Kanada: Liberali Greg Fergus zgjidhet kryetar i Dhomës së Deputetëve
- Published in Kanada

Për herë të parë në historinë e Kanadasë, Dhoma e Deputetëve (Dhoma e Komunave) do të drejtohet prej një deputeti me prejardhje nga komuniteti me ngjyrë. Ai quhet Greg Fergus, deputet i Partisë Liberale të kryministrit Justin Trudeau, i zgjedhur qysh në vitin 2015 në zonën elektorale Hull-Aylmer (Gatineau, provinca Québec). Zgjedhja e tij u bë sot (03.10.), përmes një votimi preferencial nga deputetët, për të zevendësuar paraardhësin e tij, Anthony Rota, i dorëhequr një javë më parë, pas një skandali politiko-diplomatik të ndodhur gjatë vizitës në Kanada të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Rota ftoi në sallën e Parlamentit një ish-ushtar ukrainas që pat luftuar përkrah nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ai e cilësoi atë “hero ukrainas dhe hero kanadez”, deklaratë që u shoqërua me ovacione nga deputetët e pranishëm, kryeministri Trudeau dhe presidenti Zelensky.
Greg Fergus, i cili i zotëron të dy gjuhët zyrtare, u shoqërua simbolikisht drejt fronit të kryetarit nga kryeministri Justin Trudeau dhe kreu i opozitës zyrtare Pierre Poilievre. Rituali është pjesë e traditës parlamentare që synon të nderojë kryetarët, të cilët në të kaluarën rrezikuan ekzekutimin për të përmbushur detyrat e tyre. Fergus, ndër të tjera, ka ushtruar postet e Sekretarit Parlamentar të Kryeministrit dhe Kryetarit të Bordit të Thesarit. Këtë vit, ai gjithashtu u qortua zyrtarisht nga Komisioneri i Etikës sepse i shkroi një letër mbështetje CRTC (Canadian Radio-Television and Telecommunications Commission) për një kanal televiziv frëngjishtfolës, Natyf inc., i cili kërkonte leje transmetimi në të gjithë provincën Québec.
Bashkë me Fergus, në garë për kreun e Dhomës së Komunave ishin edhe tre kolegët e tij Liberalë, Sean Casey, Alexandra Mendès dhe Peter Schiefke, Konservatori Chris d'Entremont, Neodemokratja Carol Hugues dhe kryetarja e Partisë së Gjelbër Elizabeth May. Deputetët duhej të renditnin kandidatët sipas preferencës. Për të fituar, një kandidat duhej të merrte shumicën e votave. Rezultati i detajuar i votimit dhe raundi i votimit në të cilin u zgjodh z. Fergus nuk u komunikua për mediat.
Në fjalën e tij të parë si kryetar i sapozgjedhur, Greg Fergus deklaroi se përparësia e tij do të jetë rivendosja e respektit në Dhomën e Komunave. “Roli im si kryetar është të siguroj që rregullat dhe rregulloret të respektohen në mënyrë që të mund të përfshihemi në një debat të sinqertë dhe të respektueshëm”, u shpreh ai. Kryetari i Dhomës së Komunave është përgjegjës për drejtimin e punimeve dhe procesit të vendimmarrjes, interpretimin e rregullores, mbajtjen e rregullit në seancë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe privilegjeve të deputetëve. Në Kanada, personi që aktualisht ushtron funksionin e Kryetarit të Dhomës së Deputetëve, përveç pagës bazë të deputetit federal, që është 194,600 dollarë, merr edhe pagesën shtesë 92,800 dollarë. Funksioni përfiton dhe një rezidencë zyrtare të emërtuar La Ferme, që ndodhet në Kingsmere, rajoni Outaouais (Québec).
Kush është Greg Fergus
Greg Fergus (Gregory Cristophe Fergus) ka lindur më 31 maj 1969 në Montréal dhe fëmininë e ka kaluar në Dollard-Des-Ormeaux, bashki në periferi të Montréal. Gjyshi i tij imigroi në Kanada nga protektorati britanik i Montserratit (një ishull malor i Karaibeve, pjesë e Antileve të Vogla dhe territor britanik i përtejdetit) dhe u integrua në Royal Ai Force. Fergus ka ndjekur fillimisht shkollat fillore publike Westpark dhe Sunnydale. Më pas shkollën e mesme Lindsay Place dhe Selwyn House, një shkollë private për djem në Westmount. Studimet e larta për Shkenca Sociale i kreu në Universitetin e Ottawa, ndërsa ato për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Carlton.
Greg Fergus ka qenë gjithashtu kryetar i Liberalëve të Rinj të Kanadasë nga viti 1994 deri në 1996. Në vitin 2007, Stéphane Dion e emëroi atë drejtor kombëtar të Partisë Liberale. Më pas punoi si këshilltar i ministrave Pierre Pettigrew dhe Jim Peterson. Në zgjedhjet federale të vitit 2015, ai u zgjodh për herë të parë deputet në zonën elektorale Hull-Aylmer (Gatineau-Québec) dhe u rizgjodh sërish më 2019 dhe 2021. Gjatë këtyre viteve, në periudha të njëpasnjëshme dhe deri në momentin e zgjedhjes kryetar i Dhomës së Komunave, ai ka kryer edhe funksionin e sekretarit parlamentar të kryeministrit, të Këshillit të Thesarit si dhe të disa ministrive të tjera si Shëndetësia, Qeverisja Numerike apo Inovacioni, Shkenca dhe Zhvillimi Ekonomik. Greg Fergus është i martuar me Julie Cool dhe ata janë prindër të tre femijëve.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press