Kanada

Lufta Izrael-Hamas: Ottawa përgatit riatdhesimin e kanadezëve

  • Published in Kanada

Global Affairs Canada (GAC) njoftoi dje (10.10.) se Kanadaja do të dërgojë avionë të Forcave të Armatosura Kanadeze në Tel Aviv gjatë ditëve në vijim për të mundësuar riatdhesimin e shtetasve kanadezë që ndodhen në Izrael, Bregun Perëndimor ose Gaza. Qytetarët kanadezë dhe rezidentët e përhershëm kanadezë duhet të regjistrohen në faqen internet të Global Affairs për të marrë informacionin e nevojshëm. Ndërkohë, mësohet se qeveria federale po shqyrton mundësinë për opsione të tjera për ata që nuk mund të udhëtojnë dot drejt aeroportit të Tel Avivit.

Nga ana e saj, ministrja e Jashtme Mélanie Joly sqaroi në një mesazh në profilin e saj në rrjetin social X (ish-Twitter) se fluturimet do të jenë të aksesueshme për qytetarët kanadezë, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, si dhe rezidentët e përhershëm kanadezë, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Po kështu, konfirmoi se stafi i Global Affairs, si në Ottawa ashtu edhe në Ramallah dhe Tel Aviv, po vazhdon punën pa ndërprerje.

Sipas komunikatës për shtyp të Global Affairs Canada, të cilës i referohet Radio-Canada, që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, ekipet e GAC i janë përgjigjur 1284 kërkesave për informacion. Deri tani është konfirmuar vdekja dy shtetasve kanadezë, Alexandre Look nga Montreal dhe Ben Mizrachi nga Vancouver. Përmendet edhe një person i tretë i vdekur, i pankofirmuar zyrtarisht. Gjithashtu, tre shtetas të tjerë kanadeze raportohen të zhdukur. “Përfaqësuesit e Kanadasë në Izrael janë në kontakt me autoritetet lokale për të konfirmuar këto informacione dhe për të mbledhur më shumë të dhëna”, thuhet në komunikatën e dikasterit të Punëve të Jashtme.

Ndihma humanitare

Në aspektin e ndihmës humanitare, Global Affairs Canada ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e shpejtë të situatës dhe pasojat e saj mbi civilët.

Ottawa u ka bërë thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Departamenti i Punëve të Jashtme specifikoi gjithashtu se Kanadaja ka një politikë moskomunikimi me Hamasin organizatë e listuar si terroriste. Për më tepër, asnjë ndihmë kanadeze nuk i ofrohet drejtpërdrejt Autoritetit Palestinez.

Sipas GAC, Kanadaja ka disbursuar mesatarisht 55 milionë dollarë në vit për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave zhvillimore dhe humanitare të palestinezëve vulnerabël në Bregun Perëndimor dhe Gaza, duke përfshirë 20 milionë dollarë për zhvillim dhe 35 milionë dollarë për “ndihma humanitare”.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: AFP/Getty Images/Gil Cohen-Magen

*Në foton lart pasagjerë që presin fluturimet e tyre në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, ku disa fluturime u anuluan në ditën e parë të sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.