India rifillon trajtimin e aplikimeve për viza në Kanada
- Published in Kanada
Komisariati i Lartë i Indisë në Kanada njoftoi dje (25.10.) se personeli i tij do rifillojë përpunimin e disa llojeve të aplikimeve për viza pranë zyrës në Ottawa, si dhe pranë konsullatave në Toronto dhe Vancouver. Nju Delhi i pat pezulluar këto shërbime një muaj më parë në zyrat indiane në Kanada dhe për qytetarët kanadezë në mbarë botën.
Më konkretisht do rifillojë dhënia e vizave të biznesit, vizave mjekësore, vizave për pjesmarrje në konferenca si dhe përpunimi i aplikimeve nga persona që kanë lidhje familjare në Indi (për atë që India e quan “viza e hyrjes” - e rezervuar për “personat me origjinë indiane” ose qytetarët indianë, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre). Përfaqësia diplomatike indiane në Ottawa nuk ka dhënë informacion për llojet e tjera të vizave. Me sa duket do mbeten në fuqi kufizimet për vizat turistike, studentore dhe ato për gazetarët.
India e kufizoi dhënien e vizave pas deklaratës së kryeministri Justin Trudeau para Dhomës së Deputetëve, sipas të cilës shërbimet kanadeze të inteligjencës po hetonin informacione të besueshme në lidhje me implikimin e mundshëm të qeverisë indiane në vrasjen e një lideri kanadez sikh në British Columbia më 24 qershor 2023. Pezullimi i lëshimit të vizave për qytetarët kanadezë në Ottawa, Toronto dhe Vancouver u njoftua më 21 shtator, ndërsa më pas qeveria indiane ndaloi plotësisht shërbimin ndaj qytetarëve kanadezë në pjesë të tjera të botës.
Nju Delhi deklaroi fillimisht se diplomatët e tij në Kanada nuk mund të shkonin të sigurt në punë. Megjithatë, në një intervistë me The Canadian Press tre javë më parë, Komisari i Lartë Sanjay Kumar Verma deklaroi se e vlerësonte shumë mënyrën se si Kanadaja përforcoi mbrojtjen e diplomatëve indianë.
Hardeep Singh Nijjar
Misioni diplomatik konfirmoi se vendimi për të rifilluar lëshimin e disa lloj vizash prej sot (26.10.) u mor pas një shqyrtimi të kujdesshëm të situatës së sigurisë bazuar në vlerësimin e masave të fundit të palës kanadeze në këtë drejtim. Po kështu, çdo ndryshim i mëtejshëm, do të sugjerohet bazuar në një vlerësim të vazhdueshëm të situatës.
Vendimi i palës indiane është komentuar pozitivisht dje (25.10.) nga ministri i Emigracionit Marc Miller, si dhe nga ministri i Mbrojtjes Civile, Harjit Sajjan, i cili është vetë me origjinë indiane. Ky i fundit u shpreh para gazetarëve se qeveria kanadeze ende shpreson në bashkëpunimin e Indisë gjatë procesit të hetimit nga RCMP për vrasjen e Hardeep Singh Nijjar. “Një kanadez u vra në tokën kanadeze dhe ne kërkojmë bashkëpunim më të madh në hetim”, theksoi Sajjan.
Harjit Sajjan
Po kështu, në një deklaratë për mediat të nënshkruar nga presidenti Victor Thomas, Këshilli i Biznesit Kanada-Indi deklaroi se rifillimi i trajtimit të aplikimeve për viza “është një zhvillim premtues për tregtinë midis dy vendeve, është gjithashtu një shenjë pozitive që të dy qeveritë kanë shprehur mbështetje për biznesin dhe investimet dypalëshe në këto kohë të pazakonta”.
Mbrojtja e personelit diplomatik
Përpara se deklarata e kryeministrit Trudeau të përkeqësonte ndjeshëm marrëdhëniet midis Kanadasë dhe Indisë, Nju Delhi kishte denoncuar publikisht demonstratat e grupeve separatiste sikh përpara misioneve të tij diplomatike në Kanada, si dhe mesazhet në të cilat ata dukej se ofronin shpërblime në para për marrjen e adresave të diplomatëve indianë. Në vijim India i kërkoi zyrtarisht Kanadasë që të respektonte më mirë detyrën e saj për të mbrojtur diplomatët e huaj. Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme Mélanie Joly, pat deklaruar më 14 shtator se diplomatët indianë në Kanada përfitojnë mbrojtje 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë - një shërbim që Ottawa ua ofron shumë pak misioneve diplomatike.
Manifestim i komunitetit sikh para Konsullatës së Indisë në Vancouver
Nga ana e tij, fundjavën e kaluar, ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar, paralajmëroi se qeveria e tij po shqyrtonte lehtësimin e kufizimeve për lëshimin e vizave. “Ne ndaluam lëshimin e vizave në Kanada sepse diplomatët tanë nuk ndiheshin të sigurt për të shkruar në vendin e punës”, pohoi ai. Ministri Jaishankar kritikoi gjithashtu Liberalët e Trudeau në një formë të tille që analistët e konsideruan qëndrimin e tij si një distancim nga retorika e zakonshme e Nju Delhit për politikat kanadeze. “Problemet që na shqetësojnë kanë të bëjnë me disa aspekte të politikës kanadeze dhe politikat publike që rrjedhin prej tyre”, deklaroi kryediplomati indian Jaishankar.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada, Istock/Oleksii Liskonih; The Canadian Press/Ethan Cairns