Greqia dënon me 6 muaj burg me kusht gazetarin kanadez Romain Chauvet
- Published in Kanada
Gazetari i pavarur frankofon kanadez Romain Chauvet u dënua dje (26.10.) nga një gjykatë greke në Athinë me gjashtë muaj burg me kusht, me akuzën shpërndarje e informacionit të rremë. Po dje është bërë e ditur që ai do të apelojë ndaj këtij vendimi.
Romain Chauvet u arrestua para dy javësh, më 12 tetor, në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, ku kishte shkuar për të raportuar lajmin e mbërritjes së avionit të parë që po riatdhesonte kanadezët nga Tel Avivi, pas shpërthimit të konfliktit mes Izraelit dhe Hamas në Rripin e Gazës. Sipas Radio-Canada, pala greke e ka akuzuar atë se ka provokuar një alarm të rremë për bombë të vendosur në aeroport, fakt që gazetari nga ana e tij e ka hedhur poshtë, gjatë komunikimit me median shtetërore kanadeze.
Ndërkohë, organizata Reporterët pa Kufij dhe Federata e Gazetarëve Profesionistë të Québec kanë shprehur indinjatën e tyre lidhur me procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj Romain Chauvet.
“Jemi të shokuar nga dënimi i një gazetari përmes një aktgjykimi pa prova, në të cilin gjykata duhet të vendosë ndërmjet deklaratave të secilës palë. Rasti i Romain Chauvet është një dosje aspak solide. Ekziston vetëm një dëshmi e cila u përdor për dënimin e tij me gjashtë muaj burg me kusht. Përveç kësaj, seanca e gjykimit ishte shumë i shkurtër, vetëm një orë”, u shpreh Pavol Szalai, kreu i zyrës BE-Ballkan të Reporterëve pa Kufij. Reporterët pa Kufij kanë shprehur gjithashtu dyshimin se ky vendim “mund të shndërrohet në një precedent të rrezikshëm për zbatimin e ligjit kundër informacionit të rremë”.
Duke iu referuar komenteve të Reporterëve pa Kufij, Federata e Gazetarëve Profesionistë të Québec i bëri thirrje qeverisë kanadeze të ndërhyjë në këtë çështje. “Natyrisht jemi shumë të shqetësuar nga dënimi i Romain Chauvet prej sistemit të drejtësisë greke, pasi, sipas informacioneve që kemi, vendimi duket se është bazuar në dëshminë e një personi të vetëm kundër z. Chauvet, i cili nuk e ka pranuar akuzën. Gjithçka, nga akuza e deri te vendimi i gjykatës ka ndodhur në një hark kohor dy javor, ndaj dhe shumë pyetje mëritojnë të adresohen nga Ottawa ndaj palës greke, për t’u siguruar që kolegu ynë ka patur një trajtim të drejtë dhe të barabartë”, deklaroi Éric-Pierre Champagne, nënkryetar i kësaj organizate.
Ish-gazetar i Radio-Canada në Ontario, në vitin 2022 Romain Chauvet u bë korrespondent i pavarur me bazë në Athinë, ku po ndiqte edhe studimet në nivel master, në fushën e mediave dhe flukseve migratore. Kohët e fundit ai raportoi situatën e zjarreve në pyjet e Greqisë dhe e pasqyroi drejtpërdejt kaosin që përfshiu aeroportin e ishullit Rodos, nga ku qindra turistë u përpoqën të largoheshin në panik të plotë.
Lidhur më këtë rast, ministria kanadeze e Punëve të Jashtme publikoi një reagim të shkurtër pardje (25.10.) sipas të cilit, “funksionarët përkatës po vazhdojnë ta monitorojnë nga afër situatën, të bashkëpunojnë me autoritetet lokale dhe të ofrojnë ndihmë konsullore”. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme pohoi gjithashtu se për arsye konfidencialiteti, nuk mund të publikohet asnjë informacion tjetër.
*Në foton lart, Romain Chauvet gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv në korrik 2023 lidhur me zjarret në ishullin Rodos, Greqi.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada