Kanada

Kina provokon rrezikshëm një avion ushtarak kanadez mbi Detin e Verdhë

  • Published in Kanada

Sipas Radio-Canada, media shtetërore kanadeze, një avion ushtarak kanadez u provokua dje (16.10.) mbi Detin e Verdhë nga një avion gjuajtës kinez që po kryente manovra “të pazakonta, agresive dhe të rrezikshme”.

Korrespondenti i Radio-Canada në Azi, Philippe Leblanc, i cili ndodhej në bordin e avionit kanadez, raportoi se gjuajtësi kinez ishte aq afër, sa dukej sikur krahët e tij do preknin krahët e avionit kanadez. Sipas Leblanc, distanca në ajër mes dy mjeteve fluturese ishte më pak se 10 metra.

CP-140 Aurora

Avioni ushtarak kinez ishte i armatosur me raketa ajër-ajër që mund të shiheshin qartë. Të dy pilotët e tij i kishin drejtuar sytë tek kanadezët. “Ne pamë gjithashtu që avioni kinez ndezi dritat paralajmëruese. Pamë edhe tymin e verdhë që lëshonin nga pas raketat”, deklaroi Philippe Leblanc, i cili më pas përmes telefonit të tij nisi të filmonte këtë skenë të rrallë.

Në bordin e avionit kanadez ndodhej gjithashtu gjeneral-major Iain Huddleston, komandant i Divizionit të Parë Ajror kanadez. Ai u shpreh se manovrat e kryera nga dy pilotët kinezë ishin të pazakonta si dhe e cilësoi këtë veprim si operacion “agresiv” dhe të “rrezikshëm”, duke konfirmuar që avioni kanadez ndodhej në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Iain Huddleston

Ushtarakët kanadezë po kryenin një fluturim rutinë mbi Detin e Verdhë, në kuadrin e Operacionit Neon, si pjesë e një forcë të OKB-së për të zbatuar embargon e saj ndaj Koresë së Veriut, të vendosur si presion që ajo të heqë dorë nga programet e saj të armëve të shkatërrimit në masë dhe si reagim ndaj testeve për prodhimin e armëve bërthamore apo lëshimin e raketave balistike. Avioni i patrullimit detar i përfshirë në incidentin e djeshëm është i tipit CP-140 Aurora dhe operon nga baza ajrore e Okinawa-s në Japoni.

Bill Blair

Ottawa denoncon provokimin

Po dje (16.10.) në Parlament, ministri federal i Mbrojtjes Bill Blair, e denoncoi këtë veprim të Forcave të Armatosura kineze. Sipas tij, ndërhyrja nuk ishte as profesionale dhe as në përputhje me rregullat e sigurisë gjatë fluturimeve në ajër. Ai gjithashtu i konsideroi manovrat si të papranueshme, sepse ato vunë në rrezik avionin kanadez dhe misionin që ai po kryente. Ministri Blair konfirmoi që qeveria do të reagojë ndaj këtij rasti përmes kanaleve diplomatike.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada