Kanada

Radio-Canada Sport: Imazh i ri dhe një gjest bujarie i Arber Xhekajt

  • Published in Kanada

Edhe pse ka bërë tashmë emër në më pak se një vit në National Hockey League (Ligën Kombëtare të Hokejit), Arbër Xhekaj duket se nuk mjaftohet me kaq. Në 10 vjetorin e tij, rrjeti i fast food në Québec “La Chambre”, e ka zgjedhur Arbër Xhekajn të jetë imazhi i “Le Shérif”, një lloj i ri hamburgeri. Ndikimi i Arbër Xhekajt tek tifozët është vërtet i dukshëm dhe kjo është një lëvizje e mirë marketingu për “La Chambre”. Të gjithë tifozët janë dashuruar me të për shkak të rrugëtimit dhe personalitetit të tij. Fakti që ai nuk ka frikë të hedhë dorezat për të mbrojtur shokët e skuadrës gjithashtu ka luajtur një rol. Në ndeshjen e parë të sezonit të sivjetëm, në dyluftim Xhekaj e vuri poshtë Ryan Reaves të Maple Leafs. Është diçka e veçantë, sepse Xhekaj është vetëm 22 vjeç dhe ka 54 ndeshje përvojë në Ligën Kombëtare.

Më shumë se një partneritet që i mundëson një lojtari të ri të fitojë pak më shumë, në pagë dhe në status, ky rol ambasadori është një mundësi për Xhekajn që të angazhohet dhe kontribuojë më shumë. Dy organizata komunitare që i ka zgjedhur vetë lojtari 22-vjeçar i Canadiens de Montréal do të përfitojnë nga 1 dollar për çdo burger të shitur: “Angel Project” në London, Ontario, që ofron pajisje mjekësore për pacientë të ndryshëm në nevojë dhe ku nëna e tij punon si vullnetare; “Vision Inter-Cultures”, një shoqatë në Bregun Jugor të Montrealit që ka për mision të përmirësojë jetën e familjeve emigrante. Dhe Xhekaj vetë është një histori e ngjashme dhe ka ç’të dëshmojë, sepse babai i tij Jack është shqiptar, ndërsa nëna e tij Simona është çeke. Ata të dy emigruan në Kanada në vitet 1990, përpara se të takoheshin në Hamilton, Ontario.

“Ishte agjenti im që ma rekomandoi “Vision Inter-Cultures” dhe unë menjëherë ndjeva një lidhje të fortë me ta”, shprehet Xhekaj. “Unë jam një emigrant i gjeneratës së dytë dhe e kuptoj realitetin e familjeve që mbërrijnë në Kanada, sakrificat që duhet të bëjnë për t'u vendosur dhe për të ndërtuar një jetë këtu. Partneriteti me ta është një mënyrë për të ofruar historinë time personale si shembull për të përmirësuar atë të të tjerëve”.

Duke u shndërruar në imazh përfaqësues, “The Sheriff” (pseudonimi i Arbër Xhekajt) do të luajë kësisoj një rol të ri përveç atij të mbrojtësit të Canadiens de Montréal: atë të mbrojtësit të kauzave që i ka për zemër. “Sa më shumë të kontribuohet për kauza të tilla, aq më mire është. Të kontribuoj për të ndryshuar diçka për mire, është një privilegj për të cilin jam krenar”, thekson Xhekaj.

Arbër Xhekaj me ish-lojtarin e NHL dhe gazetarin sportiv Dave Morrissette

Në fakt, Canadiens de Montréal e ka një fondacionin, të cilit lojtari i ri mund t'i bashkohej lehtësisht, por Xhekaj zgjodhi të ndiqte rrugën e vet. Kontributi ndaj komunitetit ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për të, dhe ai pohon se është mirënjohës që iu dha mundësia sërish të ndihmojë, ashtu si Sherifi në Far West, garantues i ruajtjes së rendit publik - një mision që ai e adhuron, gjë që e bën të ndihet mirë me veten.

“Sherif është një pseudonim që ma kanë vënë kur luaja në ligën e të rinjve dhe më pëlqen të mendoj se jam pak i tillë mbi fushën e akullt dhe jashtë saj. Të ndihmosh njerëzit është një lloj vazhdimësie e këtij roli. Është mënyra ime e afirmimit në këtë rol me të cilin më pëlqen të identifikohem”, përfundon Xhekaj.

Më poshtë video e reklamës në Youtube:

https://youtu.be/LSJYQCSh6wA

Burimi dhe fotot: Radio-Canada; Journal de Montréal;

Shqipëroi Flasshqip.ca