Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 29 tetor 2023

  • Published in Kanada

Bell Island - Newfoundland

 

-British Columbia, regjistrohen dy lëkundje tërmeti në veri të provincës pranë kufirit me Alaskën

-Alberta, qeveria e Danielle Smith avancon më tej projektin për tërheqjen nga Plani Kanadez i Pensioneve

-Manitoba, kryeministri Wab Kinew synon që provinca të jetë karboneutrale në vitin 2050

-Nova Scotia, Asambleja Legjislative peng i debateve me orë të zgjatura për shkak të procedurave

-Québec, transporti publik në rajonin e Montréal rrezikon t’u nënshtrohet kufizimeve drastike

-Ontario, Policia provinciale sekuestron 36 armë zjarri në zonën pranë kufirit me SHBA

 

British Columbia - Dy tërmete me fuqi relativisht të vogël kanë lëkundur të premten (27.10.) në mbrëmje veriun e British Columbia, në jug të kufirit me Alaskën. Earthquakes Canada raportoi se tërmeti i parë u regjistrua në orën 20:00 me orën lokale dhe kishte një magnitudë 4.7 ballë. Epiqendra ishte 169 kilometra në jugperëndim të Whitehorse dhe 50 kilometra nga Skagway, Alaska. Tërmeti i dytë, me magnitudë 5.2, u regjistrua në orën 20:45. Epiqendra e tij ishte 180 kilometra në jugperëndim të Whitehorse dhe 63 kilometra nga Skagway, Alaska. Të dyja lëkundjet ndodhën në një thellësi 10 kilometra. Earthquakes Canada konfirmoi se nuk u raportuan dëme materiale apo persona të lënduar.

Alberta - Kryeministrja Danielle Smith ka deklaruar se fushata për tërheqjen e mundshme të Alberta-s nga Plani i Pensionit të Kanadasë (CPP) do të vazhdojë, pavarësisht nga paqartësia mbi pjesën që mund t’i kalojë provincës, nëse ajo tërhiqet nga fondi federal i pensionit për të krijuar të vetin. Sipas përllogaritjeve të qeverisë provinciale, pjesa e fondit federal që duhet t’i rikthehet Alberta-s është 334 miliardë dollarë, ndërsa sipas ekonomistëve të Bordit të Investimeve të CPP, në rastin më të mirë, pjesa e kthyer do të ishte gjysma e kësaj shume. Kryeministrja Smith ka siguruar se provinca do të vazhdojë sondazhin dhe fushatën e saj sensibilizuese me kosto 7.5 milionë dollarë për daljen nga plani federal i pensioneve, pavarësisht faktit se elementi kyç i diskutimit kontestohet dhe ka të ngjarë të përfundojë para gjykatave. Sipas kryeministres, shifra e vlerësuar nga Alberta mbetet e vlefshme, pasi është e vetmja që ekziston. Në një deklaratë të enjten (26.10.) në Calgary, ajo pohoi se provinca i ka kërkuar Ottawa dhe Bordit të Investimeve të CPP të japin vlerësimin e tyre, por të dy palët refuzuan. Sipas saj në këto kushte, “hapi tjetër është, ndoshta, të shkohet në gjykatë për të konstatuar nëse Ottawa dhe Bordi i Investimeve të CPP, mbështesin interpretimin tonë, pra të shumës që do të korrespondonte me pjesën e provincës”. Kryeministrja përsëriti gjithashtu komentet e bëra një ditë më parë në Edmonton se derisa të përcaktohet shuma e saktë, ajo nuk do t'u kërkojë albertanëve të votojnë në referendum nëse duan apo jo të dalin nga Plani i Pensionit të Kanadasë. Bordi i Investimeve e vlerëson pjesën e Alberta-s në CPP 16%, ndërsa Trevor Tombe, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Calgary, vlerëson se kjo pjesë është rreth 20%, ose rreth 150 miliardë dollarë.

Manitoba - Kryeministri i provincës Manitoba, Wab Kinew, i ka kërkuar dikasterit përkatës të qeverisë së tij të mbyllë termocentralin e fundit me gaz të Manitoba Hydro deri në vitin 2035 dhe ka shpallur objektivin që provinca të bëhet karboneutrale në vitin 2050. Në një letër drejtuar Ministres Provinciale të Mjedisit, Tracy Schmidt, kryeministri i Manitoba-s shkruan se ai dëshiron që qeveria e tij “të punojë për ta bërë karboneutral rrjetin elektrik deri në vitin 2035” dhe të hartojë “një udhëzues për të arritur objektivat e karboneutralitetit deri në vitin 2050". Një politikë e tillë ndryshon totalisht nga ajo e ish-qeverisë progresiste-konservatore, që humbi zgjedhjet para një muaji. Në udhëzuesin e saj të botuar korrikun e kaluar, ish-qeveria pohonte se ishte e pamundur që Manitoba Hydro të mbyllte termocentralin e saj të fundit me gaz në të ardhmen e afërt. Po kështu, qeveria e Heather Stefanson nuk kishte vendosur një objektiv për të arritur karboneutralitetin në nivel provincial. Progresistët-Konservatorë kanë shprehur shqetësimin se afati i paraqitur nga kryeministri i ri është shumë i shkurtër. Partia opozitare druan se lëvizjet shumë të shpejta mund të çojnë në ndryshime të kushtueshme për rrjetin elektrik provincial. Aktualisht, 97% e energjisë elektrike të prodhuar në Manitoba vjen nga uji ose burime të tjera me emetim të ulët. Termocentrali i fundit me gaz, në Brandon, prodhon pjesën e mbetur prej 3%.

