Kanada

Lufta Izrael-Hamas: Justin Trudeau refuzon të denoncojë rrethimin total në Gaza

  • Published in Kanada

Kryeministri Justin Trudeau shmangu dje (12.10.) para gazetarëve cilësimin e rrethimit total të vendosur nga Izraeli në Rripin e Gazës si akt në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, edhe pse kjo bllokadë u dënua nga OKB.

I pyetur disa herë gjatë një konference për shtyp në Yellowknife (Northwest Territories), Trudeau përsëriti se mbrojtja e Izraelit është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke pohuar se qeveria kanadeze po bën gjithçka që është e mundur për të garantuar sigurinë e civilëve në rajon dhe për t'i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke iu referuar sulmit të të shtunës së kaluar (07.10.) ndaj Izraelit, ai e akuzoi gjithashtu Hamasin, një organizatë e konsideruar terroriste nga Kanadaja, për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe krime lufte. Megjithatë,  Trudeau theksoi se Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez apo aspiratat e tij legjitime. “Hamasi nuk përfaqëson arabët apo myslimanët”, shtoi ai.

Sipas autoriteteve izraelite, sulmi i të shtunës shkaktoi më shumë se 1,300 të vdekur në Izrael, shumica prej tyre civilë, ndërsa sipas autoriteteve të Gazës, nga ana palestineze, numri i të vdekurve nga bombardimet izraelite arriti dje (12.10.) në 1,537, duke përfshirë qindra fëmijë,

Në fillim të kësaj jave, Komisioneri i Lartë i OKB për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, kritikoi autoritetet izraelite për ndërprerjen e furnizimit me ujë, energji elektrike, gaz dhe ushqim për palestinezët në Rripin e Gazës. Fjalë për fjalë ai deklaroi se “vendosja e rrethimeve që rrezikojnë jetën e civilëve duke i privuar ata nga furnizimet thelbësore për mbijetesën e tyre është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar humanitar”.

Gjatë ofensivës së tij kundër Izraelit, Hamasi arriti të kapë të paktën 150 pengje, duke përfshirë shumë të huaj apo izraelitë me dyshtetësi. Në një konferencë shtypi po dje (12.10.), përfaqësuesit e Hamasit thanë se nuk do të negociojnë për çështjen e pengjeve, për sa kohë që ushtria izraelite do vazhdojë të bombardojë Rripin e Gazës.

Jabaliya-Gaza

Më shumë se 50 krime të rënda janë përcaktuar në Statutin e Romës, traktatin themelues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), duke përfshirë vrasjen, torturën, përdhunimin dhe marrjen e pengjeve. Aty përfshihen gjithashtu sulmet e qëllimshme ndaj objekteve civile. Po ashtu, “krime kundër njerëzimit” cilësohen akte të tilla si vrasja, skllavërimi, shfarosja, përdhunimi, persekutimi dhe çdo akt tjetër çnjerëzor i kryer gjatë një sulmi të gjerë ose sistematik kundër çdo popullsie civile.

Deri më sot, Ottawa ka konfirmuar vdekjen e dy shtetasve kanadezë si dhe një rast të tretë të raportuar. Katër kanadezë të tjerë janë të zhdukur, por autoritetet kanadeze refuzojnë të specifikojnë nëse ata janë ndër pengjet e mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Mélanie Joly, deklaroi të mërkurën (11.10.) se ishte në kontakt me kryenegociatorin e Izraelit dhe pohoi se një ekip ekspertësh kanadezë do shkonte në Tel Aviv për të ndihmuar autoritetet izraelite në përballimin e kësaj krize.

Aktualisht, në Izrael ndodhen rreth 5,700 kanadezë dhe 465 në territoret palestineze, të gjithë të regjistruar në database të Global Affairs Canada. Nga ky numër, rreth 1600 kanadezë kanë kërkuar ndihmë konsullore, duke përfshirë 800 në Izrael, 180 në Bregun Perëndimor dhe 100 në Gaza.

Një përfaqësues i Global Affairs Canada ka pohuar se nuk disponohen ende detaje mbi vendndodhjen e 500 kanadezëve të tjerë që kanë kërkuar ndihmë. “Po mundohemi të marrim më shumë informacion rreth tyre”, tha ai gjatë seancës së djeshme të informimi për mediat.

Ndërkohë, gjatë prononcimit të tij nga Yellowknife, kryeministri kanadez Justin Trudeau konfirmoi gjithashtu se Ottawa do të ofrojë fillimisht një ndihmë humanitare prej 10 milionë dollarësh për t'iu përgjigjur nevojave urgjente në Izrael dhe Rripin e Gazës, një enklavë e varfër e populluar nga 2.4 milionë banorë dhe që përjeton një bllokade izraelite prej më shumë se 15 vjetësh.

Po ashtu, në një deklaratë, Ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar, Ahmed Hussen, pohoi se qeveria kanadeze vazhdon të bëjë thirrje që aksesi i sigurt dhe i pakufizuar humanitar të lejohet në të gjithë rajonin dhe se kjo ndihmë është miratuar “si përgjigje ndaj thirrjeve të ditëve të fundit të ardhura nga partnerë humanitarë me përvojë dhe të besuar në rajon”. “Detajet për alokimet për partnerë të veçantë do komunikohen në ditët në vijim, dhe Kanadaja do të kujdeset që asnjë cent të mos shkojë në duart e Hamasit”, shtoi në fund ministri. Një pjesë e financimit do të përdoret për të mbështetur Kryqin e Kuq Kanadez dhe partnerët e tij, Shoqërinë e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe Magen David Adom. Nuk ka ende detaje se si kjo shumë do ndahet mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Aeroporti i Tel Avivit

Dy fluturime riatdhesimi

Lidhur me përpjekjet për riatdhesim, po dje (12.10) qeveria kanadeze njoftoi se një avion i dytë i ushtrisë kanadeze u ul në Tel Aviv për të evakuuar 153 shtetas kanadezë drejt Athinës. Sipas Global Affairs Canada, avioni i parë me 128 kanadezë u nis nga Izraeli për në kryeqytetin grek dje në mëngjes dhe është planifikuar të mbërrijë në Toronto sot (13.10.) në mëngjes. I njëjti burim ka ripërsëritur deklaratën e mëparshme të ministres së Jashtme Joly, sipas të cilës, qeveria kanadeze është duke shqyrtuar opsione të ndryshme për riatdhesimin e shtetasve të saj në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, të cilët nuk mund të udhëtojnë dot drejt Tel Avivit.

Gjatë konferencës së tij të djeshme për shtyp, kryeministri Trudeau dha gjithashtu një mesazh në adresë të komuniteve hebreje dhe myslimane të Kanadasë, “të cilët po përjetojnë momente të vështira”. Ai pohoi se qeveria ka marrë masat e duhura “për të siguruar mbrojtjen e objekteve të kultit” në bashkëpunim me Policinë Federale (RCMP).

Qeveria kanadeze përditësoi gjithashtu dje (12.10.) edhe paralajmërimet ndaj qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë, duke u bërë thirrje të gjithë kanadezëve dhe rezidentëve të përhershëm të evitojnë të gjitha udhëtimet për arsye jo madhore drejt Libanit, për shkak të një zgjerimi të mundshëm të konfliktit në vendet e tjera fqinjë me Izraelin.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: The Canadian Press/Angela Gzoëski; Getty Images/Alexi J. Rosenfeld; AP/Mohammad Al Masri