehimi të përballueshëm me staf të specializuar; Rritja e dendësisë së banesave të studentëve pranë universiteteve dhe kolegjeve të qytetit. Letra e Sean Fraser lavdëron Halifax për atë që ka bërë deri më tani për të përballuar krizën e strehimit, mirëpo ministri është shprehur qartë se nuk do ta aprovojë kërkesën e Halifax-it, nëse bashkia nuk vendos t'i bëjë këto përmirësime. Kryetari Mike Savage parashikon që këshilli rajonal do t’i shqyrtojë ndryshimet e propozuara nga ministri Fraser përpara fundit të vitit.
Québec - Një vend fosilesh me rëndësi parësore, Anticosti, ishulli më i madh në Québec me vetëm 200 banorë, iu bashkua më në fund listës së pasurive më të çmuara natyrore dhe kulturore në botë. Anëtarët e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), të mbledhur në Arabinë Saudite, pas disa ditësh diskutimi, morën vendim të martën e kaluar (19.09.). Prefektja e Regional County Municipality të Minganie, Meggie Richard, ishte prezent në momentin kur u komunikua vendimi dhe në fjalën e saj premtoi se të gjithë banorët e Bregut të Veriut do të bëhen rojtarë të kësaj trashëgimie. Ishulli Anticosti tani është pjesë e një liste prej rreth 1200 vendesh trashëgimi, të shpërndara në të gjithë botën dhe gjithashtu i 22-ti lokalitet kanadez që përfshihet në listë. Kurorëzimi u lehtësua nga rekomandimi i fundit pozitiv i këshilltarit zyrtar të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, ishulli është pjesë e një grupi prej shtatë vendesh që meritonin përfshirjen në listën e pronave kulturore dhe natyrore që janë me interes të jashtëzakonshëm për trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit. Në vitin 2013, aktorët lokalë protestuan për të parandaluar shfrytëzimin e mundshëm të rezervave të naftës në Anticosti. Në vitin 2017, e përballur me pakënaqësinë popullore dhe duke parashikuar një aplikim të mundshëm në listën e Trashëgimisë Botërore, qeveria provinciale e Québec zyrtarisht i dha fund çdo mundësie kërkimi dhe shfrytëzimi të hidrokarbureve në ishull. Studiuesit nga disa universitete të mëdha në mbarë botën kanë arritur në përfundimin se një ftohje e papritur klimatike që ndodhi rreth 445 milionë vjet më parë ishte ndoshta përgjegjëse për zhdukjen e 85% të specieve detare. Sipas opinionit të tyre e tyre, ishulli Anticosti përbën vendndodhjen më të mirë të ruajtur fosile nga kjo periudhë në shkallë globale.
Ottawa - Disa qindra policë nga i gjithë vendi u mblodhën sot paradite (24.09.) në Parliament Hill në Ottawa, për ceremoninë e 46-të vjetore përkujtimore për policët kanadezë rënë në krye të detyrës. Në ceremoninë e sotme u nderuan veçanërisht 11 oficerët e policisë që vdiqën gjatë vitit të kaluar. Emrat e tyre, së bashku me ata të dy oficerëve të tjerë që vdiqën dekada më parë, tani do të mbishkruhen në Memorialin e Policisë Kanadeze: Andrew Hong i Shërbimit Policor të Torontos; Devon Northrup dhe Morgan Russell nga Shërbimi Policor South Simcoe; Shaelyn Yang i Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP) në British Columbia; Grzegorz Pierzchala i Policisë Provinciale të Ontarios (OPP); Travis Jordan dhe Brett Ryan nga Shërbimi Policor i Edmonton; Maureen Breau e Sûreté du Québec; Harvinder Singh Dhami i RCMP; Eric Mueller i OPP; Steven Tourangeau i OPP; Agjenti i Doganave Kanadeze James Mowat (1913); RCMP Constable Vernon Genaille (2002). Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon dhe Ministri federal i Rendit Publik, Dominic LeBlanc, në fjalimet e tyre përkatëse shprehën ngushëllimet e tyre edhe për vdekjen e oficerit Rick O'Brien të RCMP, i cili humbi jetën në krye të detyrës të premten (22.09.) në Coquitlam, British Columbia. “Nuk është e lehtë të jesh polic. Është një punë e vështirë, është punë e rrezikshme”, deklaroi Guvernatorja e Përgjithshme. Në fjalimet e mbajtura gjatë kësaj ceremonie thuajse të gjithë përmendën faktin se profesioni i policit po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press