Kanada

Kanada, qytetarët e provincës Manitoba zgjedhin kryeministër autoktonin Wab Kinew

  • Published in Kanada

Votuesit e provincës Manitoba kanë larguar dje (03.10.) nga pushteti Partinë Progresiste-Konservatore dhe kanë rikthyer në qeverisje pas 7 vitesh Partinë e Re Demokratike (NDP). Me fitoren e Neodemokratëve, kreu i kësaj partie, Wab Kinew, bëhet kryeministri i parë me origjinë autoktone i një province kanadeze.

Sipas rezultatit ende të pakonfirmuar përfundimisht, me rreth 45,4% të votave NDP parashikohet të ketë 34 deputetë, Progresistët-Konservatorë me rreth 42%, 22 deputetë dhe Liberalët me rreth 10,7% vetëm 1 deputet. Rezultati i NDP në këto zgjedhje i dedikohet kryesisht fitoreve në zonat periferike të Winnipeg. Në zgjedhjet e fundit, Progresistët-Konservatorë patën siguruar 36 mandate, Neodemokratët 18 dhe Liberalët 3.

Wab Kinew

Pak para orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, kryeministri i sapozgjedhur, 41 vjeçari Wab Kinew, u ngjit në podium së bashku me familjen, për të deklaruar fitoren para mbështetësve të tij të shumtë që e brohorisnin me entuziazëm.

Pas shpalljes së rezultateve paraprake, kryeministrja Progresiste-Konservatore në largim, Heather Stefanson, pranoi humbjen, deklaroi largimin nga kreu i partisë dhe përgëzoi kryeministrin e ri. “Wab, shpresoj se fitorja juaj sonte frymëzon një brez të ardhshëm të të rinjve autoktonë për t’u përfshirë në procesin demokratik, jo vetëm këtu në Manitoba, por në mbarë vendin” u shpreh Stefanson, duke vlerësuar njëkohësisht karakterin historik të fitores së kreut të NDP.

Heather Stefanson

Fitoren e Wab Kinew, e përshendetën me radhë njëri pas tjetrit, kryeministri kanadez Justin Trudeau, shefi i opozitës zyrtare në Ottawa,Pierre Poilievre, të gjithë kryeministrat e provincave dhe territoreve si dhe drejtuesit politikë të popujve autoktonë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Global News