Homazh për ish-ushtarin e një njësie naziste SS: Dorëhiqet kreu i Parlamentit kanadez
- Published in Kanada
Kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë, Anthony Rota, ka dhënë dje (26.09) përfundimisht dorëheqjen, pas homazhit që i bëri gjatë vizitës së Presidentit Volodymyr Zelensky në Parlament një ish-ushtari ukrainas, i cili luftoi përkrah nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Kjo ngjarje, e denoncuar fillimisht nga disa organizata të komunitetit hebre, shkaktoi një valë reagimesh të menjëhershme në radhët e klasës politike kanadeze dhe mori përmasat e një skandali politiko-diplomatik. Gafë monumentale dhe pa precedent e cilësuan aktin e kreut të Parlamentit shumë analistë në media.
Në deklaratën e shkurtër të dorëheqjes, Anthony Rota kërkoi sërish falje për ftesën e bërë në adresë të Yaroslav Hunka, 98 vjeç, një banor i zonës së tij elektorale (Nipissing-Timiskaming, Ontario). Ky i fundit rezulton të ketë qenë anëtar i Divizionit SS Galicia, një njësi vullnetare nën komandën naziste të Waffen-SS, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili fillimisht pas lufte imigroi në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas në vitin 1954 u vendos në Kanada së bashku me bashkëshorten. Ndërkohë, të premten e kaluar (22.09.) kryetari Rota e prezantoi atë si një hero ukrainas dhe një hero kanadez. Pas këtij prezantimi, Hunka, i ulur në seksionin e të ftuarve, u përshendet me ovacione nga deputetët, kryeministri Trudeau dhe presidenti Zelensky. Dorëheqja e kreut të Komunave Rota do hyjë në fuqi sot (27.09.) në mënyrë që të mundësohet përgatitja e procesit për zgjedhjen e një kryetari të ri. Për momentin, janë zëvendëskryetarët e Parlamentit që do të mbikëqyrin seancat dhe diskutimet e Dhomës.
Ndërkohë, në tre ditët që i paraprinë dorëheqjes së Anthony Rota, ishte fillimisht Grupi i avokimit të komunitetit hebre Miqtë e Qendrës Simon Wiesenthal që deklaroi publikisht se ishte shume i tronditur prej faktit që Parlamenti Kanadez duartrokiti nxehtësisht një ish-ushtar ukrainas i cili shërbeu në një njësi ushtarake naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, e përfshirë në masakrën ndaj hebrenjve dhe komuniteteve të tjerë. Po kështu, presidenti dhe CEO i një grupi tjetër hebre, B'nai Brith Canada, Michael Mostyn, e cilësoi në rrjetin X (ish-Twitter) këtë situatë si skandaloze dhe të turpshme.
Para njoftimit zyrtar të dorëheqjes së paralajmëruar qysh në mëngjes, mediat konfirmuan paraprakisht se kryetari Rota e humbi mbështetjen e të gjitha partive në Parlament. Pas Partisë së Re Demokratike (NDP) dhe Bllokut Québécois që e kërkuan qysh të hënën (25.09.) publikisht dorëheqjen, dje (26.07.) ishte Partia Konservatore e Kanadasë si dhe disa ministra liberalë, përfshi ministren e Jashtme Mélanie Joly, që u deklaruan hapur në favor të largimit të kryeparlamentarit. Po kështu, kryeministri Justin Trudeau, duke theksuar se nuk ishte në dijeni të ftesës, pohoi se kërkimi i faljes nga z. Anthony Rota ishte një gjë pozitive, por shtoi se incidenti ishte i turpshëm për Kanadanë. “Jam i sigurt se ai po mendon se si do t'i rikthejë dinjitetin Parlamentit tani e tutje”, shtoi Trudeau.
Pasi Anthony Rota zyrtarizoi largimin e tij, shefi i opozitës Konservatore Pierre Poilievre deklaroi në platformën X se dorëheqja nuk e justifikon faktin që Justin Trudeau nuk kishte siguruar që paraprakisht aparati i tij i madh diplomatik dhe inteligjent të verifikonte dhe parandalonte nderimin e një nazisti. Polievre kërkoi gjithashtu që të bëhet një analizë e thellë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Ndërkohë, në një postim në mediat sociale gjatë ditës së djeshme, ministri i Arsimit i Polonisë Przemysław Czarnek njoftoi se ka ndërmarrë hapa për një ekstradim të mundshëm të Yaroslav Hunka. “Pas ngjarjes skandaloze që ndodhi në Parlamentin kanadez ku u nderua një anëtar i formacionit kriminal nazist SS Galizien, në prani të Presidentit Zelensky, kam ndërmarrë hapa për ekstradimin e mundshëm të këtij individi drejt Polonisë”, thuhej në mesazhin e ministrit.