Nova Scotia - Asambleja Legjislative e provincës Nova Scotia është zhytur ditët e fundit në grindje procedurale. Frustrimi është rritur gjatë orëve të zgjatura të debateve për arsye të taktikave të përdorura nga opozita që synojnë mbajtjen e qeverisë sa më gjatë në seancë. Javën që sapo u mbyll seancat kanë qenë një maratonë e vërtetë, gjatë të cilave liberalët dhe neodemokratët e rinj kanë vonuar deri në skaj miratimin e disa projektligjeve gjatë diskutimeve nen për nen. Taktika përfshinte dhe kërkesën për një votim të regjistruar, pas të cilës në sallë nis e bie zilja, për të paralajmëruar deputetët për votimin. Tingulli i ziles mund të zgjasë deri në një orë dhe të ndërpresë punimet e asamblesë. Sesioni i vjeshtës u hap më 12 tetor dhe rreth një javë më vonë, kryeministri Houston u deklaroi gazetarëve se qeveria i kishte depozituar të gjithë projektligjet për këtë sesion.

Québec - Metro deri në orën 23:00, autobusë ndërqytetës deri në orën 21:00, linja të anuluara etj. Një valë e vërtetë shkurtimesh rrezikon të përfshijë transportin publik në rajonin  e Montréal, nëse qeveria Legault nuk rrit kontributin e saj financiar. Një dokument konfidencial që ka rënë në duart e gazetarëve të Radio-Canada flet qartë për një rikthim në situatën e viteve 1990. Kompanitë e transportit publik janë në gjendje alarmi që nga momenti kur ministrja Geneviève Guilbault njoftoi synimin e qeverisë për të absorbuar vetëm 20% të deficitit të tyre, i vlerësuar në 2.5 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, por sipas informacioneve të Radio-Canada, ministrja mund ta përmirësoj pak ofertën e saj. Megjithatë, deficiti për Autoritetin Rajonal të Transportit Metropolitane (ARTM) do të jetë rreth 275 milionë dollarë vetëm për vitin 2024. Një boshllëk financiar që mund të shkaktojë një efekt të konsiderueshëm mbi shërbimet e ofruara për qytetarët në vitet e ardhshme dhe që katër kompanitë e transportit në fjalë e përshkruajnë në mënyrë shumë konkrete në dokumentin e tyre të brendshëm. Gjatë një konference për shtyp, kryebashkiakja e Montréal, Valérie Plante, njëherazi dhe kryetare e Komunitetit Metropolitan të Montréal, pohoi se administrata e saj do të përpiqet me çdo kusht të shmangë një ulje të nivelit të shërbimeve. Nëse Québec vazhdon me vijën e ashpër, shkurtimet e mundshme parashikohen gjithashtu shqetësuese për periferinë e Montréal-it. Në Shoqërinë e transportit të Laval (STL), për shembull, propozimi i qeverisë provinciale do të rezultonte përfundimisht me pushimin nga puna të 125 punonjësve, lexohet në dokumentin konfidencial. Situata nuk do të ishte më e mirë as në Rrjetin e Transportit Longueuil (RTL), i cili parashikon efekte negative për 6,000 deri në 10,000 përdorues në territorin e tij. Në disa lagje pritet që autobusët të mos qarkullojnë më.

Ontario - Policia Provinciale e Ontarios (OPP) është në kërkim të dy personave të dyshuar për një aferë kontrabande armësh zjarri pasi gjeti dhe sekuestroi tre duzina armësh pranë kufirit Kanada-Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë, OPP pohoi se punonjësit e saj morën një raportim të enjten (26.10.) herët në mëngjes lidhur me një operacion kontrabande me armë zjarri. Fillimisht dy persona ishin parë mbi një varkë në lumin St. Clair pranë Port Lambton. Sipas policisë, u gjetën 36 armë zjarri që të dyshuarit i kishin braktisur në tokë dhe më pas ishin larguar me shpejtësi. Hetuesit nuk kanë dhënë detaje se ku janë gjetur saktësisht armët, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e varkës së përdorur nga të dyshuarit. Detektivi i OPP, Lee Fulford deklaroi se armët e zjarrit të paligjshme përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë publike dhe shpesh përdoren nga grupet e krimit të organizuar, përfshi dhe bandat e rrugës, për të kryer krime të dhunshme.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada