Kanada

Ushtria kanadeze do evakuojë kanadezët nga Tel Avivi në Athinë

  • Published in Kanada

Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly shpalosi më shumë detaje gjatë ditës së djeshme (11.10.) mbi planin e qeverisë për të riatdhesuar shtetasit kanadezë të bllokuar në Izrael dhe në territoret palestineze, veçanërisht në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Joly pohoi se avionë nga Forcat e Armatosura Kanadeze do të dërgohen në Tel Aviv për të transportuar shtetasit kanadezë që dëshirojnë të largohen nga Izraeli për në Athinë. Më pas, një avion i Air Canada do t'i transportojë ata drejt Kanadasë. Kujtojmë që Air Canada vendosi të dielën t’i anulojë përkohësisht fluturimet për në Tel Aviv dhe deklaroi që do t'i rifillojë ato vetëm kur situata të stabilizohet. Ndërkohë, sipas shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kanadeze, gjeneralit Wayne Eyre, një avion ushtarak kanadez ka mbërritur dje (11.10.) në Tel Aviv.

Një burim nga ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar po ashtu se Forcat e Armatosura Kanadeze janë të përgatitura të kryejnë rreth tre fluturime në ditë, me avionët e tyre që mund të të transportojnë rreth 150 pasagjerë në të njëjtën kohë. Sipas tij, fluturimi i parë pritet sot (12.10.) në mbrëmje, ose e shumta nesër (13.10.) në mëngjes. Fluturimi për në Athinë me avion ushtarak do të jetë falas, ndërsa kostoja e fluturimit për në Kanada nuk është përcaktuar ende. Qytetet ku të riatdhesuarit do të mbërrijnë do jenë Toronto ose Montreal.

Sipas të dhënave të fundit nga Global Affairs Canada, deri tani janë regjistruar 4249 kanadezë në Izrael dhe 476 në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Nga ky numër, janë rreth 1000 kanadezë që kanë kërkuar ndihmë konsullore, duke përfshirë 750 në Izrael, 180 në Bregun Perëndimor dhe 70 në Gaza. “Megjithatë, këto shifra po ndryshojnë vazhdimisht”, sqaroi një burim nga Global Affairs Canada.

“Deri tani” asnjë evakuim i planifikuar nga Gaza

“Ne po shqyrtojmë opsione të ndryshme për kanadezët në Bregun Perëndimor”, deklaroi ministrja Joly, duke pohuar se kishte biseduar me autoritetet jordaneze lidhur me mundësitë për riatdhesimin e shtetasve kanadezë nga Amani. Për sa i përket kanadezëve në Gaza, shefja e diplomacisë kanadeze deklaroi se do bashkëpunojë me OKB për të për të identifikuar se çfarë është e mundur të bëhet në ditët në vijim. “Por deri më sot, nuk ka ende informacion për evakuimet nga Gaza”, shtoi ajo.

Një zyrtar i Global Affairs Canada ka konfirmuar për mediat se po zhvillohen bisedime midis OKB dhe aktorëve të ndryshëm rajonalë për të gjetur një zgjidhje humanitare për popullsinë e Gazës, “por tani për tani, gardhi është i mbyllur plotësisht rreth Gazës nga ushtria izraelite”.

Gjatë konferencë për shtyp, ministrja e Jashtme kanadeze nuk ka dashur t'i përgjigjet pyetjes nëse ka apo jo pengje kanadeze në duart e Hamasit, “për të mos u rritur vlera e këtyre pengjeve dhe për të mos rrezikuar jetën e tyre”. Megjithatë, ajo siguroi se ishte në kontakt me kryenegociatorin izraelit dhe pohoi se një ekip ekspertësh kanadezë do të shkojë në Tel Aviv për të ndihmuar autoritetet izraelite në përballimin e krizës.

Në fund, kryediplomatja Joly deklaroi se ishte veçanërisht e shqetësuar për një zgjerim të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të rajonit dhe pohoi se kishte folur disa herë që nga e shtuna e kaluar me homologët e saj izraelitë, palestinezë, amerikanë, jordanezë dhe egjiptianë. Të martën (10.10.) ajo zhvilloi gjithashtu një bisedë me kreun e diplomacisë saudite. “Unë kam rikonfirmuar qëndrimin e prerë të Kanadasë kundër sulmit terrorist të Hamasit dhe ne po punojmë fort që konflikti të mos përhapet në të gjithë rajonin”, përfundoi ministrja.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press; Royal Canadian Air Force