Kritika të ashpra nga një ish-diplomat
Ferry de Kerckhove
Kjo aferë provokon lloj-lloj pyetjesh, ka deklaruar për Radio-Canada Ferry de Kerckhove, ish-diplomat dhe ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme kanadeze, i cili dikur ka mbuluar dhe Shqipërinë, aktualisht profesor në Universitetin e Ottawa. Sipas tij madje ka patur dhe më parë një precedent të ngjashëm, kur në vitin 2018, delegacioni kanadez ftoi një ish-ekstremist Sikh të dënuar për tentativë vrasjeje në një pritje me rastin e vizitës së kryeministrit Justin Trudeau në Indi. Për ish-ambasadorin, shërbimi i inteligjencës, burim i një sërë problemesh në të kaluarën, duhet të jetë gjithashtu më i përgjegjshëm në llogaridhënien e tij për raste të tilla.
Në përgjithësi, ish-diplomati e ka konsideruar këtë aferë si një simptomë të anemisë dhe vizionit të kufizuar të politikës së Jashtme kanadeze. “Zoti Trudeau mori angazhime në fillim të mandatit të tij, por ai nuk ka pasur absolutisht asnjë arritje me rezultate të dukshme, ndaj dhe Kanadaja nuk merret shumë seriozisht, edhe pse ne jemi një nga fuqitë e mëdha në botë, ekonomikisht dhe gjeografikisht”, ka pohuar profesori Kerckhove.
Kush është Yaroslav Hunka
Yaroslav Hunka (djathtas)
Yaroslav Hunka ka lindur vitin 1925 në Urman, dikur territor i Republikës së Dytë Polake, sot pjesë e Ukrainës. Republika e Dytë Polake, e njohur zyrtarisht si Republika e Polonisë, ishte një shtet në Evropën Qendrore dhe Lindore që ekzistoi midis 7 tetorit 1918 dhe 30 shtatorit 1939. Në vitin 1943, Hunka iu bashkua vullnetarisht Divizionit të 14-të Waffen Grenadier të SS (Galician). Në vitin 1944, ai mori pjesë në luftime kundër forcave të Ushtrisë së Kuqe në Frontin Lindor të Luftës së Dytë Botërore.
Pas përfundimit të luftës, Yaroslav Hunka emigroi në Mbretërinë e Bashkuar dhe u bashkua me Shoqatën e Ukrainasve në Britaninë e Madhe. Në vitin 1951, ai u martua me Margaret Ann Edgerton (1931-2018) dhe çifti emigroi në Kanada tre vjet më vonë, duke u vendosur në Toronto, ku lindën dhe u rritën dy djemtë e tyre, Martin dhe Peter. Pas diplomimit pranë një kolegji teknik, Hunka punoi në industrinë e avionëve, më saktësisht si inspektor për De Havilland. Që nga viti 2022, Hunka jeton në North Bay, Ontario (Burimi Wikipedia)
Kush është Anthony Rota
Anthony Rota, me origjinë italiane nga prindërit, i cili përfaqëson zonën elektorale të Nipissing-Timiskaming, Ontario, e ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Parlamentit qysh nga Dhjetori 2019. Ai ka qenë deputet i të njejtës zonë edhe në vitet 2004-2011. Në vitin 2011 e pat humbur mandatin vetëm për 18 vota diferencë, por në vitin 2015 e rifitoi sërish, për t’u rizgjedhur më pas në 2019 dhe 2021. Anthony Rota ka lindur më 15 maj 1961 në North Bay, Ontario. Ai është diplomuar Bachelor në Shkencat Politike pranë Universitetit Wilfrid Laurier. Më pas ka studiuar Financa në Kolegjin Algonquin dhe ka marrë gradën Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Ottawa. Përpara zgjedhjes deputet, Rota ka punuar si menaxher rajonal në Ontario për Programin e Asistencës së Kërkimit Industrial. Ai e pat filluar karrierën e tij politike në nivel bashkiak, si këshilltar i Bashkisë North Bay, ku pat kryesuar Komisionin e planifikimit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.
Kujtojmë që në kuadrin e 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kanada, Anthony Rota pat zhvilluar dhe një vizitë zyrtare në Shqipëri, më 12 tetor të vitit të kaluar. Kjo vizitë ishte e para vizitë e nivelit të lartë nga Kanadaja në Tiranë, pas një boshllëku 8 vjeçar, qysh pas vizitës së ministrit të Jashtëm të qeverisë Harper, John Baird, në tetor 2014.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld, Sean Kilpatrick, Patrick Doyle, Justin Tang