Kanada

Evakuohet nga Bregu Perëndimor grupi i parë i shtetasve kanadezë

  • Published in Kanada

Sipas deklaratës së kabinetit të ministres së Jashtme Mélanie Joly, një grup prej 21 shtetasish kanadezë u larguan dje (16.10.) me një autobus nga Bregu Perëndimor drejt Jordanisë. Kanadaja bëhet kësisoj vendi i parë që evakuon shtetasit e vet nga Bregu Perëndimor. Ndërkohë, Ottawa është ende duke u përpjekur të gjejë një rrugëdalje për shtetasit e saj në Rripin e Gazës, zonë prej dhjetë ditësh e bllokuar totalisht nga Izraeli.

Deri tani, pas thirrjeve të qeverisë izraelite, popullsia e Gazës është larguar masivisht nga qyteti për të gjetur strehim në jug të enklavës palestineze, por ende në fakt nuk ka se ku të shkojë, për shkak se forcat izraelite nuk kanë lënë askënd të dalë ose të hyjë, që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit mbi Izraelin 7 tetorin e kaluar.

Përveç koordinimit të evakuimit të shtetasve kanadezë nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, diplomacia kanadeze përsëriti dje (16.10.) paralajmërimin për kanadezët që ndodhen ende në Liban, për t’u larguar prej andej për sa kohë ka ende fluturime komerciale të disponueshme, sepse nuk ka asnjë garanci që këto fluturime do vazhdojnë kur forcat izraelite të nisin një ofensivë të mundshme tokësore kundër Rripit të Gazës.

Të dielën (15.10.), para dy ditësh Ottawa emetoi gjithashtu ​​një paralajmërim kundër të gjitha udhëtimeve jo të rëndësishme drejt Libanit, për shkak të situatës së paparashikueshme të sigurisë, rritjes së rrezikut të sulmeve terroriste dhe konfliktit të armatosur me Izraelin. Më konkretisht, Ottawa rekomandoi shmangien e çdo udhëtimi në periferitë jugore të Bejrutit, për shkak të pranisë së grupeve të armatosura dhe rrezikut të dhunës që lidhet me krimin e organizuar, rrëmbimet dhe rrezikun e sulmeve terroriste.

Kanadaja gjithashtu është shprehur kundër çdo udhëtimi të shtetasve të saj drejt zonave në jug të lumit Litani, për shkak të aktivitetit ushtarak pranë kufirit libanezo-izraelit. “Ndërsa kriza në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Izrael vazhdon, siguria në rajon po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme”, paralajmëroi ministrja e Jashtme Mélanie Joly në llogarinë e saj X (ish-Twitter).

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

*Në foton lart, të publikuar në X nga ambasadori i Kanadasë në Jordani, Tarik Ali Khan, duket autobusi që shërbeu për evakuimin e grupit të parë të shtetasve kanadazë nga Bregu Perëndimor.