Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 1 tetor 2023

  • Published in Kanada

Anije e Rojës Bregdetare Kanadeze (Nova Scotia)

 

-British Columbia, komunitetit sikh në Surrey kërkon hetim publik për vrasjen e Hardeep Singh Nijjar

-Alberta, një ari shkakton dy viktima në Parkun Kombëtar Banff

-Nova Scotia, qeveria provinciale rishqyrton rolin e RCMP në territorin e saj

-Québec, 7,3 miliardë dollarë subvencion publik për uzinën suedeze të baterive Northvolt

-Ontario, paga minimale në provincë bëhet 16,55 dollarë ora

 

British Columbia - Anëtarë të komunitetit Sikh janë mbledhur dje (30.09.) në tempullin ku u vra Hardeep Singh Nijjar në Surrey, një qytet në periferi të Vancouver. Ata kanë kërkuar që qeveria kanadeze të nisë një hetim publik të pavarur për këtë vrasje. Qindra njerëzit që mbushën Tempullin Guru Nanak të Surrey-t, duke përfshirë udhëheqës të komunitetit dhe këshilltarë politikë nga qytete të tjerë, kërkuan gjithashtu krijimin e një regjistri të agjentëve të huaj dhe dëbimin e menjëhershëm të Komisionerit të Lartë të Indisë në Kanada. Këto kërkesa i janë komunikuar sot (01.10.) zyrës së Kryeministrit Justin Trudeau. Tensioni ishte i dukshëm në sallë, pasi disa nga të pranishmit u shprehën se ata nuk ndihen më të sigurt në komunitetet e tyre si persona që identifikohen nga turbani që mbajnë në kokë. Takimi kishte për qëllim të organizonte një diskutim gjatë të cilit komuniteti mund të identifikonte mënyrat për t'iu përgjigjur asaj që konsiderohet si një kërcënim nga India.

Alberta - Sipas Parks Canada, sulmi i një ariu në Parkun Kombëtar Banff të provincës Alberta, ka shkaktuar vdekjen e dy personave. Agjencia federale e mori alarmin që raportonte sulmin e ariut nga një pajisje GPS në luginën e lumit Red Deer rreth orës 20:00 të së premtes (29.09.), ka deklaruar për CBC, Natalie Fay, drejtore e marrëdhënieve me jashtë për Parks Canada në Banff. Deklarat e saj shpjegonte se një ekip reagimi i trajnuar për sulmet e kafshëve të egra u mobilizua menjëherë, por kushtet e motit nuk lejuan përdorimin e një helikopteri, duke bërë që ekipi i shpëtimit të mbërrinte në vendngjarje nga toka gjatë natës në orën 1 të mëngjesit dhe gjeti aty dy persona të vdekur. Sipas zonjës Fay, ekipi i ndërhyrjes hasi një ari agresiv grizzly dhe stafi i Parks Canada e asgjësoi atë më eutanazi për arsye të sigurisë publike. RCMP mbërriti në orën 5 të mëngjesit për të transportuar viktimat në Sundre dhe zona përkatëse u mbajt e mbyllur si një masë paraprake sigurie.

