Kanada

Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly viziton Izraelin

  • Published in Kanada

Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly mbërriti dje (13.10.) në Izrael, ku u takua me homologun e saj izraelit, Eli Cohen. Sipas kabinetit të ministres, gjatë këtij turi të shpejtë që do përfundojë nesër (15.10.), Joly do bisedojë edhe me ministrin e Jashtëm palestinez, Riyad Al-Malik, ndërsa më pas do vizitojë Jordaninë. Mélanie Joly ka takuar gjithashtu stafin e ambasadës kanadeze në Tel Aviv dhe atë të zyrës në Ramallah, në Bregun Perëndimor.

Gjithnjë sipas kabinetit të saj, objektivi i udhëtimit të shefes së diplomacisë kanadeze është të shprehë solidaritetin me popullin izraelit pas sulmit terrorist, të kuptojë situatën në terren, të vlerësojë impaktin e krizës mbi civilët izraelitë dhe palestinezë si dhe të bëjë thirrje për qasje humanitare në zonat e prekura nga konflikti  Përveç ndalesës në aeroportin e Tel Avivit, në kthim ministrja do zbresë edhe në aeroportin e Athinës, ku do të takohet me shtetas kanadezë dhe personelin diplomatik që i ndihmon ata atje për ekakuimin drejt Kanadasë.

Ndërkohë, një njoftim për shtyp i Global Affairs Canada, saktësoi se kryediplomatja kanadeze gjatë vizitës do ritheksojë mbështetjen e Kanadasë për Izraelin dhe të drejtën e tij për t'u mbrojtur në përputhje me ligjet ndërkombëtare, do diskutojë pasojat e sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit dhe përkeqësimin e shpejtë të situatës humanitare në Gaza, si dhe do rikujtojë domosdoshmërinë që të gjitha palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë kalimin e shpejtë dhe të papenguar të ndihmës humanitare, si dhe mbrojtjen e civilëve izraelitë dhe palestinezë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld