Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 tetor 2023

  • Published in Kanada

Nunavut

 

-British Columbia, qeveria provinciale firmos marrëveshje me Ottawa për kujdesin shëndetësor

-Alberta, Asambleja e Konservatorëve do diskutojë temën e miratimit të prindërve për deklarimin e gjinisë

-Saskatchewan, manifestime në favor të ndalimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamas

-Nova Scotia, qytetarët në Halifax sensibilizojnë të zgjedhurit për problemin e të pastrehëve

-Ontario, RCMP fillon hetimin ndaj qeverisë Ford mbi skandalin e terreneve të Greenbelt

 

British Columbia - British Columbia është provinca e pare kanadeze që nënshkruan një marrëveshje financimi të veçantë me qeverinë federale si pjesë e marrëveshjes shëndetësore prej 196 miliardë dollarësh, të prezantuar nga kryeministri Justin Trudeau këtë vit. Pas firmosjes, Ottawa tashmë do transferojë 1.2 miliardë dollarë në British Columbia për një periudhë tre vjeçare. Ministri Federal i Shëndetësisë, Mark Holland, deklaroi të martën e kaluar (10.10.) në një konferencë shtypi në Spitalin e Përgjithshëm të Vancouver se “financimi shoqërohet me një angazhim të mbështetjes federale për sistemin e kujdesit shëndetësor të kësaj province për 10 vitet e ardhshme”. Holland shtoi gjithashtu se “kjo mbështetje synon ta bëjë sistemin e kujdesit shëndetësor të Kanadasë nga një prej më të mirëve në botë, në më të mirin në botë”. Në këmbim, British Columbia përgatiti një plan për përmirësimin e aksesit të pacientëve në mjekësinë familjare dhe shërbimet multidisiplinare të shëndetit mendor dhe varësisë. Provinca gjithashtu ra dakord të punonte me Autoritetin Shëndetësor të Komuniteteve Autoktonë, për të përmirësuar aksesin në trajtim dhe kujdes të përshtatur nga pikëpamja kulturore duke marrë konsideratë dhe traumat. Provinca do të rrisë gjithashtu aksesin ndaj shërbimeve të shëndetit mendor dhe varësisë, sepse kriza e mbidozave vazhdon me një ritëm të pandërprerë, pavarësisht deklarimit të saj si emergjencë e shëndetit publik qysh në prill 2016.

Alberta - Anëtarët e Partisë së Bashkuar Konservatore (UCP) në Alberta kanë propozuar një rezolutë e cila kërkon që prindërit të njoftohen kur një nxënës nën moshën 16 vjeç dëshiron të ndryshojë emrin e tij në shkollë. Kjo rezolutë do të debatohet dhe votohet në asamblenë e përgjithshme vjetore të partisë, e cila do të mbahet më 3 dhe 4 nëntor në Calgary. Rezoluta ngjason me politikën e re të miratuar në Saskatchewan, që e bën të detyrueshëm pëlqimin e prindërve të nxënësve nën moshën 16 vjeç, lidhur me seksualitetin dhe edukimin gjinor. Siç vuri në dukje Ministri i Arsimit i Saskatchewan, Dustin Duncan, “shkollat ​​kërkojnë leje të nënshkruar për të marrë fëmijët në ekskursione, prandaj, ne nuk e kuptojmë pse shkollat ​​nuk duhet të kërkojnë pëlqimin e prindërve për ndryshimet e identitetit. Shkollat nuk duhet të veprojnë pas shpinës së prindërve”, lexohet në arsyetimin që shoqëron rezolutën e përgatitur në Alberta. Provinca New Brunswick ka vendosur gjithashtu rregullore në lidhje me përdorimin e emrave që nuk korrespondojnë me ata të përdorur që nga lindja e një fëmije. Kryeministrja e Alberta-s, Danielle Smith, deklaroi të premten (13.10.) që qeveria e saj do të dëgjojë edhe zëra të tjerë përveç atyre të anëtarëve të UCP, përpara se të vendosë të hedhë hapa të mëtejshëm përpara në lidhje me legjislacionin mbi të drejtat prindërore. “Do diskutojmë edhe me palët e interesuara edhe me qytetarët”, pohoi ajo gjatë një konference për shtyp, që nuk fokusohej tek kjo çështje.

Saskatchewan - Dy manifestime për të denoncuar luftën midis Hamasit dhe Izraelit, mblodhën dje (14.10.) më shumë se 150 vetë në Saskatoon. Të dy grupimet deklaruan se shpresojnë të shohin përfshirje më të madhe nga qeveria federale për t'i dhënë fund konfliktit. I pari, i organizuar nga komuniteti palestinez në Saskatoon u zhvillua para Bashkisë ku u mbajtën lutje dhe fjalime. Përpara se procesioni të nisej drejt Memorialit Kiwanis, folësit denoncuan sulmet e Izraelit ndaj civilëve. Zëdhënësi i manifestimit, Mohammed Abushar, u shpreh se ndihej “i tronditur nga reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj konfliktit në vazhdim”, duke kërkuar më shumë presion ndërkombëtar për ndërprerjen e gjakderdhjes. Sipas tij, “dhuna nuk zgjidhet me dhunë dhe ky konflikt i prek të gjithë”. Ai pohoi gjithashtu se manifestimi nuk synon të mbajë një anë, por lutet që të mos ketë më viktima. Më herët gjatë ditës, një grup prej rreth 40 vetësh u mblodh për t’u lutur për të vrarët dhe të plagosurit në Parkun Memorial Kiwanis. Organizatorë të manifestimeve ishin shoqatat Kanadezët për drejtësi e paqe në Lindjen e Mesme dhe Këshilli Rajonal Living Skies i Kishës së Bashkuar të Kanadasë.

 

Nova Scotia - Një grup i vogël njerëzish manifestuan dje (14.10.) duke ecur në rrugët e Halifax-it me shpresën për të rritur ndërgjegjësimin për realitetin e të pastrehëve dhe për t'iu lutur zyrtarëve të zgjedhur të ndërmarrin veprime më energjike për të luftuar këtë dukuri. Organizatorja, Félicia LeBlanc ka themeluar qysh nga viti 2020 shoqatën Helping the homelessness in Nova Scotia. Në qershor, kjo organizatë, që kujdeset për të pastrehët, numëronte më shumë se 2,000 anëtarë. Félicia LeBlanc ka deklaruar për Radio-Canada se merr rregullisht telefonata nga njerëz të sapodeklaruar të pastrehë dhe që kanë nevojë për ndihmë. “Gjatë tre-katër ditëve të fundit, pesë ose gjashtë njerëz erdhën tek unë dhe më pyetën nëse kishte burime të tjera për t'u drejtuar dhe unë duhej t'u thosha jo”, u shpreh ajo. Edhe pse pak njerëz morën pjesë në tubimin e djeshëm, Félicia LeBlanc megjithatë planifikon të organizojë aktivitete të tjera të këtij lloji, për të ndihmuar ata që ndodhen në kushte më të vështira. Ndërkohë, më 12 tetor, qeveria e Kanadasë dhe Bashkia Halifax ranë dakord të përshpejtojnë ndërtimin e banesave në kryeqytetin e Nova Scotia gjatë 10 viteve të ardhshme. Ottawa planifikon të investojë më shumë se 79.3 milionë dollarë për të bërë të mundur këtë projekt. Në fund të shtatorit, qeveria provinciale njoftoi se do të akordonte 60 milionë dollarë për ndërtimin e banesave të reja sociale në Halifax. Sipas Félicia LeBlanc, njoftimet e bëra kohët e fundit nga qeveritë provinciale dhe federale për strehimin nuk janë të mjaftueshme.

 

Ontario - Policia Federale Kanadeze (RCMP) konfirmoi të marten e kaluar (10.10.) hapjen e një hetimi mbi vendimin e anuluar të qeverisë së Ontarios për heqjen e disa terreneve nga ai që njihet si Brezi i Gjelbër (Greenbelt) i GTA (Greater Toronto Area). Sipas Garry Clement, një ish-drejtues i RCMP, i pyetur nga Radio-Canada, hetimi mund të çojë në akuza për abuzim dhe mashtrim. Ka qenë OPP, policia provinciale ajo që e ka dërguar dosjen për hetim pranë RCMP. Clement mendon se ka arsye të mundshme dhe të besueshme për të dyshuar se është kryer një vepër penale e cila motivon fillimin e një hetimi. “Një shumë e madhe parash, 8.3 miliardë dollarë, është në qendër të skandalit. Duket sikur disa politikanë janë ndikuar nga investitorët e pasurive të paluajtshme, gjë që nëse provohet, konsiderohet si shpërdorim i besimit. Kanadezët dhe veçanërisht qytetarët e Ontarios meritojnë një hetim legjitim për të ditur nëse individë të caktuar të përfshirë në skandal kanë përfituar nga procesi i ndryshimit të destinacionit të terrneve. Dhe kjo është ajo që ky hetim duhet të zbulojë”. Duke pasur parasysh madhësinë dhe kompleksitetin e dosjes, do duhen të paktën 12 deri në 18 muaj. Për të marrë në dispozicion dokumente të vlefshme për hetimin, hetuesit do të duhet të pajisen me urdhërat përkatës si dhe të marrin në pyetje persona të caktuar. Nga njëra anë, ata do të shqyrtojnë nëse politikanët në pozita të autoritetit, si ministra, për shembull, përfshi edhe ish-ministrin e Strehimit Steve Clark, që u dorëhoq, kanë abuzuar apo jo me pushtetin e tyre. Nëse po, kjo është një shkelje e besimit. A përfituan ata prej tij? A lejuan që të jepeshin favore? A kanë transmetuar informacion paraprakisht në mënyrë që territoret të bliheshin me një çmim më të ulët? Të gjithë këta elementë do të shqyrtohen nga hetuesit e RCMP.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press