Nova Scotia - Qeveria e Nova Scotia ka nisur rishqyrtimin e shërbimeve të policisë gjashtë muaj pasi një hetim publik konkludoi me një numër kritikash lidhur me performancën e RCMP në provincë. Rishqyrtimi i shpallur të premten (29.09.) nga Ministri i Drejtësisë Brad Johns, është përgjigja e qeverisë ndaj një rekomandimi nga hetimi mbi vrasjen masive të prillit 2020 në Nova Scotia, ku mbetën të vdekur 22 persona. Hetimi sugjeroi krijimin e një këshilli për të bërë rekomandime mbi strukturën e ardhshme të policisë që mund të zbatohet përpara se marrëveshja midis provincës dhe RCMP të skadojë në vitin 2032. Ministri Johns pohoi në një deklaratë për shtyp se qeveria do të caktojë një komitet këshillues dhe një konsulent të jashtëm dhe ata do të punojnë së bashku për të hartuar një raport që do të publikohet në vitin 2025. Ai shtoi gjithashtu se procesi potencialisht do të rekomandojë ndryshime në mënyrën se si ofrohen shërbimet e policisë. Komiteti do të bashkëkryesohet nga Clare MacLellan, gjyqtare në pension e Gjykatës së Lartë të Nova Scotia dhe Hayley Crichton, Drejtore e Sigurisë Publike në Ministrinë e Drejtësisë. Përfaqësues nga komuniteti dhe policia federale do të emërohen në një datë të mëvonshme. Zëvendëskomisari Dennis Daley, drejtuesi i RCMP në Nova Scotia, deklaroi përmes një email-i në adresë të CBC/Radio-Canada se institucioni që ai drejton e mirëpret këtë proces.

Québec - Qeveria federale kanadeze dhe qeveria provinciale e Québec njoftuan të enjten (28.09.) miratimin e një subvencioni prej 7.3 miliardë dollarë për të tërhequr kompaninë suedeze Northvolt dhe projektin e saj të fabrikës së baterive të automjeteve elektrike. Fabrika do jetë në gjendje të prodhojë celula baterish për të furnizuar rreth një milion automjete në vit. Sipas Ottawa, bateritë e prodhuara do të jenë ndër më të gjelbrat në botë. Fabrika që kompania suedeze Northvolt synon të ndërtojë në rajonin Montérégie do të punësojë rreth 3000 vetë. Me një sipërfaqe të barabartë me 318 fusha futbolli amerikan, ajo do të vendoset në një territor dikur industrial mes bashkive Saint-Basile-le-Grand dhe McMasterville. Ndërkohë që opozita ka qenë kritike ndaj të dy niveleve të qeverisjes, Québec dhe Ottawa e kanë justifikuar investimin me fonde publike, me faktin që fabrika do kompletojë zinxhirin e integruar të prodhimit të baterive elektrike në provincë. Sipas qeverisë federale, projekti i Northvolt do injektojë deri në 1.6 miliardë dollarë në PBB çdo vit kur objektet e kompanisë të arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Ontario - Duke filluar nga sot (01.10.) paga minimale në Ontario u rrit me 1,05 dollarë dhe arriti shifrën 16,55 dollarë në orë. Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e punonjësve, kjo rritje e indeksuar me normën e inflacionit, mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat bazë të ontarianëve. Nga ana e saj, përmes një njoftimi për shtyp, qeveria deklaroi se “më shumë se 900 mijë persona përfitojnë nga kjo rritje e pagës minimale që u njoftua paraprakisht në mars për t'u dhënë kohë punëdhënësve për t'u përgatitur. Kjo rritje prej 6.8% është e barabartë me një shumë shtesë prej 2200 dollarësh në vit në xhepat e punonjësve dhe bën që Ontario të ofrojë një nga pagat minimale më të larta në vend”. Qeveria Konservatore-Progresiste e Doug Ford pat anuluar një rritje të planifikuar të pagës minimale nga 14 dollarë në 15 dollarë në orë, pas ardhjes në pushtet në vitin 2018, duke i dhënë fund një rritjeje të rregulluar me ligj nga qeveria liberale e Kathleen Wynne në vitin 2014. Kësisoj, paga minimale në Ontario e kapi shifrën 15 dollarë vetëm në janar 2022 dhe rritjet e mëvonshme kanë qenë të lidhura me inflacionin. Rrjeti Ontario Living Wage, i cili llogarit indeksin e pagave në raport me minimumin jetik, pohoi se pagesa e mjaftueshme për të jetuar në Greater Toronto Area është rreth 23 dollarë në orë. Ndërsa Randy Robinson, drejtor i Qendrës Kanadeze për Alternativat e Politikave në Ontario, u shpreh për Radio-Canada se paga e re minimale është thjesht e pamjaftueshme.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press